Arsimi i Lartë në Shqipëri ka nevojë për një reformë rrënjësore. Problematikat që ka pasur ai gjatë viteve të fundit janë paraqitur në një raport të detajuar në periudhën kohore të 4 muajve të fundit nga Komisioni për Arsimin e Lartë. Kryetari i Komisionit, Arjan Gjonça thotë se sfida e parë e këtij Komisioni ishte ndryshimi i sistemit, i cili në kuadrin e një sfide nuk ka qenë shumë i lehtë.
“Është e rëndësishme që të flasim edhe për transformimin individual. Kush është Arsimi i Lartë në Shqipëri? Jemi ne dhe studentët tanë. Është shoqëria shqiptare. Komisioni ka shfletuar me dhjetëra dokumentacione. Qëllimi kryesor i kësaj reforme është sesi të arrijmë të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies dhe cilësinë e Arsimit të Lartë, programeve dhe strukturës organizative. Ne duam një arsim të lartë që jo vetëm të shkojë krah për krah me zhvillimin e vendit dhe t’i përqaset tregut të punës, por edhe një arsim të lartë që t’i paraprijë zhvillimit të vendit. Një tjetër qëllim i reformës është unifikimi dhe standardizimi i sistemit. A kemi ne një sistem të Arsimit të Lartë? Me gjithë përpjekjet tona për të futur sistemin e Bolonjës, të cilin Shqipëria e ka akredituar, unë bashkë me kolegët e mi e kishim shumë të vështirë që të jepnim një përgjigje kësaj pyetje. Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një sistem të unifikuar dhe të standardizuar dhe kjo kërkon kohë dhe përpjekje për t’u arritur. Ne kemi një sistem, i cili nuk është i mirëfinancuar dhe këtë e pranojmë të gjithë. Nuk është i mirëfinancuar nga qeveria dhe nuk përdoren aspak burime të tjera financimi. Ne kërkojmë një sistem të qëndrueshëm afatgjatë, që të sigurojë një qëndrueshmëri nga ana financiare dhe të përballet me sfidat organizative, një sistem, i cili të mos ndryshojë sa herë që ne kemi kriza financiare ekonomike”.
Konkurrenca dhe studimi shkencor, thelbësore për zhvillimin e arsimit Komisioni ka vlerësuar në raport se konkurrenca dhe studimi shkencor duhet të jenë dy parimet kryesore, të cilat do të shërbejnë në zhvillimin e arsimit. Gjonça citon se dy elemente të rëndësishme të jetës sonë, shëndeti dhe arsimimi janë të drejta njerëzore.
“Në rast se për të parën, çdo njeri duhet ta ketë të qëndrueshëm dhe të siguruar, të dytën çdo njeri duhet ta ketë, por me një ndryshim të vogël, mbi bazën e meritës. Ky është një parim shumë i rëndësishëm që ne e patëm në diskutimet tona. Një tjetër parim është ai i mundësive të barabarta për të gjithë. Është shumë e rëndësishme që ne të jemi në gjendje që ai që e meriton të shkojë në universitet, pra t’i ofrohet mundësia e arsimimit, të ketë mundësi. Pavarësisht nga gjendja ekonomike që mund të ketë individi, ne duhet të jemi në gjendje ta financojmë. Në bazë të zhvillimit të sotëm shoqëror dhe ekonomik, sot është konkurrenca. Një nga elementet që kërkojmë të adresojmë në këtë reformë është futja e konkurrencës në çdo nivel, tek individi, te pedagogu që të konkurrojë për fondet, që të bëjë kërkimin shkencor dhe te departamenti, për krijimin e programeve kompetitive. Arsimit të Lartë i ka munguar integrimi i mësimdhënies dhe studimit shkencor. Ne nuk jemi vetëm mësues, por edhe kërkues shkencorë dhe është e rëndësishme që këto të dyja të bëhen bashkë dhe studenti të mësohet, jo thjesht nga një pedagog i mirë, por nga një kërkues shkencor i mirë”.
Reforma strukturore e Arsimit të Lartë
“Ajo që menduam në reformimin e strukturës së Arsimit të Lartë ishte autonomia e plotë institucionale. Është e rëndësishme që të fusim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies. Nuk duhet të kemi një sistem me burokraci të rënduar. Organizmat e rinj duhet të jenë sa më efikase, të vegjël dhe efektivë. Kushtetuta jonë e thotë qartë që duhet të ketë një autonomi të IALP-së. Duhet të kemi një ndarje të kompetencave akademike nga ato financiare, siç ka një pjesë e madhe e vendeve të zhvilluara në botë. Një nga problemet që kemi ne është që kemi një pleksje të të dy elementeve. Duhet t’i nxisim pedagogët tanë që të bëjnë punë kërkimore shkencore. Kjo nuk bëhet duke u shtuar atyre orët e mësimit, por duke i dhënë orë të çmuara dhe duke i mbështetur në çdo aspekt”, - shprehet Gjonça.
