Ka muaj e muaj që mblidhet ky Komitet dhe nuk kemi dëgjuar të flitet asnjëherë për investime për restaurimin e domosdoshëm të disa prej simboleve më thelbësore të Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare.
U fol për restaurime të domosdoshme në qytetin e Shkodrës; për restaurime urgjente në parkun e vendbanimit të Skënderbeut në Lezhë; në Kalanë e Krujës për frenimin e ndërtimeve që po e mbysin simbolin e Heroit Kombëtar; për restaurimin e shtëpisë së Gjergj Fishtës në fshatin e tij të lindjes; kompleksit të Ndre Mjedës; Muzeut Etnografik, shtëpinë e Aleksandër Moisiut në Durrës; Parlamentit të parë të shtetit shqiptar në Tiranë (Teatri i Kukullave); për rindërtimin e mauzoleut të familjes mbretërore; për restaurimin emergjent (se po i bie dyshemeja) të shtëpisë së Kongresit të Lushnjës, të shtëpisë së patriotit dijetar Hasan Tahsini në Ninat të Gjirokastrës; të shtëpisë së vëllezërve Frashëri në Frashër, e kështu me radhë. Në fund, tani kur po vjen koha të bëjmë llogaritë dhe gjendemi vetëm një muaj përpara 100-vjetorit, na mbeten në mendje vetëm gënjeshtrat e pafundme të Kryeministrit dhe absolutisht asnjë investim real”, ka theksuar Lame.
Ndërkohë, Artan Shkreli është ndalur në faktin që Shtëpia e Flamurit në Korçë, e rrënuar në muajin gusht të këtij viti, edhe pse u premtua se do të ringrihej, duket se nuk ka gjasa. “Për sa i përket Shtëpisë së Flamurit në Korçë, situata në mënyrë tragjike vazhdon të mbetet e pandryshuar. Me gjithë impenjimin e Bashkisë së Korçës, e cila mori përsipër të financonte rindërtimin e godinës, me gjithë impenjimin e shoqërisë civile, e cila mori përsipër të hartonte projektin e rindërtimit dhe restaurimit të kësaj godine, të vetmet institucione që nuk kanë luajtur as gishtin deri tani, mbeten Kryeministri dhe Ministria e Kulturës. Kryeministri duhet të financonte me një fond minimal shpronësimin e truallit ku gjendet rrënoja. Dimri po afron dhe rrezikon që të shkatërrojë edhe gjithçka ka mbetur nga rrënoja e këtij monumenti”, ka theksuar Shkreli.