Aktorja e Teatrit dhe e Kinematografisë Shqiptare, Luiza Xhuvani, tashmë edhe deputete e Parlamentit Shqiptar në dy legjislatura, erdhi këto ditë në Athinë, për të bërë një sfidë që nuk e bën dot politika. Ajo sugjestionoi me talentin e saj të fuqishëm që publiku i një teatri në qendër të Athinës të bëhet “zap”, e të mos marrë frymë për më shumë se një orë dhe, pa u mbyllur perdja e aktit final, e para që u ngrit në këmbë, për të thirrur “bravo!” me ngazëllimin ekstrem, do të ishte aktorja e madhe e Greqisë Titika Sariguli. Pa i “ngarë” politikanët e tjerë që “vijnë e shkojnë dhe problemet i lënë mbrapa”, aktorja dhe deputetja Luiza Xhuvani, sikur i tha të gjitha “leksionet e nenet” që sugjeron jeta dhe politika…
Bota që shpalosi ajo përmes artit, në të dyja gjuhët (shqip e greqisht) qe si një sfidë e prioritet i artit mbi politikën dhe njëherësh ndikon në afrimin e personalitetit artistik e njerëzor. Mbasi e përfundova librin monografik për “Artisten e Popullit” dhe “Nderin e Kombit” Margarita Xhepa, (të cilën grekët e sotëm, jo ne, e quajtën “Diva shqiptare!”), pas një rrugëtimi të suksesshëm në jetën 80-vjeçare e në artin e saj, i bëra pyetjen sugjestive se kë shihte, nga aktoret tona, si vazhduese e trashëguese të atij “brezi të artë”, që ngritën e mbajtën “çatinë” e teatrit shqiptar? Ajo menjëherë përmendi, Luiza Xhuvanin e Yllka Mujën. Duke e parë edhe shfaqjen që ajo dha në Athinë (“Zonjushë Margarita” të Robert Ataide), si një kulminacion të artit të aktrimit, kur pas mbylljes së perdes, spektatorët grekë e shqiptarë, nuk largoheshin dot pa e përshëndetur aktoren tonë, atëherë do të vijmë në përfundimin logjik se Luiza Xhuvani, përbën një fenomen artistik dhe akoma: personaliteti i saj, bën disa sfida njëherësh!
Së pari, ajo sfidon të gjithë “aktorët e stolave” të teatrit që mezi duken një herë në vit a një herë në pesë vjet. Luiza Xhuvani është gjithmonë e pranishme në skenën e ekranin shqiptar, jo thjesht për sytë e bukur e shtatin e hijshëm (e, shyqyr që i ka edhe ato), por për talentin e saj, që nuk e lë të “vyshket” pa punë sistematike e të vazhdueshme. Repertori i saj përfshin Euripidin, Shekspirin, Molierin, Joneskon, Çehovin, Strinbergun e shumë të tjerë. Kineastët nuk e lenë “të marrë frymë” nga roli në rol dhe ka realizuar deri tani mbi dhjetë filma artistikë, njëri më i mirë se tjetri. Monodramën “Zonjusha Margarita” ajo e ka përgatitur para tetë vjetësh dhe e ka pjesë të repertorit të saj, si një “intermexo”, midis xhirimeve të filmave, përgatitjes së veprave të plota skenike dhe të seancave paksa “teatrale”, parlamentare kur “grinden “, me të shara deputetët e të dyja palëve dhe ku, nuk e gjejmë gjëkundi figurën e saj të hijshme, të artikulojë jashtë etikës njerëzore dhe asaj skenike…
Së dyti, Luiza Xhuvani, sfidon ato institucione teatrore që se “vrasin shumë..., për repertorin”, por mbajnë gjithmonë qëndrimin në pritje, për gjithçka. Në të kundërtën, ajo e gjen vet pjesën që do të interpretojë dhe që i shkon diapazonit të saj artistik, e gjen edhe regjisorin që preferon, arrin ta interpretojë siç di vetë dhe pastaj, kushdo teatër ia ka “hapur portën”. Repertori botëror është i bollshëm në këtë drejtim, po edhe ai nacional nuk është pa gjë, kur është krijuar një letërsi e gjerë dhe me vlera, në gjuhën shqipe, që mund të dramatizohet e të vihet me sukses në skenat tona. Por, ç’është e vërteta, lypset të kemi edhe njerëz të kësaj pune, të përgatitur në një Institut të Lartë, i cili nuk u hap asnjëherë, qoftë edhe si degë e veçantë në Akademinë e Arteve (ajo e Dramaturgjisë). Në këtë drejtim, jemi gjysmë shekulli mbrapa, pa rënë në formalizmin e çuditshëm alogjik, të Fakultetit të Regjisurës ku, më së shumti kanë dhënë e japin mësim pedagogë që nuk e kanë kryer Fakultetin e Regjisurës (jashtë shtetit) dhe të heshtim, për një kohë prej 6 a 7-të dekadash, për mungesën e atyre që dinë të bëjnë “brumin për bukë”, dramaturgët. Dhe dihet e vërteta: Pa dramaturgë nuk ka teatër! Ndaj edhe Luiza Xhuvani e të tjerë që e duan teatrin, do të shkojnë deri në Brazil e Kolumbi për të “huazuar” nga dramaturgët e këtyre vendeve të largëta!
Së treti, Luiza Xhuvani, bën sfidën e tmerrshme (tashmë të njohur dhe evidente!) përpara studentëve e pedagogëve, përpara kolegëve të aktrimit dhe para publikut të saj se: Aktor të bën vetvetja dhe jo shkolla; se po nuk pate prirje e talent, nuk duhesh të hysh në atë shkollë dhe, po hyre e po u pranove , prej një komisioni rigoroz , duhet punuar ditë-natë (me vullnetin diabolik të Kadri Roshit, që hyri në teatër me të folurën e një memeci dhe arriti të bëhet bilbil i skenës) e jo ta kthejmë këtë Akademi në qendër azilante për pleqtë e të rinjtë e “stolave të teatrit”!
Sugjestioni i dashurisë së saj për njeriun
Ajo, aktorja Luiza, e zgjedh këtë monodramë tragjike-komike nga Amerika Latine, prej një dramaturgu kolumbian, të quajtur Robert Ataide, i cili i thotë gjërat “troç”, pa bërë stërhollime e zbukurime, ashtu sikundër është e zhveshur një femër, siç e ka bërë natyra, apo sikundër do të katandiset, përtej jetës, në një skelet, që ajo e mban pranë katedrës së saj për t’ua rrëfyer nxënësve. Kjo ngasje emocionale, nuk e ka lënë të qetë zonjën e skenës Xhuvani, qysh kur luajti Figueiredon brazilian, me një Klea të përsosur, përballë Ezopit të Kadri Roshit, ku sugjestioni i dashurisë së saj për njeriun më të mençur e më të shëmtuar është në shkallën maksimale, vetëm në saj të talentit superior të aktores për të cilën flasim.
Gjërat duhen të njihen që në embrion
Ndërsa “ Zonjusha Margaritë” e Luiza Xhuvanit është një sentencë e pastër njerëzore, e mbarsur me prakticizmin amerikan dhe me filozofinë reale të ekzistencës. Ndryshe nga mësueset strikte, që kemi njohur ne, të futura në kuadratet e didaskalisë shkollariste, sipas normave strikte të moralit, kjo mësuese e Ataides dhe e Xhuvanit, ka në palcën e saj, emancipimin e plotë të mësimdhënies, të prirur në njëfarë revolucioni për ndryshimin e botës. Sipas saj, gjërat duhen filluar të njihen që në embrionin e qenies njerëzore, me fjalorin e tyre, me bëmat konkrete, me dëshirat sensuale që ndizen dhe shuhen, deri sa afron vdekja e pashmangshme... Në këtë trajektore, nga ku kalon jeta e njeriut, kjo mësuese sheh edhe poezinë e botës reale, po edhe vuajtjet e dhembjet që shkakton padrejtësia, dhuna, droga e krimi. Kemi përpara nesh një mësuese krejt ndryshe, të thjeshtë e të madhërishme njëherësh,e cila është e mbetet njerëzore, e vërtetë, sensuale, e bukur, edhe kur flet për organet gjenitale, para nxënësve, edhe kur shpjegon të fshehtat e seksit, edhe kur i paraqet, krejt të zhveshur, natyrën e burrit e të gruas, natyrën e homoseksualëve dhe të atyre që masturbojnë qosheve tërë jetën e tyre dhe të tjera si këto aspekte marrëdhëniesh tabu, për skenën e dramaturgjinë e djeshme.
