Arnita Beqiraj Miss Albania 2010 i futet politikes i bashkohet Aleances kuq e zi

Arnita Beqiraj 'Miss Albania 2010' i futet politikës, i bashkohet 'Aleancës kuq e zi'
Një vajzë e bukur nuk është e thënë të jetë patjetër e brishtë. Kur fitoi kurorën “Miss Inteligjenca” në spektaklin e bukurisë së Vera Grabockës “Miss Albania 2010”, 19- vjeçarja nga Vlora, Arnita Beqiraj u gëzua shumë, pasi asaj i pëlqen ta tejkalojë bukurinë e saj me forcën e mendjes. Gjithsesi, si një miss ende në fuqi, Arnita ndërkohë që mban edhe kurorën e “Miss Albania 20103 , ka menduar t’i hyjë seriozisht politikës. Ajo është angazhuar në Aleancën Kuq e Zi, duke bërë përshtypje se si një miss preferon më shumë se pasarelat, podiumet e politikës. “Në fakt, mora një ftesë nga një atdhedashës, i cili është njëkohësisht pjesë e Frontit për Bashkim Kombëtar, Z. Genc Llakaj, e sigurisht që kur bëhet fjalë për të ndihmuar sadopak në çështjen kombëtare, dyshimet për të marrë vendime janë të pavend”, shprehet ajo për gazetën “Panorama”.

Më tej, duke sqaruar arsyen e përfshirjes në këtë lëvizje, tregon se: “Të jesh pjesë e Aleancës Kuq e Zi, për mua do të thotë që të vendosësh në dispozicion të vendit gjithë dijet dhe pasionin tënd, duke lënë mënjanë çdo interes personal. Kam dyshimet e mia se kjo ndodh edhe në partitë politike, të cilat po drejtojnë së fundmi vendin tonë”, ka shpjeguar më tej. Dhe duket në rrëfimin e saj të parë ku nuk i duhet të flasë për sekretin e bukurisë, por merr pozitat e një politikaneje me ambicie, ndërkohë që gjen një përafrim të këtij pasioni të saj me shkollimin, pasi ndjek studimet në Fakultetin e Juridikut në Universitetin Europian të Tiranës dhe po ashtu studimet për Psikologji në Universitetin e Tiranës.

 Ajo jeton prej një viti në kryeqytet me motrën e saj, vit i cili mund të quhej dhe viti i ndryshimeve të rëndësishme në jetën e saj. Arnita pohon se ka një raport shumë të mirë me shoqërinë, edhe pse shoqëria e saj më e afërt është kryesisht ajo e hershmja. Nëse jeni kureshtarë të zbuloni më shumë se çfarë fshihet pas një miss-i që synon tashmë politikën, mund të lexoni përgjigjet e saj. Duke lënë mënjanë pyetjet për dietat dhe hobet e saj që janë: muzika klasike, sporti, udhëtimet dhe moda. Në këtë intervistë ajo flet për angazhimin e saj në çështje serioze patriotike.

Në përfytyrimet e tua çfarë fëmijërie sjell në mendje? 

Fëmijërinë time e kam kaluar në Vlorë. Ka qenë një fëmijëri e lumtur, mes lodrave dhe ëndrrave. Pse zgjodhe të studiosh njëkohësisht Juridik dhe Psikologji? Zgjedhja për të studiuar drejtësi nuk ka qenë një dëshirë vetëm imja, por edhe e familjes sime, ndërkohë që të studiosh psikologji do të thotë të kesh mundësi të depërtosh më thellë në mendjet e njerëzve. E mua me pëlqen ta bëj këtë gjë.

E ardhmja jote kujt do i takojë?

Sigurisht që dega e drejtësisë ka përparësi, duke pasur parasysh edhe faktin se vendit i duhen njerëz të drejtë, sepse ka shumë që studiojnë drejtësi, por jo të gjithë janë të drejtë.

Aspiron karrierë, si?

Sigurisht që aspiroj për një karrierë të mirë kryesisht në fushën e drejtësisë, por pse jo edhe në atë të psikologjisë. Dhe të angazhohesh me politikë duhet të jesh dhe praktik, social.

Ti çfarë natyre je?

Unë mundohem që të jem sa më e pranishme në atë çka ndodh rreth e qark meje, sidomos kur ajo që ndodh është diçka që prek gjithë shoqërinë, siç është së fundi është çështja e regjistrimit të popullsisë.

Cili është qëndrimi yt në lidhje me këtë çështje?

Sigurisht që është e drejta e çdokujt që të deklarojë kombësinë si edhe fenë në të cilën beson, por nuk është nevoja që këto të inventarizohen e shume prej të cilëve që e sugjerojnë këtë (ndër ta edhe fqinjët tanë grekë) nuk e kanë bërë. Është lehtësisht e provueshme se nuk kanë asnjë të dhënë të tillë në regjistrimet e tyre.

Si do e gjykoje faktin se ka individë që ndryshojnë kombësinë e tyre?

Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në marrjen e një vendimi të tillë. Një prej këtyre faktorëve kryesorë do të ishte varfëria, e cila pasohet nga fakti se vendi i tyre është një shtet që nuk ofron politika sociale. Megjithëse në mendimin tim një përfitim personal ekonomik, edhe pse mund të ndikojë pozitivisht në nivelin e jetesës, nuk është arsye për të tradhtuar atë çka ti në thelb je. Të gjithë ne jemi duke luftuar për një çështje shumë më të madhe, që është të ruajmë dinjitetin dhe identitetin kombëtar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama