Arti shqiptar ka parametra konkurues ne bote

Arti shqiptar ka parametra konkurues në botë
Peizazhe të mjediseve të çrregullta, portrete të veçanta, natyrë, qytete, personazhe, ditët me borë e me shi të bejnë që të kalosh nga një botë në tjetrën, nga një simbolikë në tjetrën dhe në secilën të provosh emocione të veçanta. Në çdo grafikë përfaqësohet një tematikë sociale, një pjesë e jetës dhe problematikës shqiptare.


- I jeni rikthyer artit pas një pauze. Diçka në lidhje me “arratinë “ tuaj ndaj artit dhe veçanërisht për ekspozitën e fundit?
- Kjo nuk ka qenë një kohë kur unë kam hequr dorë nga arti, përkundrazi, kjo periudhë 3- vjeçare ka qenë shumë produktive për mua. Pra, gjatë kësaj kohe nuk kam ndaluar së krijuari. Gjithashtu, personalisht jam më tepër për ekspozita individuale sesa kolektive, përsa i përket efikasitetit që të parat kanë në drejtim të menaxhimit të vlerës. Gjatë kësaj kohe jam marrë edhe me studime. Konkretisht dua të përmend këtu një libër për artin për Galerinë Kombëtare, me të cilin jam duke punuar. Pra, ajo që dua të them është se çdo artist ka nevojë për një periudhë kohore refleksioni që të mbartë emocione për t‘i transmetuar më pas tek publiku, siç është edhe ekspozita në fjalë.
- Cila është e veçanta e gjinisë së grafikës, mesazhet që ajo përçon në ekspozitën tuaj?
- Grafika është nga ato gjini të artit që e merr emocionin aty për aty. Ajo ka mundësi dhe flet me gjuhën e ditës dhe ky fakt e ka bërë që të jetë edhe mjet i shtypit. Pra grafika bëhet pjesë e angazhimeve dhe problemeve sociale.
- Ju jeni një grafist dhe piktor i njohur. Si e shikoni zhvillimin e grafikës në vendin tonë?
- Në Shqipëri ka pasur grafistë shumë të mirë. Dua të përmend këtu disa emra si, Lumturi Dhrami, Pandi Mele, Sietllana Strazmiri, por edhe shumë të rinj që po afirmohen në këtë fushë. Sot grafika përdoret në shumë forma, mua personalisht më pëlqen gdhëndia. Përsa i përket zhvillimit të saj fatkeqësisht në ditët e sotme shumë pak merren me grafikë, pasi kjo gjini kërkon një publik me shije, finesë dhe me shumë dashuri, pra ajo nuk mund të përthyhet nga një publik i zakonshëm. Njëkohësisht, nga ana konvencionale grafika nuk shitet lehtë.

- Si e shikoni zhvillimin e artit shqiptar në përgjithësi dhe pikturën në veçanti? Cilat janë disa nga problemet që i shqetësojnë?
- Duke u nisur nga një aksiomë e përgjithshme historike që e ka shoqëruar artin në të gjitha kohrat, (flas këtu që nga arti egjiptian e këtej mund të them se arti ka qenë gjithmonë pjesë e zhvillimit ekonomik. Pra arti dhe zhvillimi ekonomik-shoqëror ndjekin njëri-tjetrin. Konkretisht në vendin tonë ne kemi pasur një zhvillim me hope dhe jo të vazhdueshëm. Kemi pasur 50 vjet izolim të përgjithshëm, ku përfshihej edhe arti, dhe ndërkohë që bota eksperimentonte me rrymat më interesante të shekullit ne gjendeshim të frenuar. Pas viteve 90, revolucioni demokrat solli lirinë e krijimtarisë dhe shkëmbimin e eksperiencave të reja me botën. Pra nëse dal përsëri tek ideja e mëparshme dua të them që një zhvillim i kufizuar dhe jo në nivele të larta i ekonomisë dhe shoqërisë së një vendi nuk është aspak stimulues për zhvillimin e artit. Megjithatë kohët e fundit janë bërë ndryshime të dukshme, dua të përmend këtu një grup të rinjsh që janë duke aplikuar në fushën e artit bashkëkohor. E them me bindje se arti shqiptar mund të ketë parametra konkurues në botë, por nuk ka mjaftueshëm ekspozita që të tregojnë se shqiptarët janë pjesë e konkurrencës botërore. Pra ka një mungesë nga ana jonë në tregun botëror që ndikon në zhvillimin dhe frenimin e artit.

