Njëra i është rezervuar paraqitjes "Refleksione" në të cilën prezantohen libra shkollorë nga Gjermania, Bjellorusia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Franca, Mali i Zi, Rumania, Polonia. Qëllimi është të tregohet se si është përshkruar viti 1989 në librat e ndryshëm në Evropën Lindore.Në grupin e dytë bëjnë pjesë artistët: Stephan Balkenhol, Nikolin Bujari, Uros Djuric, Jakup Ferri, Driton Hajredini, Petrit Kumi, Istvan Laszlo, Peggy Meinfelder dhe Kamen Stoyanov, vepra e të cilëve bazohet tek tema e kujtesës.Kurse pjesa e fundit, e "Artistëve Rezidentë", i takon artistëve që jetojnë në Berlin dhe Tiranë: Roland Albrecht, Stephan Balkenhol, Julia Kissina, Ledia Kostandini, Jin Lie, Armando Lulaj, Anke Mila Mencks, Beatrice Minda, Juli Ndoci, Alketa Ramaj, Albrecht, Schäfer, Zuzanna Skiba dhe Gabriela Volanti. Përveç mediave të zakonshme tashmë të artit pamor, video, instalacion, pikturë, disa artistë kishin gjetur një formë ndryshe për të treguar ndryshimin. Fjala është për koleksionet. E njëjta ide e përdorur si tek krijuesit e huaj ashtu edhe tek ata shqiptarë.
Artistja gjermane Peggy Meinfelder në disa tryeza xhami prezantonte koleksionin me titull "100 marka perëndimore", kasetofonash, veshjesh, disqesh muzikore të blera në kohën pas Rënies së Murit të Berlinit.Kurse artistja shqiptare Alketa Ramaj, u prezantua me koleksionin e letrave të karameleve dhe çokollatave, një koleksion shumë "i vyer" në ato vite. Të tjerë artistë pjesëmarrës në "Feedback 1989", të quajtur "artistë të kujtesës", si një formë më realiste për të treguar.
Këtë tezë e mbështetëse artisti nga Bullgaria Kamen Stoyanov dhe ai shqiptar Petrit Kumi. Në serinë e fotografive "Hello Lenin" ai vetë ndodhet mbi një piedestal të zbrazët, aty ku më parë pat qëndruar statuja e Leninit. Petrit Kumi në serinë e fotografive "Retrospektivë", fikson ngjarje nga jeta kulturore, si dhe ajo e përditshme.Kur mbaron këtë itinerar përballë propozimeve dhe reflektimeve për Luftën e Ftohtë dhe rënien e regjimeve totalitare, vë re se artistët shqiptarë janë origjinalë, artin e tyre e kishin sjellë thjeshtë dhe ç'është më e rëndësishmja tregohen shumë të përkorë dhe të kujdesshëm për të mos përdorur subjekte klishe të komunizmit si statujat e diktatorit apo bunkerët.
"Hapni dritaren", instalacioni i Juli Ndocit
Një sënduk i vjetër kujtimesh, fotografi, poezi, këngë festivalesh, fletë ditari që mbajnë datat "Janar '89", "Pranverë '89", "20 vjet më vonë". Në fletën me datë dhjetor '89, Juli Ndoci shkruan: "Do merrja pjesë në koncertin e pranverës me këngën "Mall", poezi nga Ismail Kadare, muzikë të Maksim Shehut dhe pavarësisht që isha 18 vjeç këngën ma hoqën me argumentin se "isha shumë e re të këndoja për dashurinë" dhe një vit më vonë, për Festivalin e 90-tës, ne kënduam këngën në Festival, por nuk u transmetua në televizion.
Frederiku kishte pantallona lëkure veshur, fundi i Morenës e ai i imi qenë mbi gju, flokët të lëshura e nganjëherë i jepja një valëvitje, pastaj teksti..." Kështu rrëfehet artistja në video-instalacionin e ekspozuar në katin e tretë të "Dajtit".
Nikolin Bujari, "Sloganet" instilacion
Artisti Nikolin Bujari ka zgjedhur pushimet midis shkallëve për të ekspozuar dy slogane "Shqipëria shkëmb graniti" dhe "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa", e para në grinë murale, kurse tjetra e ngjyrosur në blu.Duke dalë nga Hotel "Dajti" dhe hedh vështrimin pas, të duket sikur ato thonë "Ne do jemi në çdo kohë, ndryshojmë vetëm formën e të shprehurit. Gjatë ditëve të ekspozitës, artisti do të prezantoj instalacione të tjera.
Jakup Ferri "Dy emrat", video 15min, 2008
Një video tepër e natyrshme, ku është vetë protagonist. Gjatë 15 minutave ai bën klasifikime midis pirgjesh të ndryshme rrobash të shpërndara nëpër dhomë. Të vetmet fjalë që dëgjon janë "kanë hyp në aeroplan", "jo i kam blerë këtu". Gjatë gjithë kohës ai përpiqet të kujtojë nëpërmjet veshjeve se çfarë i përket së kaluarës dhe çfarë të sotmes.
Gazeta Shekulli