Shërbimet - Në fokus të departamentit të ri të KLSH-së, do të jetë kontrolli i performancës, duke u ndalur tek institucionet e shërbimit, ku pas arsimit, me prioritet do të ndiqet sektori i shëndetësisë
Raporti i fundit i Bankës Botërore rreth arsimit në Shqipëri, sipas së cilës, afro 57 për qind e 15-vjeçarëve janë analfabetë funksionalë, vë në pikëpyetje sistemin e ndjekur deri më tani. Adoleshentët shkojnë në shkolla, gjimnaze, por më shumë se gjysma rezultojnë me njohuri minimale, për të mos thënë fare, shenjë kjo aspak e mirë për të ardhmen e vendit.
Ky fakt ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të nxitur nga ekspertët e huaj të SIGMA-s. Deri më sot, KLSH-ja ka evidentuar shifrat e vjedhjes që zyrtarët e korruptuar kanë kryer ndaj buxhetit të shtetit, ka denoncuar në prokurori rastet me ndjekje penale, sikurse ka rekomanduar rishikimin e disa ligjeve, interpretimin e tyre, nëse bien ndesh me aktet etj., por nuk kemi ndonjëherë një studim apo vlerësim se çfarë rezultati kanë dhënë miliardat e shpenzuara për sektorë të ndryshëm.
Rasti tipik i takon arsimit, sektor, ku të paktën nga buxheti i shtetit ka marrë në këto 8 vitet e fundit rreth 2 miliardë euro, por sërish nga vlerësimet e institucioneve të huaja, si BB, rezulton se kemi nivel të lartë analfabetizmi. Ku kanë shkuar paratë ose çfarë produkti është krijuar me fondet e derdhura për këtë sektor, për të cilën paguajnë taksapaguesit e ndershëm.
“Prej muajit dhjetor është krijuar departamenti i kontrollit të performancës, me një staf prej 15 vetash, dhe ku në fokus do të kemi performancën e institucioneve”, thotë për gazetën “Shqip”, zyra e shtypit në KLSH.
Të huajt kanë nxitur më tej futjen e frymës për një kontroll sa më cilësor. “Po flasim për arsimin, për brezat e ardhshëm. Nëse energjitë tona do t’i shpenzojmë për të kapur shkelësin e ligjit dhe paratë e vjedhura dhe jo për të shtrirë më tej vlerësimin e sektorit, them se nuk kemi arritur atë që duhet. Arsimi merr 100 lekë, por sa mund të përfitojmë nga një brez i shkolluar, 3,4 apo 5-fish. Pra, gjykoj se kontrolli i performancës do të jetë një hap përpara zhvillimit, jo vetëm të këtij sektori, por edhe te të tjerët, si shëndetësia p.sh.”, deklaron eksperti Joop Vrolijk, i cili prej disa muajsh po asiston KLSH-në në përgatitjen e një kuadri të ri ligjor.
Ideja është që shumë shpejt Kontrolli i Lartë i Shtetit do të publikojë performancën në sektorin e arsimit, deri në renditjen e shkollave, universiteteve, etj, duke e paraqitur në formë pikëzimi etj. Në plane është edhe sektori i shëndetësisë, i cili ka marrë dyfish më shumë buxhet se arsimi në këto vite dhe ku mungesa e infrastrukturës bazë e ka kthyer vendin si në “botën e tretë”.
Rezultatet e para të llojit “kontroll performance” kanë dalë me sektorët e hekurudhës dhe ujësjellësit të Korçës, ku pasi janë evidentuar kushtet dhe shërbimet, janë nxjerrë më pas edhe konkluzionet se çfarë duhet bërë më mirë apo çfarë nuk është e nevojshme më të shpenzohet pa eficensë.
Analiza
210 milionë euro humbje, apo shifra pa rezultat
Në katër vitet e fundit, KLSH-ja konstatoi një abuzim ndaj shtetit në vlerë rreth 210 milionë euro, ku 100 milionë i takojnë vitit 2012. Si rezultat i evidentimit të këtyre humbjeve, KLSH-ja kallëzoi penalisht 150 zyrtarë, pra dosjet e tyre shkuan në prokurori. Rezultati? Deri më tani askush nuk ka përfunduar pas hekurave dhe palët (prokurori-KLSH) janë justifikuar duke “akuzuar” njëra-tjetrën për mungesë profesionalizimi në trajtimin e rasteve (çështja e provave të pamjaftueshme etj.).
Në raportet vjetore, organi më i lartë kushtetues i kontrollit mbi disiplinimin e buxhetit të shtetit dhe zbatimit të ligjit, pothuajse përmend të gjitha rastet e korrupsionit, si ka ndodhur, ku ka ndodhur, çfarë dëmi është shkaktuar, kush e ka kryer (madje me inicialet e zyrtarit) etj., etj., por kaq, asgjë më shumë. Megjithatë, ekspertët e huaj të sektorit të auditit mendojnë se, vëmendja edhe në këtë rast duhet zhvendosur te performanca, si e vetmja rrugë për të kuptuar, analizuar dhe zgjidhur problemet që shqetësojnë sektorët e veçantë të shërbimeve, dhe jo “të kapeni” pas dosjeve të korrupsionit.