Pas emrit të avokatit, i cili është i pari, 26-vjeçarja pretendon të marrë mandatin e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë. Ajo është diplomuar për drejtësi dhe prej disa vitesh punon si avokate në zyrën e Spartak Ngjelës. Qëndrimi pranë tij e ka bërë të mësojë më shumë për profesionin, por edhe për politikën. Në këtë prag zgjedhjesh, ndërsa ishin duke u bërë gati listat, Arnida nuk i rezistoi dot tundimit për të patur një karrige në Parlament dhe për të bërë më të mirën e saj në fushën e drejtësisë. Por, pozicionimi në këto lista e ka vendosur në qendër të vëmendjes në media. Ne kemi folur me të dhe na ka treguar diçka më shumë për partinë ku ajo aderon, njohjen me avokat Spartak Ngjelën dhe përgjigjet që ka për ata që e paragjykojnë në lidhje me dashurinë që vetë ajo ka për modën dhe estetikën.
Arnida, u menduat dy herë që të pranonit ofertën për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë?
Jo, vendimi ishte i lehtë dhe i menduar.
Kush ua bëri propozimin?
Spartak Ngjela më propozoi kandidimin, sepse ai niset nga gjykimi Ju e dini, unë jam avokate. Pasi e mendova dhe pasi lexova programin elektoral, të cilin e njihja edhe më parë, u përfshiva me paraqitjen e disa ideve të mia rreth tij, në veçanti për fushën që unë njoh më mirë, për drejtësinë, duke menduar se këtu do të arrija suksesin dhe e arrita.
Çfarë përfaqëson shtesa juaj në program?
Origjinalitet. Ai pa origjinalitetin tim dhe kjo më pozicionoi në vendin e dytë.
Politika ka qenë ambicia juaj apo dëshira për t’u marrë me të ka ardhur me kalimin e kohës?
Nuk ka qenë ambicia ime e përhershme, por lindi. Ka shumë arsye që çojnë në një synim. Të jesh pjesë e ndryshimit për zhvillimin e vendit tënd është një mundësi e madhe. Tani ajo është synimi im.
Nga ana tjetër, dimë se politika është art i mashtrimit dhe profesioni i dytë më i vjetër në botë, çfarë qasjeje keni ndaj këtyre përcaktimeve?
Do ta shihni. Që nga Aristoteli e deri më sot, politika konsiderohet arti i qeverisjes dhe jo i mashtrimit. Ngatërroni demagogjinë me mashtrimin. Politika shpesh përdor demagogjinë, por jo mashtrimin. Është Aristoteli ai që na ka paralajmëruar që 2300 vjet përpara se demokracia mund të degradojë në demagogji. Ajo që kërkoj të bëj unë është moslejimi i këtij degradimi.
Ju jeni marrë edhe me modë, e kishit menduar qysh herët si një trampolinë për t’u hedhur në politikë?
Moda nuk është gjë e keqe dhe as trup. Moda është pjesë e imazhit modern, e sjelljes moderne, dhe e kulturës moderne. Përkundrazi, keni parë ndonjë parlamentar të parlamenteve të Perëndimit që vishet si shollogun? Asnjë. Të gjithë janë të stiluar. Dhe e dini pse? Sepse kanë respekt për popullin që përfaqësojnë.
Kur jeni njohur me z. Ngjela? Cilat janë marrëdhëniet me të?
Jam njohur që kur kam qenë studente. Kam marrë prej tij leksione dhe literaturë për pjesët substanciale të së drejtës. Jemi kolegë dhe kemi marrëdhënie pune. Si mendoni, a mund të kesh konsiderata të këqija për shefin e zyrës dhe njëkohësisht kryetarin e partisë?
Ju punoni në studion e tij ligjore, çfarë keni mësuar më shumë nga ai si politikan, por edhe si avokat?
Në këta dy vjet që punoj me të u jam përshtatur të dyja aspekteve. Politika vjen nga avokatia mendoj unë. Si politikane, jam në hapat e para; si avokate, ndër të tjera, kam mësuar teorinë e mbrojtjes, provën dhe përdorimin e saj logjik, procedurën e gjyqit, formulimin e padive dhe zgjidhjen e rasteve.
Çfarë vlerësoni më shumë tek ai?
Dinjitetin.
Në këtë fillim fushate duhet t’ju ketë dhënë ndonjë këshillë, cila është ajo?
Të jem vetvetja. Shpesh, personazhe që në të kaluarën e tyre janë marrë me modë, eklipsohen më shumë për pamjen e tyre, çfarë mendimi keni në këto rrethana? Me përjashtim të vendeve të pazhvilluara, perëndim do të thotë modë. Ky qytetërim është fenomen estetik. Kush nuk e kupton këtë, është jashtë qytetërimit. Duke u nisur nga kjo, përkundrazi, unë ndihem e privilegjuar nëse të tjerët mendojnë se qenkam sharmante.
Operacionet plastike?
Unë e di se jetoj në Shqipëri, jo në Afganistan
Duket sikur një femër e ka më të vështirë se një mashkull të bëhet pjesë e politikës. Që të jetë protagoniste dhe të dëgjohet nga të tjerët, i duhet shpeshherë të bëjë si “grifshë”. Por ky nuk është modeli që Arnida Çapi do të sjellë. Ajo do e ketë si parim në këtë rrugë që ka nisur, nuk do u përgjigjet shpifjeve. E kur vjen puna për operacionet plastike, ajo shprehet se: Pamja ka rëndësi për këdo, jo vetëm për femrën...
Do ju duhet shpesh që të bëni replika dhe të mbroheni në situata të caktuara. Politika është e ashpër. Si do u bëni ballë këtyre përballjeve. Jeni gati?
Si rregull, cenimi i padrejtë është shpifje. Sipas formimit tim, unë nuk u përgjigjem atyre. Ju e keni parë që nuk jam marrë me shpifjet dhe të pavërtetat që ka shkruar shtypi deri më tani.
Në studion e “Top Shout”, profesor Edmond Tupe bëri një batutë erotike për ju (Praktika në zyrën e Ngjelës ju ka bërë si ngjalë). Si e komentoni?
(qesh) Ai nuk tha asgjë erotike në lidhje me mua. Batuta me mbiemrin e Ngjelës kishte lidhje me elokuencën. Ajo çfarë nuk ishte e saktë nga ana e tij, mendoj se ishte kur kërkoi të na jepte simbolikën e tij për zgjedhjet dhe kutinë e votimit, duke qenë një krijim pa baza frojdizmi.
Nga ana tjetër, ju kanë vënë në qendër të vëmendjes edhe operacionet plastike. Sa rëndësi ka pamja për një femër në politikë?
Nuk më ka vënë ndokush në qendër të vëmendjes për këtë gjë. Në rast se do më vinin do t’u thoja se: Mos ndoshta kurimin e dini gjë të keqe? Domethënë heqjen e vetullave, lyerjen e flokëve, depilimin, rregullimin e buzëve apo efektin estetik të tualetit? Unë e di se jetoj në Shqipëri, jo në Afganistan. Pamja ka rëndësi për këdo, jo vetëm për femrën dhe jo vetëm në politikë. Kjo varet sa rëndësi i japin të tjerët pamjes së dikujt.
Nëse do të fitoni, çfarë do të bëni dhe nëse nuk fitoni, çfarë do të bëni po ashtu?
Nëse do të fitoj, do të shkoj në Parlament dhe do të keni rastin të më shihni. Nëse jo, do të vazhdoj gjithashtu në rrugën që kam nisur, atë të avokatisë.