Studimi part-time, tejkalon sistemin me kohë të plotë
Në vitet e tranzicionit Arsimi i Lartë në Shqipëri, si në të gjitha vendet e zhvilluara konsiderohet një shërbim i mirë publik dhe si rrjedhojë një nga qëllimet e kësaj reforme është të krijojë premisat për një arsim që t’u përgjigjet nevojave të tregut të punës si dhe zhvillimit strategjik të vendit. Një nga problemet e sistemit të sotëm është se nuk ka pasur një strukturë dhe ende nuk ka një strategji, një politikë të qartë zhvillimore dhe një model të arsimit tonë të lartë. Nuk është kryer në rang kombëtar një analizë e mundësive reale që ka vendi për punësim, zhvillim dhe orientim të sistemit të lartë drejt përmbushjes së nevojave aktuale, apo në të ardhmen, sipas nevojave të tregut.
Në IALtë tona ka ndryshime të mëdha në numër studentësh, apo programesh të ofruara midis vetë institucioneve. Ky fakt sjell problematikën e pamundësisë financiare për mbulimin e kostove dhe sigurimin e standardeve minimale të mësimdhënies, pa folur për kërkimin shkencor apo aktivitete të tjera. Sistemi privat i Arsimit të Lartë paraqitet i fragmentuar. Sot, 44 IAL private mbajnë vetëm 20 për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve në rang vendi. Ka filiale të hapura pa kriter dhe jashtë logjikës ekonomike e institucionale që krijojnë konkurrencë të panevojshme e të dëmshme, madje brenda vetë IAL-ve publike.
Pranimi në universitet karakterizohet nga politika pjesërisht të kontrolluara në sistemin publik (të paktën për programet e preferuara), pothuajse pa kritere e kontrolle në sektorin privat, madje edhe për fushat e veçanta të rregulluara dhe sipas niveleve të cikleve të studimit. Kurrikulat janë të pa harmonizuara në nivel kombëtar për të njëjtat programe sipas emërtimit, llojit dhe niveleve, apo titujve të studimit. Zgjerimi i sistemit me kohë të pjesshme, pa kriter e pa politika, e ka kthyer atë në sistem kryesor arsimimi (nga dytësor në vitet e mëparshme) dhe kundër qëllimit për të cilin ekziston, si mundësi alternative për ata që janë në marrëdhënie pune. Me gjithë politikat masiviste (në praktikë) për kualifikimin e stafeve akademike, dhe që lënë hapësira interpretuese, ato çuan në një rritje të pakuptimtë të shkallës së kualifikimit të stafit akademik.
Në universitete ende blihen diploma
Aktualisht sistemi shqiptar i Arsimit të Lartë paraqet konfigurimin e mëposhtëm: Gjithsej 59 Institucione të Arsimit të Lartë, 15 publike dhe 44 private. Ndër to, 19 gëzojnë statusin universitet (12 publike dhe 7 private), 5 statusin kolegj (të gjitha private), 26 shkolla të larta (të gjitha private), 8 akademi (2 publike dhe 6 private), 1 institut (publik, qendër ndëruniversitare) dhe 17 filiale (5 IALe publike dhe 12 IAL-e private). Numri i programeve të ofruara gjithsej është rreth 1500, nga të cilat rreth 700 të ofruara nga IAL publike dhe pak më shumë nga IAL-të private. Të ndara sipas nivelit të studimit, janë; rreth 650 programe Bachelor, rreth 250 Master Profesional, rreth 350 Master Shkencor, dhe rreth 100 programe të ciklit të tretë Doktoratë dhe specializime afatgjata.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, e pranishme në raportin e parë për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, e quajti këtë reformë hapin më të domosdoshëm për Arsimin e Lartë. Sipas Nikollës, hartimit të kësaj reforme i është dhënë e gjithë mbështetja nga Ministria e Arsimit.
“Blerja e diplomave karakterizon tregun e Arsimit të Lartë. Kjo reformë na përket të gjithëve, pasi na prek të gjithëve, Jo vetëm reforma, por edhe procesi. Periudha prill-maj do të jetë periudhë diskutimi, për sa i takon kësaj reforme. E me pas do miratojmë ligjin. Do nisim reformë integrale që nga sistemi parashkollor. Ejani të diskutojmë sot për reformimin e Arsimit të Lartë, pra të diskutosh mbi të ardhmen e vendit, që na përket të gjithëve”, u shpreh Nikolla.
Ky raport, përgatitur nga Komisioni i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, është produkt i punës për gjatë periudhës kohore Janar - Prill 2014.