Arrestohet Imami Shefqet Krasniqi dyshohet si frymezues i ekstremizmit islamik

Arrestohet Imami Shefqet Krasniqi, dyshohet si frymezues i ekstremizmit islamik

Imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit, pasi dyshohet të jetë frymëzues i ekstremizmit islamik. Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e Imamit, ndërkohë që ende nuk dihen motivet e sakta të arrestimit të tij. Dyshimet e para shkojnë drejt nxitjes së xhihadit, pasi emri i Krasniqit është përfolur në të kaluarën për shtyrjen e myslimanëve drejt luftës në Siri përkrah grupit ekstremist ISIS.

Fenomeni i ekstremizmit islamik është përhapur shumë në Kosovë kohët e fundit. Vetëm pak javë më parë, polica e Kosovës ka arrestuar më shumë se 40 të dyshuar për terrorizëm, nën akuzën e tentativës së bashkimit me grupet terroriste islamike, si ISIS e Al Nusra, në Siri e Irak.

Kosova është në prag të miratimit të një ligji i cili dënon me 15 vjet burg pjesëmarrjen në luftëra të huaja, përkrah grupeve terroriste. Dy ditë më parë “The Telegraph” publikoi një studim të fundit të bërë për 25 vende të botës, mes të cilëve për Shqipërinë dhe Kosovën, i cili tregonte  se janë 300 shqiptarë që kanë shkuar në Siri për të luftuar përkrah ekstremistëve atje, dhe 150 persona janë vetëm nga Kosova.

Ekstremizmi islamik është cilësuar si një rrezik global, prandaj vendet demokratike u kanë bërë thirrje të gjitha vendeve të botës që t’i bashkojnë forcat për ta parandaluar atë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama