Arti i Migjenit

Arti i Migjenit
Botuar më 1939 Ndofta asht turp të thom se nuk di t’ju flas për jetën e Migjenit. Po nuk e kam njoftun kurrë poetin qi e pikëlloi Shqipnin ashtu si Rimbaut Francën e Shelley e Keats Anglin. Se Migjeni ishte nji artis i math qi ecënte nji kulmi të shkëlqyëshëm shprehje të re, drejt nji kulmi qi mërrijti e ku nuk pati fatin të çojë nji jetë të gjatë, të plotë.Tue kaluam nga Torinoja, Qershorin e këtij viti, nji shok më tha se Migjeni ishte aty, në nji sanatorium, por jo në rrezik. Desha ta shof. Shoku përtoi e nuk e pashë. Këtë gabim nuk ia fal as shokut as vetes, me gjithë qi asnji prej nesh nuk mendoi se Migjeni do të mbeste kësaj here për fare në vend të huej.

Migjeni hoqi kryekëput dorë nga metrika e jonë klasike, tue mos përdorum as rithmat e saja konvencionale, as rimat me vend të caktuam. Vargjet e tij të lirë shoqnohen shpesh nga asonanca e fort rall nga rima. Përbuzja e asonancës asht nji paragjykim i vjetër: asonanca merret si element muzikor ma i dobët e ma i vorfën se rima. Migjeni i dha me të drejtë vendin e nderit asaj në poezin e vet.

Dikush do të pyesi: -Po ç’asht kjo poezi pa rimë e pa rithëm? Si mund të ketë poezi kështu?

Nji kësi pyetje e bajnë ata qi s’e dallojnë vargun metrik nga poezia. Tue përziëm vargënim e poezi, ata harrojnë se ka vargje të përpikët pa farë poezije brenda, e prozë qi asht poezija vetë. Me fjalë të tjera, për Migjenin- si dhe për na- poezia nuk asht as vargu as proza, po diçka qi shfaqet në to, tue u dalluam prej tyne. Prandaj nuk mund të thomi se Migjeni s’asht poet, vetëm se të shprehunit e tij vesh nji rrobe qi i përgjanë hem vargut hem prozës, qëndron në mes së të dyjave.E at’here si ta njofim poezi kur as vargu as proza nuk e cilësokëshin? Vetëm me anë të nji leximi! Porse muzika, sentimenti e imagjinata, qi përdor fantastikun ose realitetin, do të jenë kurdoherë tri elementet ma kryesorë të saj. Se të shofim pra se në çvend zanë ato ke Migjeni.Vargënimi me rithëm mekanik të caktuam e me rima pa halë e pa kokë, i duket shum i thjeshtë e i vorfën Migjenit, sepse na jep vjerrsha me tinguj të pandryshuëshëm, monotonë, qi nuk pajtohen as me larmin as me lëvizjen e dinamismin e jetës. Në poezin popullore, mënyra pitoreske e të shprehunit, me ekspresione qi akne nji jetë të gjatë përdorimi e shijimi, i vjen në ndifëm vobeksis së rithmit. Ashtu ban edhe asonanca për rimën.

Në poezin artistike qi nuk lidhet me shprehjen e popullit, vetëm hovi i sentimentit- i ndiesis- së poetit mund ta shduki atë monotoni. Se ndjenja asht vetë dinamizmi i jetës dhe hovet e saja i apin vjerrshës ose prozës rjedhjen e valimin e harmonishëm, organik, qi asht esenca vetë e poezis.Ke Migjeni, hovi i ndjenjës krijon nji varg fare të ri, në vend qit ë merret me vargënimin e vjetër. Si çdo varg i lirë, ai i Migjenit nuk ka një teknikë të caktuëme e nuk i përulet ndonji konvencioni të përgjithëm: përbahet vetëm nga hovet e ndjenjës së poetit. Këto hove janë rrall të shpejta, të rrebta, dredharake, të preftë e t’ashpra. Regullisht, janë t’avashme e rjedhjen si nji ujë i qetë ku pasqyrohet e gjithë jeta përeth, ose flejnë si prushi përvëtues e nuk lëvizin si flaka qi rrëmben e shuhet shpejt. Ky rithëm karakteristik asht pjella e natyrshme e nji shpirti të butë e të mbyllët, të zymët e të sëmurë, me nji brengë të fellë, qi s’i ndahet kurrë poetit dhe e përvëlon- si prushi në he- në mushkëni. E këtu provohet se sa e vërtetë asht shprehja e Migjenit, për të cilin nji mik i emi skrupuloz dyshonte se mos nuk ishte e sinqertë, nga qi mjaft e errët.

Njime, le të hudhemi ke imagjinata.

Tue filluam nga vjerrshat e para, botuam nëpër fletoret shqipe të Rumanis, vjersha me nji botë andrre fantastike e metafizike, qi dalë nga dalë i le vendin realitetit vetiak e shoqnor, Migjeni asht nji thesar figurash të çdo lloji: prej ma t’errtavet deri ke ma të qartat, prej ma të gjatave e ma të ndërlikuëmet deri ke ma të voglat e ma të thjeshtat. Vetëm se poeti pjerr nga t’errtit. Kjo ish e natyrshme në nji përdorim aqi të math të figurës. Mbasandej, nji simbolizëm ndjenje e jo metafore, si ke Migjeni, asht kurdoherë ma i errti. Me gjithat, duhet vuëm re ke poeti nji përpjekje progresive drejt të kthjelltit. Besoj se vetë natyra e brendis së vjerrshës, e ka shtytëm të jetë sa ma i kuptueshëm. Po këtë gja më duket të provojë edhe krahasimi i disa prozave - deri diku poetike – qi ka botuam e të vjershave: të parat janë aqë të kthjellta sa janë t’errta të dytat. Sidoqoftë, poeti duhet të ketë besuam se “nji frazë e kthjellët të kënaq si gruë qi epet lehtë, në leximin e parë. Në të dytin asht boshe”.(Leon-Paul Fargue “Sous la lampe”, Paris 1930, f.15)

Kështu Migjeni na del me nji art shum interesant e shum të begatshëm. Prandaj poeti ze dhe nji vend me randësi themelore në lindjen e zhvillimin e poezis së re shqiptare. Të shprehunit tonë poetik, Migjeni i ka sjellun disa mundësina të reja, të cilat do t’ishin edhe ma të përsosuna sikur ta kish lanë fati poetin të gëzonte jetën e vet e të mbaronte nji vepër të filluëme me aqi talent të math.

Veprën qi na la duhet ta mbledhim me kujdes e respekt të math e ta botojmë, se në të gjejmë prijësin ma të vlefshëm të nji rryme poetike, qi nesër mund të zaje nji vend me randësi të parë në literaturën t’onë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama