Dy këngëtarë grekë janë kapur në pikën kufitare të Kakavijës me 63.5 kilogramë marijuanë, për ta trafikuar në drejtim të shtetit helen. Policia e Gjirokastrës raportoi arrestimin e 27-vjeçarit Panajotis Markopulos dhe 30-vjeçares Anastasia Vogiatzi, pasi në automjetin e tyre tip Seat me targa IPP 3885, u gjet 63.5 kilogramë drogë e ndarë në 95 pako. Ata ishin të ftuar për të kënduar në lokalet e Sarandës dhe kishin hyrë në territorin shqiptar nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës. Vetëm javën e kaluar ata kanë hyrë dy herë në Shqipëri për të performuar në lokalet e Sarandës dhe Gjirokastrës.
Nuk dihet nëse dy këngëtarët e njohur në vendlindjen e tyre, të kenë pasur për objekt trafikimin e mirëfilltë të drogës duke e blerë atë në Shqipëri, apo kjo ka qenë pjesë e pagesës së tyre për netët që kanë kënduar.