Arsimi i larte universalitet apo specializim? Kjo eshte ceshtja

Arsimi i larte, universalitet apo specializim? Kjo eshte ceshtja

Është e lehtë të thuhet se mjedisi i universiteteve ka ndryshuar këto 20 vitet e fundit, çështja është të emërtohen këto ndryshime dhe të matet impakti mbi institucionet e arsimit të lartë. Ashtu si në botën ekonomike, motori i tregut dhe i konkurrencës i shtyn edhe institucionet universitare të grupohen, të përqendrohen, në kërkim të masave kritike. Edhe pse Franca nuk pranon të konsiderojë, për disa arsye, arsimimin si produkt konsumimi, ne jemi të detyruar të pranojmë se nuk jetojmë në ishull dhe se ekziston vërtet një treg ndërkombëtar i edukimit i mbizotëruar nga anglo-saksonët dhe nga disa grupe private që po fillojnë të interesohen për këtë, pas zhvillimeve teknologjike dhe të komunikimit. Përçmimi francez për tregun lidhet me historinë tonë, më ngatërrimin e formimit me kulturën, të arsimit me edukimin.

 

Në fushën e formimit, shprehet me vonesën e formimeve profesionale të ofruara nga universitetet tona. Të gjitha transformimet që po fillojnë sot janë shkaktuar nga globalizimi dhe ndonëse kërkimi i aleancave i inkurajuar nga shtetet dhe nga BE është një përgjigje e mundshme, përmirësimi i vazhdueshëm i performancave të sistemit arsimor, është një tjetër. Bashkëpunimet kombëtare dhe ndërkombëtare e favorizojnë kërkimin e cilësisë duke i bërë më të prekshme dhe më të përgjithshme inovacionet. Universiteti francez, në dallim nga shumica e vendeve të zhvilluara, pranon pa asnjë diskriminim, një publik gjithnjë e më heterogjen për sa i përket nivelit dhe motivimit të tyre. Kështu shumë studentë të rinj pranohen nëpërmjet zgjedhjes negative, që do të thotë ata që nuk janë pranuar në shumë programe të tjera si : klasat përgatitore për Grandes Ecoles, programet teknologjike afatshkurtra, shkollat e tregtisë, paramjekësore, shkollat e inxhinierisë etj. Konkurrenca kombëtare po bëhet e ashpër dhe universiteti po humb nga viti në vit pjesë tregu. Vihet re një rënie e efektivave të universiteteve dhe shkaqet kryesore janë : ndryshimet demografike dhe rritja e konkurrencës së institucione të tjera të arsimit të lartë, publik ose privat.

Disa sektorë si shkencat, kanë pësuar të njëjtin fat me vendet e tjera perëndimore, tkurrje të vazhdueshme. Universitetet janë prekur në zemër të aktiviteteve të tyre kryesore : kërkimi shkencor i mbështetur në laboratorë rritja e të cilëve ka ndodhur gjatë valës demografike të viteve 70 dhe 80. Përtej universitetit, implikimet socio-ekonomike, të shoqëruara me çlokalizimet e ndërmarrjeve, kanë pasoja të rënda në afat gjatë. Paralelisht me këtë lëvizje, disa specialitete tërheqin gjithnjë e më shumë studentë :edukimi fizik dhe sportiv, historia e artit, artet dhe spektaklet, dhe të gjitha programet e profesionalizuara : diplomat e teknikëve, inxhinierëve, diploma të studimeve të larta të specializuara, po i gllabërojnë pak nga pak formimet më tradicionale. Universiteti, si të gjithë sektorët e tjerë të aktivitetit, është prekur nga ndryshimi dhe nga nevoja për fleksibilitet. Është një nga arsyet madhore për të bërë një reflektim strategjik rreth organizimit dhe profilit të universiteteve, për të shmangur nismat e çoroditura.

Misioni i ri i universitetit

Sot universiteti ka misionin e afirmuar të zhvillimit ekonomik, i cili rrjedh natyrshëm nga dy misionet e tij historike : formimi dhe kërkimi. Ligjet e decentralizimit dhe politika kontraktuale arritën ta imponojnë këtë mision të ri. I vakët në fillim, presioni i të zgjedhurve (deputetë, pushteti lokal) është bërë shumë më profesional dhe po vendosen kontrata të mirëfillta ndërmjet njësive lokale të qeverisjes dhe institucioneve të arsimit të lartë. Edhe pse ka rezistencë ende, nocioni i kontratës është pranuar plotësisht. Misioni i zhvillimit ekonomik të universitetit është akoma më shumë i dukshëm dhe i nevojshëm edhe për faktin se potenciali që ai paraqet është shpesh më i lartë se pesha ekonomike e rajonit. Ka pra, një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme për komunitetin tonë dhe një nevojë urgjente për rezultate, duke patur parasysh fondet e shpenzuara nga pushteti lokal.

Në planin organizacional, universiteti duhet të pozicionohet në raport me tregun e formimit që ai zgjedh të bashkëveprojë, gjë që çon në ekzaminimin e tri strategjive të ndryshme: universaliteti, specializimi, lidhje të forta me rajonin.

Ruajtja e universalitetit me çdo çmim

Gjatë krijimit të universiteteve franceze në vitin 1968, me ligjin Edgar Faure, nuk pati reflektim për profilet e universiteteve sepse bëhej fjalë për t’i dhënë një përgjigje të shpejtë krizës. Universitet u ngritën me ngut nga federimi i fakulteteve të vjetra. 35 vjet më pas, mund të propozohet një tipologji prej 8 klasash sipas disiplinave dominuese :


Shkencore dhe/ose mjekësore
Pluridisiplinare përfshirë dhe shëndetin
Pluridisiplinare përveç shëndetit
Terciare ku dominojnë letërsia dhe shkencat humane.
Terciare ku dominojnë drejtësia dhe/ose ekonomia.
Shkollat e inxhinierisë dhe institutet e teknologjisë .
3 Institutet kombëtare politeknike dhe 3 universitetet e teknologjisë.
Institucionet e pavarura, shkollat autonome të inxhinierisë, institutet e studimeve politike, shkollat e mëdha, etj.


