Armet kimike siriane ne det te hapur refuzohen dhe nga 3 shtete te BE

Armet kimike siriane, ne det te hapur, refuzohen dhe nga 3 shtete te BE

Një plan i njoftuar në fundjavë për të nxjerrë nga Siria lëndët kimike në javët që vijnë ka krijuar probleme madhore në Uashington, sepse kërkon kalimin e armëve përmes rrugëve që janë sheshbetejë të luftës civile, ndërsa pas kësaj edhe anijet që do i marrin këto armë nuk kanë një vend ku të shkojnë.

Siguria deri në ngarkimin në anije sigurohet prej ushtrisë siriane dhe njerëzve afër presidentit Basha al-Assad, i cili ka surprizuar zyrtarët amerikanë me shpejtësinë me të cilën ka bashkëpunuar për realizimin e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Rusisë, për të identifikuar dhe dorëzuar armët kimike. Agjencitë e Inteligjencës dhe zyrtarët e Pentagonit thonë që ngarkesa do të jetë e rrezikuar prej sulmeve gjatë kohës që do të udhëtojë mes rrënojave të luftës që ka shkatërruar vendin prej 2 vitesh e gjysmë.

I pyetur gjatë fundjavës se cili do të ishte plani i mbështetjes nëse karvanët e transportit të elementëve të armëve kimike sulmoheshin nga forca të Al-Kaeda-s apo vetë elementë të forcave të Assadit, një zyrtar i lartë amerikan tha: “Ky është problemi, askush nuk e ka bërë një gjë të tillë më parë gjatë një lufte civile, dhe askush nuk dëshiron të dërgojë trupa në terren për të mbrojtur armët kimike, përshi SHBA-në.”

Një tjetër zyrtar tha që SHBA dhe vendet e tjera tashmë kishin vetëm pak zgjedhje: “ E para, ti lëmë lëndët në vend dhe të shpresojmë për më të mirën dhe e dyta, të ndërhyjmë dhe t’i nxjerrim prej atje e të shpresojmë për më të mirën. Kjo është edhe mundësia ‘më pak e keqe”.

Një listë e administratës së tanishme në Pentagon dhe zyrtarë të ndryshëm e diskutojnë në kushte anonimiteti rrezikun e lëvizjes së municioneve kimike siriane. Pjesa më e madhe e tyre druhen edhe t’i shpallin hapur shqetësimet që kanë, për shkak të delikatesës së operacionit për të pastruar vendin nga armët kimike. Edhe nëse armët arrijnë “shëndoshë e mirë” në një nga portet e Sirisë për t’u ngarkuar në anije transporti për t’u nxjerrë jashtë Sirisë brenda afateve të vendosura në marrëveshje, brenda 31 dhjetorit për armët me kimikatet më të rrezikshme dhe brenda 5 shkurtit për gjithë pjesën tjetër, problemi zor se do jetë zgjidhur.

Të premten, Shqipëria rrëzoi një apel të Shteteve të Bashkuara për t’i shkatërruar armët në territorin e tyre, pasi mijëra shqiptarë dolën në rrugë në protesta. Norvegjia e ka refuzuar më herët këtë kërkesë, duke paraqitur si pengesë mungesën e ekspertizës dhe fabrikave për shkatërrimin e armëve. Çështja shkaktoi edhe atje diskutime të mëdha politike. (Belgjika dhe Gjermania kanë refuzuar gjithashtu publikisht të vënë në dispozicion territorin për operacionin, ndërsa mësohet se asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk do të pranojë armët kimike.) Si rezultat për aq kohë sa nuk gjendet një vend për t’i shkatërruar rrezikon që lëndët kimike siriane të mbeten në det të hapur. Që tani kanë filluar diskutimet se kjo do të ngjajë me anijen që la portin në Long Island më 1987, e mbushur me mbetje dhe mbeti në det për 4 muaj deri sa gjeti një vend për t’u shkarkuar.

Ligjet amerikane e ndalojnë importimin e lëndëve kimike që ato të shkatërroheshin atje dhe Rusia thotë që është e mbingarkuar me detyrën e shkatërrimit të stokut të saj.

Sidoqoftë shqetësimi është se gjatë 6 javëve të tjera arsenali do të jetë një shënjestër e ngadaltë dhe e lehtë për rebelët sirianë në luftë me Assadin dhe ndonjëherë edhe me njëra tjetrën.

Transportimi është pjesa më e rrezikshme sipas zyrtarëve të Departamentit të Mbrojtjes. Ushtria Siriane thotë se e ka kuptuar sfidën, por gjatë javëve të fundit janë raportuar luftime në rrugët që lidhin Damaskun me bregdetin.  Ideja origjinale amerikane ishte që t’i shkatërronin armët në vendin e tyre të origjinës, por kjo do të kërkonte ndërhyrje me forca të huaja ushtarake dhe përfshinte rreziqe të panumërta mjedisore. Gjithashtu do të kërkonte edhe disa fabrika të posaçme.  Një mundësi ishte edhe që ato të lëviznin përmes ajrit, por edhe kjo u vu në diskutim pasi përfshinte rreziqe të tjera po aq të mëdha.

Ndërkohë organizata që po monitoron shkatërrimin e armëve është duke trajnuar ushtrinë siriane që të mundësojë transportin e tyre. Armët do të paketohen vulosen dhe mbrohen nga ushtria që do i transportojë në port. Ajo duhet të bëjë transportin prej 23 pikave ku janë magazinuar ato dhe në fund edhe ngarkimin në anije. Anija më pas do të ruhet nga organizata për shkatërrimin e armëve kimike dhe kjo e fundit shpreson se gjatë kohës që anija do të jetë në det do të gjendet edhe një port ku ato të shkarkohen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama