Tedi Papavrami rrëfen udhëtimin e tij në moshën 12-vjeçare nga Shqipëria për në Perëndim, drejt lirisë. Vitet e para të fëmijërisë ai i kishte kaluar nën diktaturën e Enver Hoxhës, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, talenti për violinë u spikat nga flautisti Alain Marion dhe kjo bëri që ai të kishte mundësi të largohej nga Shqipëria në Francë. Ai u largua nga Shqipëria drejt Konservatorit të Parisit me një bursë, kur ishte vetëm 12 vjeç. Fillimisht gjendet i vetëm përballë një bote të madhe, derisa u mundësohet qëndrimi në Paris edhe prindërve të tij. Por çfarë ndodh me pjesën tjetër të familjes? Në vitin 1985, ai mori vendimin për të mos u kthyer më në Shqipëri.
Kjo e tronditi regjimin komunist, i cili u hakmor ndaj familjarëve të Papavramëve të mbetur në Shqipëri. Tedi Papavrami në librin, “Fugë për violinë” tregon historinë e të mësuarit të muzikës, por edhe të jetës. Kësaj here ai rikthehet në Tiranë jo vetëm për të prezantuar librin e tij, “Fugë për violinë”, por edhe për të qenë pranë publikut për dy net radhazi në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më datat 13 dhe 14 maj. Publiku i kryeqytetit do të ketë mundësi të ndjekë të plotë ciklin e sonatave dhe partitave të Johann Sebastian Bach. Gjatë një interviste Tedi Papavrami tregon se, përse zgjodhi që këtë botim ta sjellë fillimisht në frëngjisht e më pas në shqip. Gjithashtu ai rrëfen edhe momentet e përballjes me kujtesën.
Përse nuk zgjodhët që ta shkruanit në shqip, librin e jetës suaj?
Sepse botuesi që ma kërkoi librin ishte francez, kështu që nuk mendoj se, kishte arsye që unë të shkruaja në shqip. Fillimisht u mendova gjatë dhe mendova se po bëj diçka që kishte interes.
Jemi mësuar që të shikojmë një libër autobiografik, pasi autori që e shkruan ka kaluar disa vjet jetë. Ju përse zgjodhët këto momente?
Ajo që i interesonte botuesit francez ishte, veçantia e jetës sime, për sa i përket fillimit të viteve të para të jetës në Shqipëri, por edhe ikjes në Francë. E donte këtë libër, sepse kishte dëgjuar që Shqipëria ishte e izoluar, kjo gjë i interesonte. Pastaj sigurisht që, unë i shtova edhe gjëra të tjera, por baza që i interesonte ishte kjo.
Personazhet që keni shkruar janë realë, por si e mendoni përballjen me ta. A u trembeni në një farë mënyre?
Unë mendoj se jo, sepse i kam përshkuar ashtu siç i kam perceptuar në atë kohë. Kur bëhet fjalë për të hershmit, ata janë parë me syrin tim fëmijëror, prandaj kjo gjë nuk më tremb.
Si ishte përballja me kujtesën, me të shkuarën?
Ishte gjë e bukur dhe e vështirë njëkohësisht. Kur kujtimet u bënë më të qarta kuptova se, megjithëse na duket se gjërat kanë humbur në mendjen tonë, kur thellohemi në atmosferën, në vendet që kemi qenë, duket sikur çdo gjë ripërtërihet në një farë mënyre. Ishte një eksperiencë e bukur për të kuptuar edhe disa gjëra që në mendje i ke në mënyrë konfuze, por që nuk arrin t’i shpjegosh shumë mirë. Kjo është bërë për lexuesin, por edhe për veten.
Shpjegimin e fugës, e keni bërë edhe për lexuesin?
Normalisht që e mendova të drejtë ta bëja për lexuesin shqiptar, sepse nuk e gjeta në fjalor. Për këtë mendova se, ata që nuk janë muzikantë, nuk do të arrinin që ta gjenin dot kuptimin e përdorimit të kësaj fjale. Qëkur isha i vogël, e mendoja sikur unë fugoja, vrapoja. Ka të bëjë me formën muzikore.
Në një diçiturë fotografie të librit tuaj, “Fugë për violinë” shkruani se, ardhja juaj në Francë është edhe si pasojë e një diktatori...
Në fakt është e logjikshme, sepse ai ishte diktatori i vetëm që mund të bënte diçka për të dalë nga sistemi i tij. Ishte i vetmi që kishte këtë fuqi dhe mund të merrte vendime në atë kohë.
Ndikimi i babait në jetën tuaj si ka qenë? A ka qenë edhe ai një lloj “diktatori”, me ju?
