Shqipëria është sot praktikisht vendi me shifrat më të çmendura të studentëve që ndjekin arsimin e lartë. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, 73 përqind e maturantëve të sapodalë nga bankat e shkollave të mesme u regjistruan ne universitetet publike këtë vit akademik. Aktualisht janë rreth 31 mijë studentë të tillë, nga rreth 42 mijë maturantë, pa llogaritur këtu ata që janë regjistruar në universitetet private apo ata që kanë shkuar të studiojnë jashtë shtetit. Praktikisht në Shqipëri janë të gjitha gjasat të mos mbetet askush pa shkollë të lartë. Kjo është një çmenduri ekskluzivisht shqiptare, e paparë në asnjë vend tjetër. Së shpejti, pritet të kemi fshesaxhinj, hamej, punëtorë krahu me shkollë të lartë, e pse jo, edhe me master.
Reforma në arsim e ndërmarrë nga qeveria Berisha, rezulton një nga krimet më të mëdha që i është bërë shoqërisë shqiptare viteve të fundit. Politika e ndjekur nga ajo ka qenë ajo e masivizimit të universitetit, e aplikuar për qëllime elektorale. Vetë ish-Kryeministri është mburrur vazhdimisht për shtimin e numrit të kuotave të pranimit në universitetet publike, si dhe për shtimin e jashtëzakonshëm të universiteteve private. Kuotat e universiteteve u rritën nga viti në vit me ritme të jashtëzakonshme, ndërkohë që infrastruktura në dispozicion ka qenë krejtësisht e pamjaftueshme.
Shteti si dhe vetë shoqëria shqiptare nuk ka në dispozicion as kuadro të mjaftueshëm pedagogjikë, as hapësira fizike për zhvillimin e orëve mësimore, as kurrikulat e duhura e as një sistem efikas për një masivizim të tillë. Aktualisht kemi një sistem arsimor të mjeruar, me klasa të mbingopura, me fakultete që zhvillojnë mësim me turne, nga mëngjesi deri darkë, ku shpesh pedagogët nuk gjejnë dot klasë ku ti zhvillojnë orët, teksa mungojnë masivisht laboratorët, mundësitë për zhvillimin e praktikave mësimore, e madje mungojnë edhe tekstet e leksioneve, të cilat janë rëndom të pazhvilluara e papërditësuara me prurjet më të reja shkencore. Nuk po ia lejojmë këtu vetes luksin të kërkojmë mundësi reale për të bërë shkencë, projekte studimore kërkimore, gjëra këto krejt normale e të padiskutueshme për çdo universitet në botë. Universitetet tona, janë shndërruar në kurse gjysëmprofesionale trevjeçare, në zanate të ndryshme.
Zgjerimi i numrit të studentëve ka sjellë edhe nevojën e shtimit të departameteve dhe degëve të ofruara, pa pasur asnjë kapacitet akademik që ka aftësi t’i përgjigjet këtyre kërkesave. Aktualisht kemi degë masteri, psh. në psikologji, që në kurrikulat e tyre ofrojnë thjesht një hyrje të përgjithshme në këtë fushë, në vend të specializimit në drejtime shkencore ngushtësisht të përcaktuara. As që bëhet fjalë për të kërkuar një sistem të orientuar drejt tregut, zhvillimit të mendimit, kërkimit shkencor e zhvillimit profesional. Gjithçka që ofrojnë universitetet shqiptare, janë një pirg njohurish të përgjithshme, të pasistemuara, të pa seleksionuara e të paorientuara drejt zbatueshmërisë, të cilat nuk mund t’i japin studentit zanat.
Nga ana tjetër, universitetet private janë shndërruar tashmë në piramida që fabrikojnë diploma pa vlerë. Qeveria e mëparëshme ka bërë sikur ka ashpërsuar kriteret e licensimit dhe akreditimit të tyre, por e vërteta është se nuk ka mbetur kioskë që ofron aktivitet arsimor pa u licensuar e akredituar, madje edhe në degë shumë problematike, që kërkojnë kushte tepër rigoroze, si psh. mjekësia, ku minimalisht kërkohet një numër i caktuar shtretërish spitalorë në dispozicion për ushtrimin e praktikave mësimore. Shumë universitete të tillë janë akredituar ndërsa e zhvillojnë procesin mësimor thuajse krejtësisht me shënime, pa prekur kurrë të sëmurë as makete, as laboratorë, as aparatura e as të sëmurë me dorë.
Analfabetë me diplomë
Masivizimi i arsimit natyrisht që ka sjellë rënien drastike të nivelit të studentëve. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një sistem universitar, ku pjesa dërrmuese nuk ka asnjë lidhje me universitetin. Shumë pedagogë, sidomos në universitetet private, ndeshen çdo ditë me fenomene të pabesueshme, material i gjallë për prodhim barcaletash, në lidhje nivelin e studentëve të sotëm. Kemi studentë shkencash politike që nuk dinë të thonë emrin e as edhe një autori të vetëm politolog, ndërsa kemi studentë juridiku që nuk dinë se çdo të thotë gjykim kolegjial, apo që mendojnë se avokati nuk është jurist.
Në fakt, degradimi fillon që në shkollë të mesme. Po rrisim një brez që nuk prek më libër me dorë, dhe qëka probleme serioze edhe me normat elementare të etikës në shkollë, ku shumica e ka të vështirë të dallojë edhe ndryshimin e statusit shoqëror me pedagogët, duke u shfaqur të paaftë të dallojnë mënyrën e komunikimit midis tyre dhe shokëve të klasës. Performanca në procesin mësimor është për të ardhur keq.Shumica prej tyre nuk ka vullnetin të lexojë as 50 faqe leksione gjatë sezonit për të marrë provimin, teksa të gjithë kanë pretendime për të dalë me nota të mira. Nga ky këndvështrim, do të duhej që numri i studentëve në universitet të reduktohej, në krahasim me atë të para viteve ‘90, e jo të zgjerohej e liberalizohej në të tilla përmasa.
E keqja ështëse trendi duket se po shkon gjithnjë e më shumë drejt rënies. Nga 1000 nxënës të mbetur në provimet e maturës shtetërore të vitit të kaluar, gjatë këtij viti ky numër shkoi në rreth 1500 të tillë. Ministria e Arsimit raporton gjithashtu se një masë mjaft e madhe nxënësish janë vlerësuar me notën 5 dhe gjashtë, ndërkohë që pikët totale kanë arritur t’i kapin vetëm 40 nxënës në rang vendi. Pra, megjithëse niveli ka rënë në krahasim me një vit më parë, kutotat e pranimit në universitet janë rritur. Të dhënat tregojnë më pas, për dështim të ndjeshëm në rezultate pas regjistrimit në universitet, megjithë uljen drastike të rreptësisë së vlerësimit. Gjatë vitit akademik 2011-2012, rreth 50 përqind e studentëve rezultuan mbetës në vitin e parë në Universitet, megjithë inflacionin e notave të viteve të fundit dhe rritjen e predispozicionit të pedagogëve për t’i kaluar.
Kjo rritje sasiore dhe ky zhvleftësim në cilësinë e arsimit janë shkatërrues për çdo shoqëri. Kemi të bëjmë sot me një brez të rinjsh të përkëdhelur, të paaftë, të palexuar, të mësuar t’i arrijnë gjërat me lehtësi e ta gjejnë rrugën të shtruar, të cilët kërkojnë të gjithë që nesër të kryejnë punë intelektuale. Pjesa më e madhe prej tyre, mendojnëse do të arrijnë të çajnë me miqësi apo me mjete korruptive në tregun e punës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme shfaqen të gatshëm të bëhen kontigjent i angazhimit në politikë, në shërbim të partive.
