Ndërkohë që një protestë e shoqërisë civile zhvillohej në sheshin para Piramidës kundër ardhjes së armëve kimike siriane në vendin tonë, kryeministri Rama sqaronte pozicionin e qeverisë së tij në këtë çështje para gazetarëve. Ai tha se nuk ka ende një vendim dhe kur të vinte koha për ta marrë do të konsultohej me publikun dhe parlamentin. Rama theksoi se nuk do të dëshironte të takonte protestuesit dhe të bënte ‘një debat pa debat’, siç e cilësoi ai këtë cështje. “Dhe ndërkohë arsyeja që ende nuk i kam takuar drejtpërdrejt përfaqësuesit e kësaj proteste, nuk është një heshtje që fsheh, por është sepse nuk jemi ende dhe mund të mos jemi në pikën që na duhet të marrim një vendim. Kjo është e gjitha dhe nuk kam dahur dhe nuk doja të futesha në një debat pa debat”.
Vendimarrja
“Ne jemi bashkë me vendet e tjera të NATO-s në një diskutim të brendshëm dhe nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim. Në momentin që do na duhet të marrim një vendim sigurisht këtë do e ndajmë me publikun dhe pas asnjë dyshim me parlamentin”.
Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama sot për herë të parë publikisht rreth çështjes së armëve kimike siriane që diskutohet gjerësisht se mund të sillen në Shqipëripër asgjësim.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me eurokomisionerin Fule sot në Tiranë, Rama thase rreth çështjes së armëve kimike nuk ka më shumë informacion vetëm se fakti që Shqipëria qështë kontaktuar nga SHBA, normalisht si një vend anëtarë i NATO-s.
“Faleminderit për pyetjen dhe pse nuk hyn në cështjet e dialogut të nivelit të lartë me BE, por sigurisht hyn në cështjen e dialogut të brendshëm. Dhe unë dua ta sqaroj shumë qartë, fakti që nuk ka më shumë informacion sesa informacioni që ka dhënë informacioni ministri i Jashtëm para komisionit të punëve të jashtme të parlamentit ka të bëjë me faktin se nuk ka më shumë informacion. Kemi thënë përmes ministrit të Jashtëm duke iu përgjigjur interesit të medias gjatë vizitës së tij në Francë se jemi kontaktuar, nga SHBA, dhe në këndvështrimin tim, e kundërta do të ishte shqetësuese që Shqipëria nuk do të kontaktohej për një cështje që janë në kontankt të gjitha vendet e NATO-s. Kemi thënë gjithashtu se në vazhdën e këtyre kontakteve ka pasur një bisedë mes meje dhe Sekretarit të Shtetit Amerikan për 30 minuta ku kemi diskutuar për këtë cështje, dhe po ju them që nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka asnjë transparencë më shumë se kaq që mund të bëhet për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne jemi bashkë me vendet e tjera në një diskutim të brendshëm dhe nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim”.
Kryeministri vlerësoi dhe ndjeshmërinë që ka ngjallur në popull cështja e armëve kimike ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos besojnë gjithçka thuhet rreth kësaj cështje. Sipas Ramës, shumica janë të pavërteta.
“Do të thotë që në kushtet në të cilat flasim, jam i vetëdijshëm për ndjeshërinë tepër të lartë që ka krijuar kjo çështje, por nga ana tjetër dëshiroj tu them gjithë qytetarëve shqiptarë se pjesa më e madhe e gjërave që thuhen janë të pavërteta. Ashtu sikundër nga ana jonë as nuk na takon dhe as nuk është në etikën e familjes euro-atlantike që të bisedojmë jashtë nesh në kuptimin e vendeve që po bisedojnë vendet anëtare për atë që po bisedojmë brenda për brenda që përfshin një gamë të gjerë cështjesh, por që nuk lidhet ende me një vendim”.
Sipas Ramës të krahasosh ç’armatosjen e regjimit të Assad me çështjen e importit të plehrave, janë dy gjëra të ndryshme dhe pa lidhje.
“Askush nuk duhet të harrojë që Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe për rrjedhojë mendoj se gjithkush duhet të niset nga ky fakt dhe nga objekti i këtij diskutimi që është çarmatosja pa luftë në terren e një regjimi vrastar dhe të mos bëjë asnjë krahasim të mundshëm me pozicionin tonë shumë të qartë për të shfrytëzuar këto 4 vite për të pastruar Shqipërinë nga plehrat duke filluar nga ndalimi i importit të plehrave. Të krahasosh këto dy gjëra është vërtet e padrejtë për të thënë më të paktën”.
Në cilësinë e kryeministrit, Rama u shpreh se në diskutimin me SHBA, ai si kryeministër përfaqëson interesin kombëtar të Shqipërisë dhe interesin e çdo familje shqiptare.
“Është shumë e rëndësishme që cdo qytetar i shqetësuar, çdo prind, çdo gjyshe dhe gjysh që ndjek me drithërimë në zemër lumin e të pavërtetave që rrjedh përditë para syve të vet duhet ta dijë se unë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe jam plotësisht në krye të detyrës për të përfaqësuar me dinjitetin më të plotë në këtë përpjekje dhe diskutim me SHBA, interesin kombëtar të Shqipërisë që është i pandashëm në cështjet e sigurisë nga cështjet e tjera, por dhe interesin e çdo familje shqiptare”.