Armet siriane pozita dhe opozita

Armet siriane, pozita dhe opozita

Gjergj Bojaxhi komenton pasojat që la pas dështimi i operacionit për eleminimin e armëve siriane në Shqipëri, si dhe sjelljen politike të dy partive të mëdha në këtë sfidë

Zoti Bojaxhi, si e komentoni krizën diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA, që prodhoi refuzimi i eleminimit të armëve kimike nga qeveria jonë? Çfarë gjurme kanë lënë këto ngjarje në marrëdhëniet tona dypalëshe?


Do të shkoja shumë larg nëse do ta quaja krizë diplomatike. Jam i bindur që qeveria amerikane ka mbetur e zhgënjyer nga vendimi i Shqipërisë për të mos pranuar çmontimin e lëndëve kimike iriane. Ky zhgënjim behet edhe më dramatik në kushtet e vështira në të cilat gjenden SHBA-të që duan të zgjidhin një problem shumë të rëndësishëm për ta dhe më gjërë, por asnjë nga aleatët nuk duket i gatshëm që të marrë përsipër rrisqet që lidhen me ofrimin e ndihmës.


Gjithsesi, ka një faktor zbutës për këtë zhgënjim që është vetëdija se qeveria shqiptare dëshironte sinqerisht të ofronte ndihmën e saj por u gjend para pamundësisë për të imponuar vullnetin e saj në kushtetet e protestave gjithnjë e në rritje popullore. Jam i bindur se Shqipëria por edhe SHBA-të janë të interesuara për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet me njëra-tjetrën. Të dy vendet janë të vetëdijshme që do të kenë nevojë rishtas për njëra-tjetrën. Për këto arsye, mendoj se zhvillimet e fundit nuk do të kenë ndikim në kohë, përvec zhgënjimit dhe mosbesimit të momentit që është krijuar ndaj nesh.
 
Si e komentoni sjelljen e palëve në këtë sfidë? Atë të kryeministrit, opozitës dhe shoqërisë civile?


Besoj se Kryeminstri qe i interesuar që të pranonte kërkesën e Amerikës. Nuk mund të spekulloj, por mendoj që një shtytje e fortë për këtë gjë mund të ketë qënë rritja në imazh nga mbështetja e pakufizuar dhe vlerësimet momentale publike që do të merrte ai nga SHBA-të. Por qasja që ai zgjodhi për të realizuar këtë qëllim nuk funksionoi, pasi jo vetëm që ai anashkaloi një sërë institucionesh të cilat duhet të ishin përfshirë në procesin e vendim-marrjes, më së pakti parlamenti, por edhe duke mos ndarë asnjë informacion publik mbi cështjen, madje edhe kur mediat dhe burimet e huaja filluan ta trajtonin. Besoj se në këtë qasje qeveria ka anashkaluar edhe detyrimet ligjore që i lindin. Të paktën është anashkaluar Konventa Aarhus e ratifikuar nga Shqipëria e cila e detyron qeverinë që të japë informacion për cdo cështje të mjedisit dhe të përfshijë publikun në cdo vendim-marrje për cështje të mjedisit.


Pavarësisht kësaj është për tu theksuar se i ndeshur me reagimin publik, Kryeministri Rama bëri një akt të denjë dhe në respekt të vullnetit popullor duke ndryshuar qëndrimin e tij. Ky veprim është një nga veprimet e rralla gjatë dy dekadave të fundit kur pushteti i bindet vullnetit të popullit, pa e cuar në ekstrem durimin popullor.


Për sa i përket opozitës, mendoj se cështja e lëndëve helmuese siriane u tentua të shfrytëzohej politikisht nga PD. Madje kam përshtypjen se kishte vërtet drejtues të lartë të PD-së që shikonin tek kjo cështje një mundësi për rrëzimin e qverisë Rama, duke shpresuar që Rama të thoshte Po dhe pastaj kjo të conte në protesta popullore që mund të shfrytëzoheshin për rrëzimin e qeverisë. Është e cuditshme pse PD ka zgjedhur këtë strategji deri diku radikale kaq herët në periudhën të paktën 4- vjecare opozitare. Gjithsesi, mendoj se mund të ketë dy arsye: mungesa e reformimit, ndryshimi apo rifreskimit të mirëfilltë si nga pikëpamja programatike ashtu edhe e elitave drejtuese në PD pas humbjes së zgjedhjeve ka shuar shpresat dhe energjitë për një të ardhme optimiste politike për PD-në gjë që rrezikon gërryerjen e elektoratit të saj. Në mungesë të një qasje të re, PD iu kthye qasjes së vjetër, pra radikalizimit të situatës me qëllim kompaktësimin e bazës së saj. Një arsye tjetër mund të ketë të bëjë edhe me situatën në udhëheqjen e lartë të PD-së. Ndonëse autoriteti i ciftit Berisha-Basha në PD është ende i padiskutueshëm dhe pushteti i tyre brënda partisë nuk është i rrezikuar, disa deputetë të saj dhe figura të rëndësishme të saj kanë dhënë shenja se mund  të krijojnë ose një fraksion brënda PD-së dhe ta sfidojnë Zotin Basha ose në pamundësi mund të shkëputen fare nga PD duke gërryer jo vetëm grupin e saj parlamentar por edhe elektoratin e saj. Me përfshirjen në protestat e javës së shkuar udhëheqja e PD-së mund të ketë dashur pikërisht të bënte një demonstrim për të energjizuar bazën e saj dhe për të zbehur kauzën e të pakënaqurve në grupin e deputetëve apo disa prej figurave të saj të rëndësishme.


