Arrestohen ushtaret e terrorit hetime per ata qe dhane urdhrat

Arrestohen ushtaret e terrorit, hetime per ata qe dhane urdhrat

“Megaoperacioni”

Një i penduar tregon të gjitha vrasjet dhe shpërthimet me eksploziv. Julian Sinanaj tregon 20 vrasje në Greqi

Një i penduar ka treguar zinxhirin e vrasjeve me pagesë dhe eksplozivëve të vendosur ndaj zyrtarëve qendrorë dhe lokalë, duke bërë terror për një kohë të gjatë. Në pranga kanë përfunduar tre “ushtarë”, njëri prej të cilëve është penduar, ndërsa kapobanda, Julian Sinanaj, ka treguar me detaje mbi 20 vrasje në Greqi, ndërsa në vendin tonë, deri më tani i janë dokumentuar mbi pesë ngjarje kriminale. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se shtetasi N.Gj., nga qyteti i Vlorës, ka treguar detaje të rëndësishme nga aktiviteti kriminal i këtij grupi, mënyrën e funksionimit, marrjen e porosive, vëzhgimin dhe më pas ekzekutimin apo paralajmërimin e “objektivit”. Hetuesit e çështjes pohojnë se krahas ushtarëve, do të verifikohen edhe personat që dhanë urdhër, të cilët mund të jenë biznesmenë, por nuk përjashtohen as politikanë. Deri dje në darkë, hetimet kanë vijuar me intensitet të lartë, ku janë marrë deklarimet e të ndaluarve, ndërsa hetuesit kanë verifikuar çdo detaj nga rrëfimet e N.Gj., dhe Julian Sinanajt. Ky i fundit, i ndodhur përballë rrëfimeve të shokëve, ka vendosur të rrëfejë edhe vetë “bëmat” e tij, të cilat mesa duket, kanë qenë tepër të rënda për shtetin grek, ku atje mësohet se ka ekzekutuar mbi 20 persona.

Rrëfimet

Një pjesë e ngjarjeve të pazbardhura në qytetin e Vlorës, përgjatë vitit 2012-2013, sipas policisë janë pranuar nga Julian Sinanaj dhe 30-vjeçari me inicialet N.Gj., të cilët kanë treguar me detaje të gjithë aktivitetin e tyre kriminal. Përveç kësaj, ata kanë treguar edhe emrat e personave që kanë bashkëpunuar dhe emrat e porositësve të vrasjeve. Ndërsa personi i tretë që ka rënë në pranga, Marion Mitro, 42 vjeç, është marrë gjatë gjithë natës në pyetje, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij. Personi në fjalë është kapur nga forcat e shumta të policisë në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”, gjatë kohës që ka qenë duke u arratisur nga Shqipëria, pasi kuptoi që ra në gjurmët e policisë.

“Për herë të parë, Policia e Shtetit ka arritur të zhvillojë hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësit e deri tek ekzekutorët e vrasjeve, qoftë me armë, qoftë me eksploziv. Policia e Shtetit ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal, i cili, sipas të dhënave të para të hetimit, dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, në një hark kohor prej rreth 2 vjetësh. Si rrjedhim i një operacioni të gjerë policor, pas hetimeve intensive u bë e mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të shtetasve Julian Sinanaj, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, i padënuar më parë, N.Gj., 30 vjeç, Genis Bardhyl Mëhillaj, 43 vjeç, Andon (Erion) Mëhillaj, 39 vjeç, dhe Marion Kostandin Mitro, 42 vjeç”, thuhet në komunikatën zyrtare të Policisë së Tiranës.

 