- A ju mungon Galeria e Arteve të cilën ju e keni drejtuar për disa vjet?
- Nga Galeria e Arteve më mungon ajo pjesë të cilën nuk arrita ta realizoja. Një njeri që shkon për të drejtuar një institucion të tillë duhet të ketë pasione të mëdha dhe nje dashuri të madhe. Siç e thashë më lart, mua më mungon ajo pjesë që nuk arrita ta beja, pra, konkretisht, një transformin rrënjësor që do ta shndërronte atë në një nga institucionet më të rëndësishëm të rajonit. Pra, kjo galeri do të shkonte drejt muzeut të artit shqiptar me parametra të realizuara që do ta rreshtonin atë në rradhë me institucionet më serioze të shumë vendeve. Për ta bërë të mundur këtë gjë do të merrej një fond që do të përdorej për rikonstruksionin, ku përfshihej zgjerimi i sallave të ekspozimit, gjithashtu po përgatiteshim edhe për krijimin e guidës së galerisë e shumë gjëra të tjera, por duhej përfunduar njëherë sistemi muzeal, para së gjithash. Nëse do më pyesnit nesë ka mundësi të rikthehesha në Galeri për të marrë përgjegjësi të tilla, mund t‘iu them se me shumë seriozitet do të shikoja marrëdhëniet që janë krijuar këto 3 vjet në aspektin e drejtimit të institucionit në fjalë. Më duket interesante krijimi i një tjetër qendre ekspozite që do të lironte shumë angazhime nga puna që ka Galeria e Arteve.

- Një mesazh që ju doni ta jepni me anë të ekspozitës suaj?
- Çdo punim në vetvete përmban një mesazh të caktuar dhe një gjendje shpirtërore të veçantë. Siç e përmenda edhe më sipër, është pikërisht në natyrën e grafikës që të bëhet pjesë e angazhimeve sociale, të prekë probleme dhe në të njëjtën kohë të transmetojë emocion. Për shembull, në një punim paraqes disa njerëz që luajnë në lojrat e fatit, pra improduktivitetin. Ose në një punim tjetër janë përshtypjet që të lë një ndeshje boksi, pra, njerëz që janë aq agresiv në skenë, por, me të mbaruar ndeshja ata janë po kaq njerëzorë. Pra mesazhet janë të shumta dhe secili i veçantë.



1983 - Kryen studimet në Institutin e lartë të Arteve Tiranë
1985 - Kryen studime pasuniversitare për kritikë e studiues arti.
1986 - Pedagog i jashtëm në akademinë e arteve dhe mësues në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli”, Durrës.
1997 - Qendra Ndërkomb e Kulturës, Drejtor i Dpertamentit të Artit Viziv.
1999 - Krijon agjensinë e menaxhimit të artit
2001 - Qendra Tregëtare dhe e Zhvillimit Kulturor, ortak shtetëror
2002-2005- Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve
2005-2007 – TV News 24
2007 – Nëndrejtor në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura

- Grafisti dhe piktori i njohur Abaz Hado ka hapur disa ekspozita personale jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj si, në QNK Tiranë, në Durrës, Japoni, Hollandë, Austri.
- Gjithashtu ai me punimet e tij ka qenë pjesmarrës edhe në ekspozita kolektive, përmendim këtu të gjitha ekspozitat kombëtare dhe ato të Onufrit.
- Në të njëjtën kohë ai ka qenë edhe pjesë e bienaleve ndërkombëtare në Gjermani, Slloveni, Egjipt, Bosnjë, Bullgari, Spanjë, Maqedoni, Japoni, Norvegji, Polloni, SHBA, Rumani shumë vende të tjera.
- Ai është anëtar i disa klubeve të grafikës në disa vende të botës si Spanjës, Bosnjës, Holandës etj.
- Ka shumë punime në galeri muze e koleksionistë privatë.
- Një vepër e tij ndodhet në muzeun e Mbretëreshës së Anglisë.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama