Arsimi i larte apo certifikimi i paaftesise

Arsimi i larte apo çertifikimi i paaftesise
Disa përsiatje përtej ligjit të ri që mbeten të pazgjidhura. Një karakteristikë shumë domethënëse në lidhje me arsimin e lartë në Shqipëri është ajo që një akademik anglez, Ronald Dore, e quan "ethet e diplomës". Sipas kësaj situate, sistemi shqiptar arsimor, sidomos në arsimin e lartë, nuk është i fokusuar në transmetimin e njohurive, por është i shqetësuar dhe fokusohet vetëm për certifikime dhe dhënie diplomash. Në një situatë të tillë individët synojnë të krahasohen vetëm në bazë të diplomave që zotërojnë dhe jo në bazë të aftësive që ato kanë.

Dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, mbarimi i një niveli të caktuar të shkollimit sjell thuajse automatikisht pranimin në nivelin tjetër më të avancuar. Kjo sidomos nga niveli i shkollës së mesme deri në nivelet e ndryshme të shkollimit universitar. Matura shtetërore si program kombëtar testimi, synon që të vlerësojë përgatitjen e nxënësve pas gjimnazit, për të avancuar studimet në një nivel më të lartë siç është universiteti. Një provim i tillë bëhet shumë i rëndësishëm duke shkaktuar një cenim të përgatitjes shumë disiplinore që ka shkolla e mesme dhe duke vënë në një krahasim të pabarabartë të gjithë gjimnazet e vendit, ku serioziteti i këtij provimi nuk është askund njësoj.

Një sistem i tillë është pervers, sepse cenon frymën e drejtë dhe të barabartë që duhet të ketë arsimi dhe ka kosto të jashtëzakonshme, si në proces ashtu dhe në rezultatet e shformuara që ofron. Pa diskutim që njëkohësisht është një proces më shumë në centralizimin e aktivitetit të universiteteve. Si pasojë e liberalizimit akut dhe e përhapjes ekstreme të "etheve të diplomës" në Shqipëri, momentalisht po përjetojmë një papunësi të të arsimuarve.

Ekspansioni i arsimit të lartë na ka sjellë tashmë një komunitet shumë të madh të të arsimuarve me universitet që kërkojnë një punësim sipas formimit të tyre. Përshtatja shumë e ulët e kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës është një tjetër çështje që e rëndon shumë situatën. Arsimi i lartë prodhon me mijëra ekonomistë, juristë dhe punonjës socialë në një vit, nga universitetet publike në qendër, nga universitetet publike në rrethe dhe ato private sidomos në qendër, por tregu kërkon më shumë aftësi të tjera. Në një situatë të tillë një numër i jashtëzakonshëm i të diplomuarve punojnë jashtë profesionit të tyre.

Dhe po ashtu një numër shumë i madh i të diplomuarve punojnë në vende pune që nuk kërkojnë arsim të kualifikuar. Shitës dhe arkëtarë me diplomë universitare gjen me qindra në njësitë tregtare brenda dhe jashtë Tiranës. Nga ana tjetër, punëdhënësit duhet të bëjnë trajnime shumë të kushtueshme në vendet e punës për të përputhur aftësitë e punonjësve të rinj me mjeshtëritë që kërkon vendi i punës. Gjithashtu, shumë institucione publike që kërkojnë punonjës me aftësi teknike detyrohen të organizojnë programe të specializuara trajnimi brenda dhe jashtë vendit për punonjësit e tyre të rinj.

Kjo tregon që aftësitë e nevojshme nuk ishin mësuar në sistemin bazë të arsimit të lartë. Kjo tregon edhe që këto njohuri nuk mund të përfitoheshin në mënyrë automatike nga ndarja e eksperiencës me personelin ekzistues, meqenëse dhe akumulimi i njohurive nga personeli ekzistues në sektorin publik është relativisht i ulët.

Rritja e papunësisë në mes të diplomuarve të rinj duhet të shqetësojë fort zyrtarët qeveritarë.

Në Shqipëri individët kanë mungesë të theksuar informacioni për tendencat e profesioneve që vijnë nga arsimi dhe kryesisht të gjithë presin të ardhura të larta nga ato dy-tre drejtime kryesore që mendojnë si më të favorshme në të ardhmen. Këtë situatë e ka agravuar edhe më shumë arsimi privat që thjesht ka kënaqur këtë prirje për një arsim në pak drejtime të mbingopura me të diplomuar. Strategjitë për profesionet e ardhshme dhe drejtimin e punësimit në Shqipëri janë krejt të papërdorshme. Arsimi i lartë mbetet i rëndësishëm në Shqipëri.

Në këto vite shumë individë dhe shumë para po përfshihen në të, sidomos në sektorin privat. Zyrtarët qeveritarë duhet të mendojnë më shumë për financimin e arsimit publik, për kontrollin e cilësisë në arsimin privat dhe publik dhe për të siguruar një trajtim të drejtë për të gjithë, në mënyrë që diplomat shqiptare të çdo lloj niveli të mos jenë një certifikim i paaftësisë i paguar shumë shtrenjtë në para dhe në një të ardhme të zymtë.


Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, UT

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama