‘Kontakt’ lind në Venecia, një rrugëtim i gjatë dialogu ndërkulturor, që më vonë do të merrte emrin ‘Art Kontakt’ për t’iu përkushtuar shkëmbimit midis kulturave dhe fenomeneve artistike në rajonin e Adriatikut.
Ballkani konsiderohej ende si pjesa e errët e kontinentit. Duke patur parasysh faktin se mund të përfaqësonte një model referimi, së bashku me një gjykim të vëmendshëm mbi përfytyrimin e shqiptarëve dhe ballkanasve në imagjinatën kolektive të Evropës Perëndimore, jemi përpjekur të ngremë një ide mbi Evropën në tërësi përmes njohjes së saj nga Ballkani. Që në fillim, ky qëllim është konkretizuar me realizimin e aktiviteteve kulturore shumëdisiplinore, duke përqafuar letërsinë, artin bashkëkohor, historinë, poezinë, traditën etj. Figura e Ismail Kadaresë ka qenë në qendër të aktiviteteve kërkimore, të cilat kanë vënë theksin tek rëndësia ndërkombëtare e veprës së tij. Që në vitet e para të krijimit, ‘Art Kontakt’ ka luajtur një rol të rëndësishëm në hulumtimin dhe nxitjen e fenomeneve artistike bashkëkohore të para si faktor i fuqishëm bashkimi midis njerëzve e shoqërive, zhvillimit social e ekonomik.
Prej vitit 2007 ‘Art Kontakt’ filloi të veprojë kryesisht në Shqipëri, ku ka dhe qendrën e tij dhe ka përqendruar vëmendjen ndaj përmasave artistike bashkëkohore dhe ndërkombëtarizimit. Gjatë këtyre viteve janë realizuar festivale arti dhe janë përdor teknika të reja dhe gjuhë krijuese në fusha me interes historik, me ngarkesë simbolike, kujtese dhe identiteti të përbashkët historiko-kulturor duke i dhënë publikut një vizion të ri krijues mbi monumentet e kulturës. Natyrisht, është një sfidë e madhe të veprosh në fushën e artit bashkëkohor në një vend si Shqipëria, ku ka një mungesë mbështetje thelbësore të muzeumeve dhe galerive të artit, por kjo nuk na penguar që ta përdorim forcën e artit bashkëkohor, i cili falë punës së artistëve, kuratorëve, kritikëve dhe drejtuesve nëpërmjet artikujve, reflektimeve, librave dhe debateve, kanë krijuar një sistem origjinal prodhimi kulturor. Art Kontakt është angazhuar në komunikimin e ideve gjithnjë eksperimentale dhe të risive, të afta të ngrenë debate dhe të gjallërojnë çështjet mbi rolin estetik dhe etik të artistit bashkëkohës, duke nxitur vetëreflektim mbi dinamikat dhe kontradiktat e kohës sonë.
Me rastin e 10-vjetorit të krijimit, Art Kontakt paraqet “Fragile Limits” (Kufij të Brishtë), tre ditë të gjalla e të pasura me aktivitete të përgatitura nga disa nga miqtë tanë më të mirë, që do të kenë në qendër kryesisht performancat, një disiplinë artistike kjo, që ka patur një rëndësi të madhe në historinë e aktiviteteve tona e që duam të festojmë. Titulli merr frymëzimin nga projekti artistik i konceptuar nga ‘VestAndPage’ e që bazohet në brishtësinë e sferës biologjike, psikologjike dhe shpirtërore të njeriut bashkëkohor. Një brishtësi që Art Kontakt dëshiron ta zbulojë edhe në kufijtë fizikë, kufijtë realë dhe fenomenet shoqërore. Nuk pretendojmë t’u japim zgjidhje problemeve, por jemi të bindur se gjuha e artit mund të përmirësojë në vizionin për botën dhe të rrisë mirëkuptimin midis njerëzve.
*Themelues i “Art Kontakt”