Arshi Pipa pas Kongresit: Gegërishtja praktikisht e vdekur
"Ky libër duhet të ishte shkrue kohë mâ parë, kur debatohej dhe vendosej çështja e standartizimit të gjuhës shqipe. Por në atë kohë, unë ndodhesha në burg, sepse kisha fye regjimin Stalinist. Vjet mâ vonë, në mërgim, puna ime studimore qe kushtzue prej detyrimesh profesionale si italianist që isha. Dhe kur, në vjetët '60, e ktheva vëmendjen kah kultura shqiptare, unë u dhashë mâ fort mbas letërsisë sesa mbas gjuhës. U bana i ndjeshëm për punët e gjuhës në Shqipni prej shkrimesh që shpërndanin mërgimtarë kroatë lidhë me çështjen e gjuhës kroate."
Duket se botimi i një libri që merrej me çështje të shqipes, nisur nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), i kish mbetur peng Arshi Pipës (1920-1997), deri sa shkroi "Politika e gjuhës në Shqipninë Socialiste" (Princi, 2010).
Libri është botuar fillimisht në gjuhën angleze, nga Columbia University Press, Nju Jork më 1989. U deshën mbi 20 vjet t'i vinte në dorë atyre për të cilët është shkruar. Botuesi Myftar Gjana në prezantimin e librit dje në Panair, bashkë me Fehime Pipën (motra), përkthyesin Primo Shllaku dhe gjuhëtaren Ledi Shamku-Shkreli.
Fehimja, që ka qenë gjatë në krah të të vëllait në Amerikë, që pas arratisjes nga Shqipëria më 1957, me një zë të vogël e të shtruar, tregoi se i vëllai, "tanë punën që e ka ba, e ka ba për të mirën e këtij vendi". Ajo tregon që Arshi Pipa nuk u ndal kurrë së shkruari, as në kohën e burgut ku shkroi "Librin e Burgut", e lirikat, e më vonë kur punonte për futjen e shqipes si folklor, si gjuhë dhe si letërsi, në shkollën amerikane. Tani vjen në shqip edhe "Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste", për të cilin zonjës Pipa i vjen mirë që është shqipëruar në dy variante: në gegërisht dhe në shqipe standarte. Kjo simbolikë i sjell në mendje studiueses Ledi Shamku-Shkrelit, "thënien e Galileit, e megjithatë ajo rrotullohet".
"Ja ku jemi në atë moment të komunikimit shqip, të cilin shqipja nuk e ka pasur ndonjëherë siç e ka sot. Pavarësisht nga standartet, e kufijtë e paqenë, komunikimi shqip nuk ka qenë ndonjëherë në ditë më të mirë se sot. Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini, të gjitha trevat ku sot flitet shqip, janë në komunikim me njëra-tjetrën, pa kurrfarë pengese. Shqipja sot merr frymë jo vetëm me dy mushkëritë e veta, por edhe me të gjitha indet", shprehet Shkreli, që e ka pritur me kohë ardhjen e Arshi Pipës në gjuhësinë shqipe.
Studiuesja, si edhe të tjerë në sallë, mendon që së pari rëndësia e kësaj vepre qëndron te botimi në shqipe i saj, sepse "më e mira në të tilla raste është që autori të flasë vetë".
I një mendje është edhe poeti Primo Shllaku: "Le të njihet kjo vepër e ndaluar, e bllokuar, si pjesa më radikale, më diabolike e Arshi Pipës".
Shllaku tregon se në kohën kur shkruante veprën, Pipa e mendonte çështjen e gegërishtes "tragjikisht të mbyllur dhe i doli dramatikisht e hapur". Këtë e thotë vetë studiuesi në parathënien e librit. "Sot për sot, gegënishtja âsht praktikisht e vdekun. Shkatrrimi i saj erdhi mbas nji fushate sistematike terrori kundër individësh e grupesh gegë antikomunistë: oficerë të mbretit Zog (mbreti Zog vetë ishte gegë), bashkpuntorë të sistemit fashist e nazist (shumica gegë), kleri (shumica katolikë, psuen goditjen ma të randë të nji Partie ateiste", intelektualë që guxuen me i thanë jo regjimit Stalinist dhe, madje, edhe njerz të thjeshtë e fshatarë që disi banë nji farë qëndrese. Shkurt, heqja nga qarkullimi i gegnishtes letrare e gjen spjegimin e vet te antigegizmi mâ i errët i udhëheqjes toske staliniste", pohon Pipa.