Një studim i kryer nga fondacioni SOROS për rininë tregon nivele të larta të një mendësie të tillë tek të rinjtë shqiptarë, të cilët aspirojnë masivisht të punojnë në shtet, duke shpresuar prej njohjeve dhe lidhjeve me njerëz të pushtetit. Kjo situatë pritet të deformojë krejtësisht tregun e punës duke krijuar rrënim të vlerave reale të punësimit, si dhe krijimin e një mase të madhe njerëzish të deziluzionuar dhe të dështuar. Analistë të shumtë kanë vërejtur se një prej arsyeve kryesore të krizës në Greqi, vjen pikërisht nga rrënimi i vlerave në tregun e punës dhe nga një parazitizëm i tillë në sistemin e punësimit. Në Shqipëri situata duket shumë më dramatike dhe efekte të frikshme priten ndonjë dekadë më vonë.
Pragmatizëm politik
Këtë politikë qeveria Berisha e ka përdorur për interesa elektorale, duke u predikuar njerëzve se po u jep shkollë fëmijëve të tyre. Prirja për t’u bërë me shkollë të lartë është një reminishencë e vjetër që nga koha e regjimit komunist. Në një organizim shtetëror të centralizuar siç ishte ai i regjim, e drejta si dhe dega e studimit përcaktohej nga shteti, i cili, në pavarësi nga, prirjet, dëshirat apo nevojat e njerëzve, i shpërndante maturantët në bazë të një planifikimi burokratik të ndërmarrë sipas motos: «atje ku ka nevojë atdheu». Thuajse askush në atë kohë nuk studionte për atë degë që kërkonte dhe kjo ka bërë thuajse çdo njeri në këtë popull të marrë atë zanat që i kanë dhënë të tjerët, e jo atë që ka dashur dhe ka pasur prirje të bëjë.
Megjithatë, e drejta e studimit ishte asokohe një fat i madh, pasi kishe mundësi të bëje një «punë pa hekura», duke i shpëtuar telasheve të punëtorëve në fabrika e kantjere, të keqpaguar e të munduar fizikisht nga mungesa e një teknologjie të zhvilluar. Ambiciet e kohës për shqiptarët, mjaftoheshin me fitimin e një zanati që të krijonte mundësinë të ishe rehat, e të fusje rrogën në xhep pa shumë mund. Zanate të tillë si ai i oficerit, mësuesit apo edhe mjekut, në qoftëse nuk transferoheshe në ndonjë fshat a qytet të largët, shikoheshin si mundësi të shkëlqyera për t’i pasur gjërat në terezi.
Universiteti ishte mjeti për t’ia dalë mbanë kësaj e për t’i shpëtuar punëve të rënda të krahut. Për këtë arsye edhe mënyra sesi prindërit motivonin fëmijët e tyre për të mësuar ishte kërcënimi i punës së krahut që i pret nëse nuk dalin mirë në shkollë. «Mëso se përndryshe do përfundosh në llaç», - ishte shprehja me të cilën prindërit kërcënonin rëndom fëmijët që nuk shprehnin ndonjë vullnet të mirë për t’iu përgjigjur angazhimeve mësimore. Shoqëria ndahej asokohe nëdy klasa: klasa punëtore dhe ajo intelektuale, ku dallimin e bënte vetëm diploma e shkollës së lartë. Pikërisht, në një realitet të tillë, retorika e komunistëve ngrihej shpesh mbi mirënjohjen ndaj Partisë për mundësitë e arsimimit të ofruara ndaj tyre. «Partia na dha shkollën», - ishte maksima e mirnjohjes së idiotësisë së patentuar si inteligjencë, ku bamirësi çudibërës (Partia) fitonte adhurimin e plotë për këtë mirësi që i ofronte popullit.
Në një logjikë të tillë, ish-Kryeministri Berisha ka përdorur këtë mendësi për të fituar përkrahjen e njerëzve. «PD-ja ju dha të gjithëve shkollë», - është mesazhi i përçuar në tekst dhe nëntekst të kësaj politike, që kërkon prej njerëzve mirënjohjen ndaj qeverisë, të cilën duhet t’ia rikthejnë duke ia shpërblyer me votë. Me këtë pragmatizëm elektoral e papërgjegjshmëri qeverisëse shteti shqiptar ka investuar fuqishëm këto vite në shkatërrimin e sistemit arsimor në vend dhe krijimin e precedentëve të rrezikshëm për rrënimin e shoqërisë në shumë aspekte të rëndësishme të saj.