Kryetari i Kuvendit tha dje se shqetësimi i qytetarëve për ardhjen në Shqipëri të armëve kimike kishte një bazë reale, por hedh poshtë zërat se Rama e menaxhoi keq situatën. Flet për bisedat me Berishën në Kuvend dhe Ramën e Arvizu në “Sheraton”. Humbjet financiare? “Mendoj se janë më shumë se legjenda urbane”. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta pohon se shqetësimi i gjerë për armët kimike nuk ishte i pabazë. I ftuar në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” në ‘A1 Report’, Meta komenton protestat për armët kimike, vendimin e Ramës dhe ç’ka fituar Shqipëria nga këto ngjarje.
Mendoni se u krijua një precedent se qeveria duhet të zbatojë atë që thotë populli?
Është parim qytetar. Nuk mendoj se është ky rasti në fjalë, sepse shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, pasi nevojitej informacion në rast se do zhvillohej një veprim i tillë, çfarë situatash do krijonte ai, a ishin mundësitë në vendin tonë. Frika për një sasi të tillë lëndësh kimike krijoi shqetësimin e qytetarëve. Plus që ne edhe në të kaluarën kemi pasur raste të tilla, siç është rasti i Gërdecit apo i rasteve të tjera në përmasa më të vogla. Nuk mund të themi se ka qenë një shqetësim pa baza. Në këto dy drejtime, mendoj se qeveria nuk mund t’i injoronte këto shqetësime.
Mendoni se ne nuk i kemi kapacitetet? Pse nuk u tha ‘jo’ që në fillim?
Gjithmonë ka qenë mendimi dhe ideja për të ndarë përgjegjësi në këto aksione të përbashkëta ndërkombëtare dhe për të shqyrtuar mundësinë e shkallës së këtij kontributi, dhe mënyrës. Është gjëja më e lehtë të thuash jo, dhe me sa duket kryeministri Rama, në një linjë konsistente me politikën e Shqipërisë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë, ka shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe hapësirat se sa mund të kontribuonte Shqipëria.
A ka ndryshim vizioni mes jush dhe Ramës sa i takon mundësive?
Mendoj se fakti që janë bërë diskutime të vazhdueshme do të thotë se ka qenë rezultat i vlerësimit të kapaciteteve, që ne nuk i kemi. Besoj se këtu ka një përputhje të qartë të qëndrimit dhe vlerësimit tonë. Ka qenë një vendim i përbashkët.
E kishit marrë garancinë që do zhvendoseshin mbetjet?
Nuk kam qenë pjesë, por di se kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i bindur se ky proces nuk i përkiste Shqipërisë.
Ku gabuan, çfarë mund të kishin bërë ndryshe?
Nuk mendoj se ka të bëjë me menaxhimin e situatës dhe të opinionit publik. Shqetësimi nuk ishte i pabazë. Edhe sikur të ishin garancitë më të mëdha, prapë shqetësimi do të ishte i pranishëm.
Sa i takon humbjeve që përfliten, a është e vërtetë që Shqipëria ka humbur një paketë financiare?
Mendoj se janë më shumë se legjenda urbane. Në rast se Shqipëria do të bëhej pjesë e një operacioni të tillë, pa dyshim që vendi do të rriste peshën e tij, rolin e tij në planin ndërkombëtar. Ky do ishte një kontribut i Shqipërisë për paqen dhe sigurinë në botë.
A mund t’u themi ultrapragmatistëve që nuk kemi humbur asgjë?
Kemi fituar një standard të ri demokratik.
Të gjithë janë kuriozë se çfarë biseduat me zotin Berisha në Kuvend?
Nuk ishte ndonjë diskutim shumë i gjatë. Ishte një përpjekje imja për të vendosur në funksionalitet Kuvendin, pasi PD në kundërshtim me rregulloren kërkonte ndërprerjen e punimeve në parlament, dhe ndërprerjen e vizitës zyrtare të kryeministrit Rama dhe që ai të paraqitej në Kuvend. Dhe kjo ishte në kundërshtim me rregulloren. E pata të vështirë ta bindja.
Arvizu tha se ‘e pata të vështirë të kuptoj kush e drejton PD’, ju e keni kuptuar?
Përderisa u ula afër zotit Berisha, besoj se e kam kuptuar.
Duhet të shembet pallati i vjehrrit të kreut të opozitës në Vlorë?
Për mua duhet të respektohet ligji njësoj për çdo qytetar të vendit, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë njëri apo tjetri. Kjo nuk është një çështje që mund ta vlerësoj unë. Nuk kam kompetencën për ta bërë këtë gjë, apo marrjen e atributeve që i takojnë institucioneve të tjera.
Opozita çoi fillimisht në KQZ e më pas në Kolegjin Zgjedhor kërkesën ku kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Korçë, me pretendimin se vota aty është blerë. Ju si mendoni, a ka shitblerje vote në Shqipëri?
Për këtë pretendim që ka ngritur opozita, unë i kam dhënë mbështetje Prokurorisë për të hetuar rastin. PD duhet të jetë e kënaqur për këtë zgjedhje, pasi përsëritja e zgjedhjeve në Korçë do të kishte një rezultat edhe më të thellë.