Sinanaj, kreu i bandës



Burime nga policia bëjnë me dije se 31-vjeçari nga Elbasani, me banim në Vlorë, është specialist në ndërtimin e eksplozivëve me telekomandë. Si pasojë e kësaj, për disa vite ai kishte krijuar edhe klientë, të cilët sa herë që kërkonin për të bërë ndonjë krim, përfshi këtu edhe ekzekutimet, shkonin dhe blinin municione të ndryshme te Sinanaj. Sipas policisë, Sinanaj është autori i 20 vrasjeve të ndodhura në Greqi, ndërsa për sa u përket krimeve në Shqipëri, nuk ka të dhëna, pasi ato janë duke u verifikuar. Pavarësisht kësaj, dyshohet se mbi shpatullat e vrasësit serial, rëndojnë një numër mjaft i madh viktimash, edhe pse nuk ka një bilanc të qartë. Dyshohet se ai ishte organizatori i gjithçkaje. I riu mendohet se kontaktohej nga persona që kishin konflikte dhe nuk mund t’i zgjidhnin në mënyrë individuale. Si pasojë e kësaj, ata paguanin shuma të konsiderueshme parash, duke urdhëruar Julian Sinanajn që të ekzekutojë kundërshtarin e porositësit. “Gjeniu i tritoleve” për shumë vite ka mundur që t’i shpëtojë syrit të policisë. Si pasojë e kësaj, ai ka vijuar aktivitetin kriminal, duke fituar shuma të majme parash. Në llogaritë bankare të Sinanajt janë derdhur shuma të konsiderueshme parash.

 

Në banesë, policia i ka gjetur edhe fatura që 31-vjeçari nga Elbasani dyshohet se i ka marrë nga porositësit. Para se të merrte urdhrin për ekzekutim, ai ndiqte hap pas hapi prenë e tij. E fotografonte për t’i treguar porositësit nëse është apo jo objektivi i saktë. Më pas merrte të gjitha informacionet që i duheshin rreth familjes së viktimës së radhës, lëvizjet e tij, personat me të cilët shoqërohej, orarin kur kthehej në banesë, e gjithçka tjetër që i duhej. Pas mbledhjes së të dhënave, ai vepronte duke ekzekutuar personin që e ndiqte për disa kohë. Vizita e tij në Tiranë, më datë 25 janar, ishte për të kryer një tjetër krim me pasojë vdekjen. Policia kishte rënë në gjurmët e 31-vjeçarit dhe të aktivitetit të tij. Si pasojë e kësaj, kishte përgjuar edhe telefonatat e çdo lëvizjeje të dyshimtë të Julian Sinanajt. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë me dije se ai nuk vepronte i vetëm, por kishte si bashkëpunëtor edhe disa persona të tjerë, dy prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa pjesa tjetër janë shpallur persona në kërkim. “Makineria vrasëse” është arrestuar gjatë kohës që ka qenë duke ndjekur një biznesmen nga Tirana, me qëllim që ta ekzekutojë.

 

Në vrasjen e radhës, e cila ishte porositur, besohet se do të merrnin pjesë personi me inicialet N.Gj. dhe Marion Mitro. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur që të dështonte plani i vrasësve dhe të shpëtohej jeta e biznesmenit. Ndërkaq, Genis Bardhyl Mëhillaj, 43 vjeç, dhe Andon Mëhillaj, të cilët janë shpallur në kërkim, sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se ishin sekserët e vrasjeve. Dy kushërinjtë lidhnin porositësin me tre personat e lartpërmendur. Gjithashtu ata bënin pazaret, përcaktonin rregullat dhe gjithçka tjetër që u nevojitej ekzekutorëve. Për sa i përket vendosjes së lëndës eksplozive në automjetin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, dyshohet se është vendosur nga Mitro. Ky shtetas dyshohet se është porositësi i lëndës eksplozive që u vendos në automjetin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, me datë 13 dhjetor 2013 dhe që u zbulua në hyrje të godinës së Kryeministrisë. Sipas policisë, Mitro lëndën plasëse e ka siguruar nga Julian Sinanaj. “Gjeniu i tritoleve” i ka përgatitur lëndën plasëse të telekomanduar. Mjaftonte vetëm një thirrje në numrin e telefonit të instaluar me C4 dhe ngjarja do të merrte përmasa tragjike. Pasi Mitro ka paguar për tritolin, është larguar për ta vendosur në automjetin personal të Besnik Dervishit. E njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe me Fredo Berberin, kryetarin e Komunës Qendër në Vlorë.


Sekuestrimet

Ndërkaq, në banesën që Julian Sinanaj kishte me qira në Tiranë në afërsi të Gjykatës së Tiranës, është gjetur një arsenal i tërë armësh dhe lëndësh plasëse me telekomanda. Përveç armëve të zjarrit, të riut i janë gjetur një mori aparatesh celulare të markave të ndryshme, karta SIM, bateri telefoni, me të cilat ai formonte tritolet e telekomanduara. Ndërkaq, në banesë i janë gjetur dokumente greke dhe shqiptare, fatura lekësh, të cilat dyshohet se janë lëshuar nga porositësit, numra llogarish bankare, targa të huaja makine. Gjithashtu atij i janë sekuestruar tel përcjellës me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, shirita ngjitës, kaçavida të ndryshme për punime të imëta, çelësa të ndryshëm, gërshërë me dorezë plastike, pajisje elektrike inverter, bateri 12 volt. Një provë mjaft e vlefshme për zbardhjen e shumë krimeve, janë aparatet fotografike të vrasësit, me 6 karta memorie, në të cilat fotografonte prenë e tij. Arsenali i armëve ka qenë mjaft i pasur. Përveç pistoletave, granatave, e tritoleve, atij i është gjetur edhe një jelek antiplumb, veshje të ndryshme, doreza ebaniti për armë zjarri pistoletë, doreza të gomuara e të tjera pajisje profesionale, që i përdorte në ekzekutime.

 

Mediat greke

Dy të shumëkërkuarit merren në pyetje nga hetues të ardhur në Tiranë nga Athina. Arrestimi i Sinanajt dhe Kupës, rihapen shumë vrasje në Greqi

Aktivitetin e vrasjeve me pagesë, Julian Sinanaj e ka nisur që në shtetin fqinj, Greqi. Nga informacionet që disponojnë autoritetet shqiptare, thuhet se ai mund të ketë ekzekutuar mbi 20 persona. Lista e tij nuk përfundon vetëm me kaq në shtetin fqinj. Besohet se ai ka kryer edhe veprave të tjera penale të rënda, siç janë vendosja e tritoleve apo sulmet me armë. Pas arrestimit të Julian Sinanajt, një grup hetimor ka ardhur nga Greqia për të marrë në pyetje 31-vjeçarin, në lidhje me aktivitetin kriminal që ai ka kryer në shtetin fqinj.

Arrestimi i Julianit në Tiranë ka shkaktuar një alarm të ri në policinë greke. Kjo, për faktin se ai në deponimet e tij ka pohuar se ka vrarë në vitin 2011 në Athinë dy persona, ndërsa ka pasur lidhje edhe me organizatat terroriste greke. Siç bëjnë me dije mediat në Greqi, specialistët e policisë që kanë mbërritur nga Athina janë ndodhur para disa të dhënave, të cilat tani për tani nuk kanë lidhje me njëra-tjetrin dhe presin të vërtetojnë nëse ato që ka pohuar Sinanaj janë të vërteta.

Ajo që shkakton habi, është fakti se përse 31-vjeçari i lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë, që hynte e dilte shpeshherë në Greqi, pohon, përveç të tjerash, edhe vendosjen e një bombe në banjat e Gjykatës së Selanikut në vitin 2010, nga shpërthimi i së cilës rrezikuan jetën mbi 50 vetë që nuk kishin mundur të dilnin nga ndërtesa. Sinanaj ka pranuar edhe vrasjen e dy grekëve 35 dhe 45 vjeç, njëri prej të cilëve i lidhur me botën e krimit, kurse tjetri kalimtar i rastit. I ka vrarë duke i qëlluar me pistoletë në vitin 2011, sipas deponimeve të tij.

Ndërkohë, ekspertët grekë, të cilët kanë marrë në pyetje edhe të arratisurin e Burgut të Trikallasë, Ilir Kupa, presin të mësojnë më tepër detaje për këtë arratisje të bujshme të 11 të burgosurve shqiptarë, të ndihmuar edhe nga persona të armatosur jashtë burgut, disa prej të cilëve, siç pohojnë mediat greke, i përkisnin edhe familjes Sinanaj, me prejardhje nga Kruja. Shtypi grek ka disa ditë që fokusohet në këto dy arrestime të bujshme në Shqipëri, duke vënë theksin te arrestimi i Ilir Kupës, për të cilin shprehen se do të pranonte edhe të merrte përsipër një vepër penale në Shqipëri vetëm e vetëm që të mos ekstradohej, por tashmë me deponimet për krimet e kryera në Greqi edhe nga Julian Sinanaj, interesi është akoma më i madh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama