TIRANË, 18 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Komisioni parlamentar për dekriminalizimin do të dalë me një draft të përbashkët, pasi mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësinë mes tyre.
Sipas lajmit të bërë të ditur nga mediat në vend, Ministria e Shtetit Ermonela Felaj dhe Kryetari i Komisionit për dekriminalizimin, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi kanë arritur marrëveshjen për draftin e përbashkët, ku nuk parashikohet testi i drogës, edhe pse mësohet se kjo pikë do t'i kalojë Kuvendit për diskutim.
Drafti i plotë, bëhet me dije në media, do të bëhet publik ditën e premte në orën 9:00, gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm për dekriminalizimin.
Mësohet se palët kanë rënë dakord për shumë kërkesa të tjera të Partisë Demokratike, përfshirë edhe verifikimin e shenjave të gishtërinjve, të cilin opozita e sheh si mënyrën e vetme të sigurtë për identifikimin e personave me të shkuar kriminale, që kanë e përdorur disa identitete.
Mediat sqarojnë se pjesë e dakordësisë është dhe fakti se me hyrjen në fuqi të ligjit efektet do të jenë të menjëhershme, çka do të sjellë, ndërprerje e mandateve për të zgjedhurit apo zyrtarët që rezultojnë se janë dënuar brenda dhe jashtë vendit, që për ta janë lëshuar masa arresti, kërkohen ndërkombëtarisht apo janë dëbuar për krime.
Po ashtu, ky ligj do të ndalojë dhe kandidimin në të ardhmen të personave me precedent penal. /a.g/