Në fakt, nëse do të marrim biografitë e të gjithë muzikantëve të mirë, po flas edhe për kompozitorët, nëse vërtetë njerëzit dhe njerëzimi do të ishin kundër “diktaturës së prindërve”, nuk do të dëgjonin më as Mozart, as Bethoven, e as shumë të tjerë. Të gjithë ata janë shembuj realë, që vërtetojnë rëndësinë e pranisë së prindit.
Në dy koncertet që do të prezantoni në TOB, keni zgjedhur Bach-in?
Bach është ai që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime, sepse ai më ka bërë që të parandiejë mrekullinë e artit dhe të një bote të përtejme, që sigurisht ishte shumë larg botës komuniste. Kurse nga ana tjetër, më dukej se në këtë program unë i vetëm me publikun, mund të jem në ritmin më të thellë që ekziston, edhe pse nuk është muzikë spektakolare, pasi është pa efekte, është muzikë që depërton në maksimumin e thellësisë shpirtërore të njeriut.
“Nëse nuk do të ishte Enver Hoxha në jetën time, do të isha i lirë”
Si e kujton sot takimin me Enver Hoxhën?
Ka qenë një përzierje, mahnitje dhe në të njëjtën kohë një mësim për tmerrin. Për mua ka qenë një lloj surprize, sepse nuk është se isha i sigurt. Unë kam qenë vetëm 12 vjeç dhe nuk është se kisha shumë emocione, aq sa mund të ndodh me një të rritur sot.
Por ju kishit përherë informacione nga babai juaj për të?
Pikërisht për këtë isha i ndarë, sepse unë isha rritur me propagandën që ishte në atë kohë dhe në të njëjtën kohë kisha dhe sovranitetin. Për mua gjërat ishin të ndara. Ajo që ai bëri për mua ishte e ndarë nga ajo që bëri në përgjithësi. Nëse nuk do të kishte ekzistuar fare, do të kishte qenë edhe më mirë.
Por nëse nuk do të kishte ekzistuar fare, a mund të quhet një mision i pamundur ai që ti, je sot?
Nuk është e vështirë ta mendosh. Normalisht pse jo. Domethënë ka luajtur një rol? Ka luajtur një rol?! Nëse nuk do të kishte ekzistuar, do të kisha qenë i lirë dhe do të kisha ikur jashtë pa pasur nevojë për ndihmën e tij.
Fuga, arratia a ka mbaruar?
Sigurisht, sepse tani unë mund të rikthehem në Shqipëri sa herë që të dua. Tani jeta ime është vendosur jashtë.
Po me arratinë në Francë, si u ambientuat?
Mua më duket e natyrshme, sepse jam ambientuar prej kohësh dhe jam brumosur atje, por sigurisht që ka qenë një tronditje e madhe, sepse bëhet fjalë për dy etapa. Fillimisht kemi mbërritjen në Francë dhe pastaj qëndrimin përgjithmonë atje.
Ndalemi pak te librat. Ju keni pasur raste që të përktheni në frëngjisht edhe libra të Ismail Kadaresë. Sa ju ka ndihmuar kjo gjë?
Kjo punë më ka ndihmuar shumë, sepse fiton një mjeshtëri që të vlen të shkruash më pas, megjithëse është gjë tjetër. Fillimisht ishte e vështirë që të gjeja një formë sesi do ta ndërtoja, kjo ka qenë gjëja më e vështirë se, deri ku do të shkoja dhe kur do të ndaloja. Për të shkruar gjithmonë është e mundur, por kur nuk ke një formë, nuk ke një vazhdimësi në rritje dhe një strukturë, nuk është dhe aq shumë e thjeshtë. Prandaj më ka ndihmuar edhe përkthimi i librave të Kadaresë, toni që përdor ai në librat e tij, nuk është ekzakt ai që kam bërë unë, por të jep një ide, një këndvështrim sesi mund ta shprehësh aktivitetin e diktaturës. Por sigurisht, që ndikimet janë gjithmonë, qoftë edhe nga autorët francezë që në frëngjisht kanë qenë të qartë.
Papavrami
Tedi Papavrami (1971) lindi në Tiranë. Ai u lidh me violinën që në moshën 4-vjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike. Në moshën 8-vjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe 3 vjet më vonë prezanton koncertin e parë për violinë të Paganinit.
Në shtator të vitit 1982, falë flautistit Alain Marion dhe një bursë të ofruar nga Franca, ai vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal, në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia etj. Zhvillimi i tij muzikor vazhdon në mënyrë të pavarur, nën këshillat e muzikantëve të ndryshëm që ka rast të takojë.