Policia ka arrestuar mbrëmjen e sotme kreun e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Florenc Hoxha, pasi akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Arrestimi i tij ka ardhur pas një sërë denoncimesh të bëra nga qytetarët. Janë 6 procedime penale pas denoncimeve të bëra nga qytetarët për raste të ndërtimeve pa leje, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Personi që gjendet në krye të Inspektoratit Ndërtimor në Tiranë prej shumë kohësh është në qendër të akuzave dhe të denoncimeve, pasi ka ushtruar dhunë disa herë mbi qytetarët, por mbrëmjen e djeshme ai është vënë në pranga.
Nuk bëhet me dije se cili është rasti që ka çuar në pranga Hoxhën, por saktësohet se aktualisht ndaj tij janë regjistruar plot 6 procedime penale, ndërsa mbi të bie edhe akuza e shpërdorimit të detyrës. Një burim policor i tha ‘Shekullit’ se akuza e shpërdorimit të detyrës lidhet me korrupsionin që ka ushtruar funksionari i pushtetit lokal më të madh në vend, ndërkohë që pritet Prokuroria të publikojë edhe faktet që kanë çuar Hoxhën në polici.
Florenc Hoxha është shoqëruar edhe vitin e kaluar, ku gjatë një përplasjeje me punonjësit e tregut të “Uzinës Dinamo”, Hoxha kërkoi shembjen dhe largimin e tregut nga ato ambiente. Aso kohe, numri dy i policisë së Tiranës kërkoi shoqërimin e tij dhe ndërhyrjen për të qetësuar situatën, ndërsa pati edhe një përplasje mes dy policeve, asaj të rendit dhe asaj bashkiake.
Gjithashtu Florenc Hoxha, i njohur si një ndër personat më besnik të Lulzim Bashës, u akuzua edhe nga dy punonjëse të Bashkisë pasi ai kishte ushtruar dhunë ndaj tyre, por ndaj Hoxhës nuk u mor asnjë masë edhe pse ndaj tij u bënë kallëzime penale dhe publike.