Mund të them që në përgjithësi politika u tregua e ngushtë në qasjen e saj duke u munduar më tepër për shfrytëzimin e situatës për përfitime të ngushta politike sesa u mundua të trajtojë atë nga këndvështrimi i intersit publik dhe interesave për të ardhmen e vendit.


Përsa i përket, reagimit shoqëror duhet vlerësuar ajo pjesë e shoqërisë, vecanërisht të rinjtë, e cila u vetëorganizua me një shqetësim të sinqertë qytetar pa qënë pjesë as e organizatave të shoqërisë civile dhe pa qënë pjesë as e interesave politike. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme e vetëdijësimit qytetar dhe veprimit demokratik të shoqërisë. Kjo është vlera e vërtetë e gjithë protestave që u zhvilluan.


Shqipëria bëri mirë apo keq që i tha "jo" SHBA-së për armët kimike?


E kam të vështirë të jap një përgjigje të saktë dhe bindëse për këtë pyetje. Edhe sot informacioni që unë si gjithë publiku kam është shumë i cunguar. Nuk dimë se si do të realizohej operacioni, kush do ta realizonte, me cfarë teknologjie, sa rrezik paraqiste, etj sikurse nuk dimë se cfraë mbështetje do t’i jepej Shqipërisë si për operacionin ashtu edhe më gjërë. Fakti që shumë vende me më shumë informacion dhe me më shumë burime se Shqipëria i thanë jo, tregon që ky ka qënë një operacion i vështirë dhe me rreziqe të larta. Nisur nga kjo mund të mendohet se ka qënë zgjidhja e duhur.


Natyrisht nga pikëpamja diplomatike dhe e marrëdhënieve me SHBA-në, pranimi fillestar si nga kreu i qeverisë dhe ai i opozitës, dhe ndryshimi i qëndrimeve të tyre (ai i Kryeministrit i imponuar nga reagimi publik) nuk janë një gjë e mirë. Për më tepër pranimi për të kontribuar nga ana e Shqipërisë do të konsolidonte më tej marrëdhëniet tona me SHBA-të dhe do të rriste përpjekjet dhe ndikimin e kësaj të fundit në favor të interesave tona strategjike dhe zhvillimore.


Por edhe përtej marrëdhënieve me SHBA-të, politika shqiptare me qasjen e saj tregoi papjekuri serioze në mënyrën se si e trajtoi dhe sesi vendosi për këtë cështje.


Gjëja më pozitive në këtë histori, gjithsesi është se ajo shërbeu për të krijuar një precedent të angazhimit dhe reagimit qytetar. Protestat ngjallën shpresën se në vendin tonë ka mundësi për të vendosur për të ardhmen tonë përtej formacioneve politike. Protestat treguan se në shoqërinë tonë ka shumë njerëz kurajozë dhe të përgjegjshëm dhe të gatshëm për të ngritur zërin dhe për të kontribuar për një të ardhme më të mirë se kjo që kemi ndërtuar deri më sot.
 
Sa do e ashpërsojë klimën politike kriza e javës së shkuar?


Nuk besoj se ngjarjet e javës së kaluar do të kenë ndonjë efekt të vecantë në klimën politike të vendit. Mendoj se klima politike apo mënyra e bërjes politikë do të vazhdojë të jetë ajo e vjetra, ku politika apo më saktë konkurenca politike konsiderohet si një lojë me shumë zero - në një lojë ku ai që fiton merr gjithshka dhe ai që humbet nuk merr asgjë. Për këtë arsye konkurenca dhe aksioni politik është jo bashkëpunues dhe madje agresiv dhe luftarak. Kjo vjen për shkak jo vetëm të mentalitetit politik që ne trashëgojmë nga e shkuara si shoqëri, por edhe për shkak të ndërtimit të sistemit tonë politik i cili i jep pak hapësirë dhe pak zë opozitës apo faktorëve që nuk janë në qeverisje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama