Çështja e kohëve të fundit e pjesëmarrjes së mundshme të Shqipërisë në shpërbërjen e disa armëve kimike të Sirisë vuri në pyetje natyrën dhe thellësinë e marrëdhënies së Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara dhe pjekurinë e saj si partnere e besueshme e NATO-s për sigurinë.
Sapo u bë e ditur predispozita fillestare e kryeministrit Rama, një reagim popullor kundër pjesëmarrjes së Shqipërisë në çarmatimin dhe shkatërrimin e armëve kimike mori hov në mbarë vendin nëpërmjet medias sociale, shoqërisë civile si dhe e nxitur nga opozita politike. Hezitimi është sigurisht i kuptueshëm, sepse “armët kimike” shkaktojnë një reagim të menjëhershëm negativ, sidomos duke pasur parasysh mungesën e zhvillimit në Shqipëri dhe përvojën e saj të kohës së fundit me ngjarje tragjike si ajo e Gërdecit. Mirëpo, nëse e zhvendos këndvështrimin në kontekstin global, e kupton menjëherë se predispozicioni pozitiv i kryeministrit ishte jo vetëm korrekt, por edhe politikisht i pjekur.
Rëndësia e rolit të Shteteve të Bashkuara në historinë e popullit shqiptar është pallogaritshme. Që prej krijimit të shtetit shqiptar më 1912, te ndërhyrja ushtarake për të ndaluar marshimin e një Serbie genocidale, te përfshirja e Shqipërisë në NATO, te pavarësia e Kosovës, SHBA jo vetëm e ka mbrojtur popullin shqiptar, por edhe ka krijuar strukturat për të garantuar sigurinë e popullit shqiptar edhe në të ardhmen e largët. A do të thotë kjo se Shqipëria duhet të bëjë tani çdo gjë që i thotë Amerika? Tani… në njëfarë mënyre, po! Jo për arsye nënshtrimi apo dobësie, por për shkak të pjekurisë dhe kuptimit të rolit si partner më i vogël.
Nga një perspektivë sigurie, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është, me një diferencë të madhe, nga të tjerat, ngjarja më e rëndësishme e historisë së saj, pas shpalljes së pavarësisë më 1912. Ajo ishte qartësisht fryt i punës që bënë Shtetet e Bashkuara për të bindur aleatët e tyre. Në njëfarë mënyre, SHBA e kapi për krahësh Shqipërinë e pazhvilluar dhe e tërhoqi në shekullin 21. Si rezultat, sot Shqipëria gëzon një nivel të plotë sigurie që ia ofron NATO. Mirëpo, bashkë me këtë përfitim vijnë edhe përgjegjësi.
Është e qartë se Shqipëria nuk është afër nivelit ushtarak të asnjërës prej aleatëve të saj të NATO-s e lë më pastaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria me të drejtë mbështeti Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet e saj në Irak dhe Afganistan me atë pak mbështetje ushtarake që mundej. Kjo mbështetje ishte nga natyra më pak praktike dhe më shumë morale, por gjithsesi e vlefshme. Pranimi nga ana e Shqipërisë i disa prej të burgosurve nga Gjiri i Guantanamos ishte një tjetër shembull kur Shqipëria luajti rolin e saj të saktë si një partnere e re e vogël. Ajo duhej të kishte bërë të njëjtën gjë edhe në rastin e Sirisë.
Ndërsa Shqipëria nuk ka kapacitetin për një kontribut ushtarak në Siri, ashtu si në Irak dhe Afganistan, ajo e ka për detyrë të luajë rolin e një partneri të vogël, por të devotshëm. Shpërbërja e armëve kimike, ashtu si iu kërkua nga Shtetet e Bashkuara, ishte një shans për të.
Nuk ka nevojë të shpjegohet sepse vetë Shqipëria nuk ka kapacitetin për ta kryer këtë punë kaq serioze dhe delikate siç është shpërbërja dhe eliminimi i armëve kimike. Për më tepër, kushdo që ka menduar se Shqipëria do ta bënte vetë këtë punë, apo se Shtetet e Bashkuara do të lejonin që qoftë edhe një mikrogram i vetëm kimikati të dilte prej kontrollit të saj, nuk e ka kuptuar seriozisht këtë çështje. Jo vetëm do angazhoheshin ekspertiza, pajisjet, mbështetja teknike e financiare amerikane, por Shqipëria do të përfitonte duke fituar kapacitet më të mirë për të përballuar arsenalin 50-vjeçar të kimikateve kineze e ruse që janë kudo në mbarë vendin; vagonët e trenave të sjellë nga Gjermania në fillim të viteve ‘90 dhe ndotjet kimike nga fabrikat që po dekompozohen të mbetura që nga koha e komunizmit. Të gjitha këto kërcënime për shëndetin publik janë përballur në një mënyrë aspak ideale dhe rrezikojnë të helmojnë mjedisin normalisht të virgjër të Shqipërisë.
Vala e rezistencës popullore që u kthye shumë shpejt në proporcionet e një cunami ishte e kuptueshme dhe e admirueshme, ndonëse e keqorientuar. Nga ana tjetër, demonstratat përpara Ambasadës së SHBA-së ishin të turpshme. Qeveria në përgjithësi dhe kryeministri në veçanti, duhej të kishin bërë më shumë për t’i dalë përpara çështjes, që në diskutimin e saj të ishin udhëheqës dhe jo pasues. Kur politikat e opozitës në mbarë Ballkanin janë përgjithësisht të karakterizuara nga taktika obstruksioniste pavarësisht se kush ndodhet në pushtet, në çështje të përparësisë kombëtare, siç ishte rasti këtu, opozita duhej të ishte ftuar për t’u bërë partner në proces. Kryeministri duhej të kishte rekrutuar jo vetëm anëtarë të qeverisë së tij, por edhe figura të njohura kombëtare, ekspertë dhe median për të mbështetur këtë kauzë të rëndësishme. Ai duhej të ishte takuar gjithashtu me anëtarë të shoqërisë civile që qenë kaq të rëndësishëm në mobilizimin e rezistencës. Kjo duhej të ishte bërë e gjitha si një fushatë për të edukuar publikun, jo vetëm lidhur me atë se sa i sigurt do të ishte ky proces, por edhe për rëndësinë e vendimit si një komb.
NATO nuk ndodhi brenda natës. Një punë e madhe është bërë në shumë aspekte nga qeveri të djathta e të majta. Në fund, ajo që përfitoi ishte Shqipëria. Edhe këtu, fokusi nuk duhej të ishte tek ajo çfarë do të sillte kjo për qeverinë në fuqi, por tek ajo se çfarë do të sillte për kombin. Padyshim, vendimet e sotme, të mira apo të këqija, ndikojnë edhe qeveritë e ardhshme. Një vizion më afatgjatë duhej të ishte përqafuar. Një mundësi, për të dëshmuar pjekuri, humbi. Historia shqiptare do të shkruajë se kryeministri donte të thoshte ‘Po’, opozita dhe një publik i keqorientuar thanë ‘Jo’. Historia amerikane do të shkruajë se Shqipëria tha ‘Jo’. Amerika ka një histori të shkurtër, por e ka kujtesën e gjatë.
*Autori ka qenë Drejtor Ekzekutiv i National Albanian American Council (NAAC). Shkrimi paraqet pikëpamjet e tij personale.