Arrihet marrëveshja miqësore për zgjidhjen e situatës ndërmjet qeverisë shqiptare dhe CEZ. Pritet të investohen mbi 200 milionë dollarë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Kompania CEZ do të paguajë 95 milionë euro. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, ndërmjetësues mes palëve ka qenë Dirk Buschle, zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
“Arritja e një marrëveshje është rezultat i negociatave të gjata lidhur nga palët në mirëbesim me ndërmjetësimin e Z. Dirk Buschle, zëvendësdrejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Austri. Negociatat u mbajtën në ambientet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Me anë të kësaj marrëveshje zgjidhen të gjitha pretendimet mes grupit CEZ nga njëra anë, dhe Republikës së Shqipërisë nga ana tjetër në lidhje me investimet e CEZ-it për CEZ Shpërndarje, dhe sektorin e energjisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e përbashkët për shtyp.
“Sipas kërkesave të ligjeve shqiptare, termat e përfundimit të marrëveshjes do të bëhen të ditura gjatë procesit të miratimit përfundimtar nga autoritetet shqiptare. Të dyja palët zotohen se kjo marrëveshje nuk përmban asnjë element të paligjshëm nga secila prej palëve”, përfundon deklarata.
Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri bëri të ditur se pala çeke heq dorë plotësisht nga pretendimet financiare nga çdo blerje që do i bëhet CEZ-it, duke i dhënë shtetit shqiptar pronësi të plotë mbi këtë kompani. Gjithashtu, ministri theksoi se pala shqiptare inkurajoi zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me CEZ duke shprehur bindjen se kjo zgjidhje miqësore do të përmirësojë dukshëm imazhin e Shqipërisë në procesin e marrjes së statusit.
Ndërsa ministri i Financave Shkëlqim Cani, evidentoi se shuma e 95 milionë eurove që do i paguhen CEZ-it do bëhen nga kompania CEZ, dhe jo nga qeveria shqiptare. Shuma do të shlyhet me këste në harkun kohor 2014-2018. Kjo marrëveshje konsiderohet si një arritje për palën shqiptare, pasi është shmangur procedura e arbitrazhit. Arritja e kësaj marrëveshjeje i hap rrugë investimeve në këtë sektor, të cilat mbetën pezull për më shumë se dy vjet.
Sistemi i shpërndarjes se energjisë elektrike u privatizua ne vitin 2009, për një shumë prej 102 milion eurosh. Në atë kohë, Çekia kishte presidencën e radhës se Bashkimit Evropian dhe ish-kryeministri Berisha dorëzoi aplikimin për statusin e vendit kandidat. Që nga viti 2009 e deri në janar të vitit 2013 kur Enti Rregullator i Energjisë i hoqi licencën kompanisë, marrëdhëniet mes CEZ-it dhe shtetit shqiptar kanë qenë të ndërlikuara. Gjatë kohës se menaxhimit të kompanisë nga çeket, CEZ nuk arriti të përmirësonte treguesit, nivelin e humbjeve apo rritjen e arkëtimeve.
Konflikti u thellua edhe më shumë teksa CEZ nëpërmjet një grupi pune, nisi mbledhjen me forcë të borxheve tek abonentët familjarë, proces ky i cili krijoi konflikt me policinë e shtetit. CEZ vendosi të mos paguante më Koorporatën Elektronergjitike për energjinë që merrte, dhe i gjithë sistemi hyri në një borxh që sot përllogaritet mbi 700 milionë euro