Te "Politika e Gjuhës në Shqipninë Socialiste", Arshi Pipa bën një analizë fonologjike, morfologjike mes dy dialekteve, bën analiza për "Spastrimin e Gjuhës së Njëhsuar Letrare ndaj leksikur gegë", bën krahasime me "revolucionet kulturore" që kanë ndodhur në vende të tjera të Lindjes etj. Ai e tregon kështu shembullin e Rusisë:
"Vetëm nji udhëheqje gjysmë e arsimueme, mund ta ndërmerrte nji sezonë si kjo, tue lanë jashtë kritike edhe vetë Stalinin, i cili megjithë përziemjen e tij amatoreske në një fushë krejt të huej për tê, e pati mençuninë me thanë se ndryshimet cilësore në gjuhë "lypin" shekuj dhe se nocioni i "revolucioneve të befasishme" në fushë të gjuhsisë âsht "qesharak". Sezonë âsht fjalë e papërshtatshme sepse shqipja standart, âsht nji koktejl doktrinash kundërthanëse, njena prej të cilave, âsht doktrina e re e Marr-it, i cili shpiku idenë e revolucionit gjuhsor. Marr-i sundoi mbi gjuhsinë sovjetike ashtu sikurse Stalini sundoi shtetin sovjetik. Tingllon mjaft ironike që ishte Stalini, ai që e shpartalloi Marr-in dhe pikërisht për atë vepër, prej të cilës gjuhtarët shqiptarë thithën argumentat për sajimin e ShNjL (Shqipja e Njëhsuar Letrare)".
Intervistë me gjuhëtaren Ledi Shamku-Shkreli:
Ku qëndron rëndësia e botimit shqip të kësaj vepre?
Qëndron në faktin që kjo vepër vjen mes nesh. Deri në vitin '90, publikisht ka qenë një grupim njerëzish që anatemonin Arshi Pipën me fjalët e Arshiut, por të shkëputura dhe interpretuara sipas oreksit të secilit. Pas '90-ës, me rënien e mureve u ballafaquan dy grupe njerëzish, disa që vijonin ta shanin, dhe disa që e mbronin. Më e mira në të tilla raste është që autori të flas vetë. Kështu që rëndësia e saj në radhë të parë është që vjen në shqip. Pra secili nga ne ka mundësinë të gjykojë mbasi të ketë lexuar Arshiun.
Nuk është problemi që kjo vepër nuk ka qenë e përkthyer, jo ajo mirëfilli nuk ka qenë! Ka munguar si vepër krejtësisht. Përveçse në anglisht, ajo ishte e internuar në një skaj të dijes. Ndërsa tani, posë se kthehet në gjuhën amtare, ajo vjen edhe në logun ku diskutohet për shqipen.
Mendoni se do të rikthejë sërish diskutime mes gjuhëtarëve?
Këto diskutime kanë kohë që bëhen e kurrë ndonjëherë nuk kanë qenë më të gjalla se sot. Madje nga sa duket do të intensifikohen. Pa këto diskutime as Pipa "i ndaluar" nuk do ish përkthyer. Më gjatë se kudo tjetër komunizmi këtu tek ne ka mbijetuar në gjuhësi, dhe kjo është e kuptueshme. Sot qëndrimi ndaj gjuhës shqipe nënkupton në thelb qëndrim ndaj demokracisë.
Në çështjen e demokracisë së gjuhës Arshi Pipa nuk ka qenë i vetëm. Krahas tij, Koliqit, Camajt etj, kanë qenë edhe mjaft autorë të huaj (po veçoj syresh amerikanen Janet Byron) të cilët, në këtë proces normëzues, që do të krijonte një standart tjetër nga ai i Komisisë Letrare, analizuan vullnetin ideologjik, që shpërfilli pa kriter argumentin shkencor.
Një mit i gënjeshtërt, i ndërtuar nga komunizmi, dhe i përkrahur fatkeqësisht nga lagjja e re e gjuhëtarëve shqiptarë, qe që çlirimi i vendit e gjeti shqipen pa standart zyrtar.
Në fillim kjo nuk u tha, më pas u pëshpërit nën zë, dhe me shuarjen e gjuhëtarëve të mëdhenj zuri vend si tezë a priori. Duket absurditet, por ky mit i rrejshëm gjallon ende sot.
Kur një gjuhë standartizohet, natyrisht janë pranuar në përgjithësi kriteret e Garwinit, ndër të cilët, vetëm njëri është politik. Por nuk mundet dot që njëri ndër kriteret ai politiku, të diktojë edhe mbi kriteret e tjera, të cilat kanë natyrë gjuhësore, historike, gjeografike etj. Kjo sjell pashmangësisht anomali gjuhësore. Anomali prej të cilave sot të gjithë qahen, ndonëse nga pozicione të ndryshme. Gjithsesi ajo që mbetet është se gjuha shqipe paraqet probleme që duhen zgjidhur.
Me çfarë argumentesh i mbron Pipa këto ide në veprën e tij?
Në këtë libër merren në analizë të gjitha argumentet jashtë-gjuhësore, ose thënë shqip, argumentet ideologjike të cilat kishin në bazë atë vullnet të mbrapshtë politik, që u drejtua me shumë forcë kundër Veriut shqiptar, dhe në mënyrë të veçantë kundër elitës shkodrane, laike dhe klerike. Çka është për të ardhur keq, dhe që Pipa ka guximin ta thotë, është se Partia Komuniste e Shqipërisë deri në 1948-ën i bënte fresk politikës antishqiptare të Jugosllavisë, segmente të caktuara të së cilës, që ushqeheshin nga ideologji të vjetra serbomadhe, i kishin parë elitat tona veriake si pengesën kryesore të depërtimit sllav në zonat e Republikës së Shqipërisë që ata i synonin prej kohësh. Kjo është një e vërtetë shumë e hidhur që pati peshë të madhe qysh në krye të herës edhe në politikat gjuhësore.
Kështu u krijua një standart tjetër nga ai kod zyrtar që ishte në fuqi deri në 1944-ën. Them kod zyrtar, pasi njerëz që kontribuan në formësimin dhe lëmimin e vijuar të e tij sikundër Xhuvani, Kamsi, Cabej etj, nuk guxuan, për shkak të objektivitetit shkencor, ta shpallnin atë edhe si Normë Letrare Kombëtare.
E megjithatë, edhe pse u rishpik standarti zyrtar, gjithsesi nuk kish asnjë arsye shkencore që Norma Letrare t'i nënshtrohej me pahir këtij kodi. Ajo nuk u desh barazuar me të, pasi ky i fundit nuk është një gjuhë, është një varietet, i cili mund të shërbejë për të hartuar që nga manualet e përdorimit të lavatriçes e deri te ligjet e larta të shtetit, por nuk ka punë me krijesën e shpirtit, siç është letërsia.
Një argumentim të tillë do ta gjeni te vepra e Arshiut; do të gjeni të ndara pastër këto madhësi të komunikimit, e po ashtu do gjeni të zbardhura mëkatet e kryera në gjuhën shqipe si dhe manipulimet e një politike të mbrapshtë gjuhësore, e cila, duke shpërfillur shkencën, përzgjodhi si gjuhë letrare vetëm një gjysmë të gjuhës shqipe, madje më pak se gjysmën. E nuk u mjaftua por duke shkelë sërish mbi shkencën, e barazoi këtë varietet, me një trashëgimi shumë të madhe e shumë më të moçme siç është gjuha e përbashkët shqipe, e cila kish funksionuar gjithnjë si një gjuhë letërsie.
Kjo ngutì antishkencore shkonte në kah të kundërt me atë evolucion të gjatë që sugjeron dija mbi gjuhën, apo për ta thënë me fjalët e Koliqit shqipja e njësuar "duhej t'ishte nji përftesë e vetvetishme e lavrimit të vijuem të çdo kandi".
Nuk ka ngut në punët e gjuhës. Kur nguti merr fuqi diktuese, siç i ndodhi punëve të shqipes, është thjesht e vetëm për shtysa ideologjike, dhe këto shtysa Arshi Pipa i merr në analizë, kthjellët dhe troç. Ndaj tij do të vijojë me pasë qëndrime kundra e qëndrime pro sërish, por së paku tash e mbrama Arshiu do të flasë vetë, pa dragomanë.