Universitetet vërtet pluridisiplinare, pra kategoria II, përbëjnë pjesën më të rëndësishme të këtij ansambli kompleks, e megjithatë ajo mbetet në minorancë, sepse në fakt ka një braktisje faktike të universalitetit të institucionit. Kjo është gjithashtu kategoria që ka humbur më shumë studentë gjatë viteve 95-96 dhe 00-01. Një përfundim i parë do të ishte që nuk është synuar privilegjim me vetëdije i një kategorie në emër të parimeve të përcaktuara. Fotografia aktuale e universiteteve është më tepër e lidhur me aspekte të politikës lokale sesa me vendime strategjike. Së dyti, duhet të vazhdojmë me analizën e modelit pluridisiplinar. Ky model, shpesh i përkrahur në qytetet me përmasa mesatare, justifikohet vetëm me faktin se mund t’u ofrojë të gjitha zgjedhjet studentëve, në emër të shërbimit publik. Përfitimi nga ndërveprimi i disiplinave në fushën e kërkimit dhe mësimdhënies, përmendet shumë rrallë. Sfidat e vërteta të pluridisiplinaritetit vetëm sa preken në universitetet e kategorisë II dhe III, aq i madh është veçimi i disiplinave, i përforcuar edhe nga kërkimi dhe sistemi i vlerësimit. “Sistemi universitar më duket se vuan shumë nga ndarja e tij në sektorë të veçantë”, thotë për shembull Pierre Gilles de Gennes, duke bërë thirrje për një rishqyrtim serioz të “korporatës së universitarëve”.

Specializimi dhe pozicionimi marketing

Në se universaliteti përkon më tepër me konsiderata të politikës lokale dhe/ose me zgjidhje ideologjike të tipit “shërbim publik”, çfarë ndodh me specializimin ? Pa dyshim arsyeja e parë do të jetë e politikës lokale, specializimi justifikohet në qendrat e mëdha universitare si Parisi, Lioni, Tuluza, ku vendosja e shumë universiteteve, e kushtëzuar nga numri i studentëve dhe larmia e fakulteteve, mund të bëhet mbi bazën e ndarjes së specialiteteve për të rritur efikasitetin. Ky vizion unik dhe teknokrat nuk ka asnjë bazë strategjike dhe përbërja e universiteteve mund të jetë tepër e larmishme dhe të mos i bindet asnjë logjike të disiplinave, meqë privilegjohen tepër aspektet politike dhe personale, si për shembull tri universitetet e Marsejës që përbëjnë secili një pjesë shkencore. Në këto kushte është shumë e vështirë të gjykohet efektshmëria e modelit të specializim. Këto universitete tepër të tipizuara mund të komunikojnë nëpërmjet personalitetit të njohur dhe të tërheqin studentë nëpërmjet ekselencës dhe emrit të mirë të programeve mësimore. I tillë është rasti i universitetit Paris IX- Dauphine, i krijuar në vitin 1968 me objektivin e afirmuar të profesionalizimit që i mundëson të ketë flukse konstante studentësh.

Integrimi rajonal

Duke pritur që të shqyrtohen këto çështje themelore, duhet gjithsesi që sistemi të vazhdojë të funksionojë. Pika e vetme mbështetëse është promovimi i integrimit rajonal, duke vendosur veçanërisht theksin në përforcimin e rolit të universiteteve në zhvillimin ekonomik. Fuqizimi i rajoneve që prej krijimit të tyre pas ligjeve të decentralizimit të viteve 1982-1983, artikulimi i nevojshëm i rendeve të ndryshme të mësimdhënies, janë elemente që luftojnë për një riorganizim rajonal të universiteteve me pjesëmarrjen e partnerëve ekonomikë. Bëhet fjalë për një rrugë të vështirë, duke patur parasysh kulturën franceze të ndarjes historike të fushave edukative dhe ekonomike, por megjithatë e pashmangshme.

Në vend të epilogut

Mes universalitetit dhe specializimit nuk ka përgjigje univoke. Universaliteti i mburrur nga disa universitarë, është vetëm fasada, aq e madhe është ndarja në disiplina. Specializimi shtron çështjen e profesionalizimit ; nëse ky objektiv ruhet, mund të arrihen rezulate të shkëlqyera si në kërkim edhe në mësimdhënie, dhe lidhja mes dy aktiviteteve është më e mirë. Nga ana tjetër, do të jetë shumë më e vështirë të merret inovacion nga fusha të tjera disiplinore, dhe rrezikohet që këto institucione të bien pre të tundimit të vetë-rekrutimit. Nëse duhet të ndërtohet Europa e rajoneve, është e nevojshme të harmonizohen kurrikulat në shkallë europiane dhe të diferencohen përmbajtjet në nivelin rajonal për t’u afruar sa më shumë me nevojat sociale. Kështu, ansamble pluridisiplinare mund të justifikohen në një mjedis të caktuar, kurse në një zonë tjetër institucione të specializuara mund t’u përgjigjen më mirë nevojave lokale.

 

Nga botimi me titullin “Universalitet apo Specializim” i Christian Allies dhe Michel Troquet, i vitit 2004.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama