Të jesh optimistë të ndihmon në jetë, jo vetëm në periudha të caktuara. Studimet kanë treguar se optimizmi është një mbështetje që na shoqëron përgjatë gjithë viteve që jetojmë e nëse dimë ta përdorim ashtu si duhet mund të nxjerrim prej tij shumë të mira. Për fat të keq, optimizmi nuk mund të blihet, por mund të mësohet me kalimin e viteve duke fituar më shumë besim te vetja, bota që na rrethon dhe jeta që bëjmë. Optimizmi është një armë që nuk duhet nënvlerësuar, na ndihmon të mbajmë lart moralin edhe kur gjërat nuk na shkojnë ashtu si duam në jetë. Në fund është ai që na ndihmon t’i kalojmë më lehtësisht momentet e vështira, duke parë me besim drejt së ardhmes. Pra lind pyetja: Si ndikon në jetën tonë fakti i të qenët optimistë që nga adoleshenca?
Nga studimi i bërë doli përfundimi se vajzat janë më pak optimiste se djemtë dhe njerëzit optimistë kanë një shëndet më të mirë në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre pesimistë. Për më tepër thuhet se fati ndihmon më shumë optimistët dhe guximtarët, ndaj ia vlen që ta nisësh ditën e ta jetosh jetën gjithmonë me optimizëm. Prej kohësh dihet se optimizmi është i mirë për shëndetin, ndërsa studimet e fundit tregojnë se numri i vdekjeve te njerëzit që mendojnë pozitivisht është 30 për qind më i ulët. Ishte vënë re se njerëzit me gjendje të mirë shpirtërore ishin më pak të prirur për t’u sëmurur dhe arrinin të jetonin deri në 12 vjet më shumë se pesimistët.
Në fakt, një tjetër studim i realizuar në vendet skandinave, tregon se njerëzit të cilët mundohen çdo ditë që në mënyrë të vetëdijshme të mendojnë pozitivisht, bëhen gjithnjë e më të disponuar, por edhe më të shëndetshëm. Duke zgjedhur mendimet e bukura dhe pozitive, njerëzit mund të mësojnë të bëhen optimistë.
Një numër i madh studiuesish sugjerojnë se të qenët pozitivë e optimistë është një nxitje shumë e madhe për sistemin imunitar dhe këto gjendje shpirtërore luftojnë infeksionin. Një studim i Universitetit të Pitsburgut ka dalë në përfundimin se pozitiviteti që karakterizohet nga të qenët i lumtur, i gjallë dhe i qetë, lidhet edhe me rezistencën ndaj gjendjeve gripale.
Gratë që janë të lumtura dhe optimiste mund të kenë një rrezik më të ulët se gratë e tjera për sa i përket zhvillimit të kancerit të gjirit.
Kërkimet
Sipas një studimi, rrezik për kancerin e gjirit janë edhe humbjet e mëdha që pësojmë në jetë dhe hidhërimet. Marrëdhënia mes gjendjes së mirë shëndetësore dhe asaj shpirtërore është shumë më e ngushtë nga sa mendojmë.
Disa kërkues të Universitetit të Shëndetit Mendor në Holandë monitoruan 464 burra për 20 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe, 44% e tyre kishin shenja depresioni. Ata që nuk kishin shfaqur shenja të tilla, ishin pikërisht ata që shquheshin për karakterin e tyre gazmor dhe optimist. Një tjetër studim në lidhje me rolin që luan gjendja e mirë shpirtërore te shëndeti nxori në pah edhe lidhjen e dëshpërimit me vdekshmërinë. Ndjenjat pozitive, ato të kënaqësisë, të shpresës, optimizmit, sensit të humorit janë të gjitha pro jetëgjatësisë. Presioni i ulët e i lartë varet shumë nga gjendja shpirtërore. Një studim i Universitetit të Helsinkit, i kryer tek adoleshentët, doli në përfundimin se pesimistët kishin një tension më të lartë të gjakut në mëngjes dhe në mbrëmje, ndryshe nga optimistët, që ishin shumë më të ekuilibruar.
Te të gjithë njerëzit, por veçanërisht tek adoleshentët, gjendja emocionale luan një rol shumë të rëndësishëm dhe optimizmi është një faktor kyç për mirëqenien e shëndetin e tyre. Mendjet pozitive kanë një risk 55% më të ulët se të tjerët në rastin e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Ndërkohë, ka mbetur ende një pyetje pa përgjigje, ajo se si ndikon optimizmi në sëmundjet kardiovaskulare, por kjo nuk ka shumë rëndësi kur thelbi është se një zemër e gëzuar është edhe një zemër e shëndetshme njëherazi. Optimizmi është edhe një aleat i rëndësishëm i yni për sa i përket dhembjes. Ata që janë mirë me humor, thonë se përjetojnë më pak dhembje se të tjerët. Studimet e mëtejshme do të bazohen te mënyra se si faktorët psiko-socialë mund të ndikojnë te mjekimet e dhimbjes.
“Qesh dhe bota do të ta kthejë buzëqeshjen”. Kjo nuk është vetëm një fjalë e urtë, por edhe një e vërtetë e madhe, pasi, sipas studimeve të ndryshme, njerëzit që janë me humor jetojnë më gjatë se ata që e shohin gjysmën e gotës të zbrazët.