Ataide e ka shkruar pjesën për Luiza Xhuvanin
Unë besoj se Robert Ataide e ka shkruar këtë pjesë për ta interpretuar Luiza Xhuvani, se çdo aktore tjetër, mund edhe të dështonte (duke qëndruar e dhënë një orë e gjysmë leksion, para katedrës!), ashtu sikundër jam i bindur që kjo aktore e fuqishme e me botë të pasur shpirtërore doli përmbi mesazhet që përcjellin Figueiredo dhe Ataide, për lirinë e njeriut dhe dashurinë njerëzore. Aktorja Xhuvani, me potencën, vrullin e sugjestionin e dashurisë njerëzore, u jep horizont e kuptim të thellë, mesazheve bashkëkohore të këtyre autorëve, si ndjenjë konkrete, si psikologji, edhe si sentencë filozofike! Se, t’u thuash njerëzve që ke përpara: “që të gjithë ju do të vdisni (!)” dhe pastaj t’u vërtetosh që nuk duhet të vdesin, pa i provuar të gjitha kënaqësitë e jetës, është përpjekja më e mundimshme për cilindo aktor, regjisor, filozof, e politikan.
Vulgariteti është paraqitur me finesë Margarita e saj, është vetëm e saj, me tërë thjeshtësinë e kompleksitetin e vërtetë e të vrullshëm të ndjesive, me dritëhijet e vazhdueshme, me sensualitetin e ndjeshëm, me konkretësinë e vërtetësinë e të gjitha marrëdhënieve, me njëfarë vulgariteti të paraqitur çuditërisht me finesë e elegancë, me kapërcime aktoreske që kanë me vete natyrësinë e tyre të vazhdueshme. Ajo krijon marrëdhënie të vërteta edhe me një skelet njeriu të vdekur, edhe me gjymtyrët e tij, me të cilat ajo lodron natyrshëm, herë-herë tallet, e heraherës, bën seks me “të vdekurin”…
Qëndrimet shpotitëse të saj, thumbimet në adresë të auditorit, mësimet e moralit dhe edukata seksuale, nëpërmjet një interpretimi të çliruar nga të gjitha ngërçet që shpesh mbërthejnë aktorët, shndërrohen te Luiza Xhuvani në njëfarë striptize magjepsëse, por edhe në model virtyti, pa u shmangur nga paraqitja e një shëmbëlltyre të lartë interpretimi në artin e aktrimit shqiptar. Dhe vijmë tani në të vërtetën e madhe se, për regjisorët, është kënaqësi , lehtësi dhe njëherësh përgjegjësi e madhe, të punosh me një artiste si Luiza Xhuvani. Këtë mund të na i thotë më së miri, bashkëshorti i saj, regjisori i kinematografisë, Gjergji Xhuvani, që e ka angazhuar thuajse në të gjithë filmat e tij, po edhe regjisori Kiço Londo, që ka mundur ta angazhojë aktoren-deputete në një Teatër Shëtitës. Ky regjisor tepër aktiv i teatrit, ish-Drejtor i Teatrit Kombëtar, i Estradës së Shtetit, i Teatrit të Metropolit, dhe tani i Teatrit Shëtitës, ka vënë në skenë, paralelisht si regjisor, disa vepra të suksesshme nga Cikliropulos, Dorfman, Uajlld, Çehov etj. Ai ka meritën (bashkë me Luizën) që krijojnë për spektaklin “Zonjushë Margarita” atë harmoni të domosdoshme midis skenës e sallës së teatrit, që edhe aktori , edhe spektatori , ta ndjejnë se janë “pjesë e njëri-tjetrit”, po kaq të thjeshtë, të vërtetë e të ndërlikuar njëherësh.
Me logjikën e përsosur të frazës, “godet në shpirt”
E pra, ky kulminacion në artin e aktrimit të aktores në fjalë, është arritur me talent të vërtetë, por edhe me një punë sistematike interpretuese: me fjalën, me nëntekstin, me logjikën e përsosur të frazës, e cila “godet në shpirt” deri edhe spektatorin më ekstrem të sallës së teatrit, me plastikën e zhdërvjellët, me ecjen, qëndrimin, etikën, mandej edhe me dëgjesën më të hollë, me reagimin më të ndjeshëm, si edhe pa harruar veshjen e përshtatshme të kësaj vajze a gruaje me përvojë, që e ka emrin Margarita. Aktorja Xhuvani njësohet me këtë figurë, po edhe di të ndahet e të distancohet, për të ardhur përsëri në vetëdijen e femrës, që është plotësisht femër e që i di me “rrënjë e me degë” ato çka ajo quan “misteret e jetës” dhe që kërkon t’ua transmetojë nxënësve të saj, në rastin tonë, neve që ndodhemi aty, si spektatorë-nxënës.