Arti skenik bashkekohor ballkanas...

Arti skenik bashkekohor ballkanas...
As që mund të merrej me mend se fillimi i vjeshtës, mund të sillte në Shqipëri dhe konkretisht në Tiranë në sallat e Teatrit Kombëtar, një ngjarje kaq të madhe dhe njëkohësisht intime, ku shqiptarët, bullgarët, malazezët, serbët, maqedonasit, kosovarët dhe grekët të mund të luanin në të njëjtën skenë, të duartrokisnin njëri–tjetrin dhe të përshëndeteshin me shumë dashamirësi pas çdo shfaqje teatri, sikur të ishin kolegë dhe miq prej kohësh, të ngallëzyer nga potenca dhe dashamirësia e madhe njerëzore që të jep teatri dhe skena. Ja se si, atë që nuk e bën dot politika, e arrin arti, si një komunikim i magjishëm shpirtëror.

Teatri, pra, bëhet kështu, “NJË URË LIDHËSE“ me themele shumë të forta, për të mbajtur mbi të peshë shumë të madhe artistike, mbi të cilën do të ecin me shumë krenari dhe dinjitet me qindra artistë ballkanas, për ta gjetur njëri-tjetrin si dikur në origjinën e tyre, kur nuk kishin asnjë motiv për tu ndare dhe për tu grindur. Fitili i fuçisë së barutit është shkurtuar aq shumë sa nuk kemi më frikë nga ndarja, mëritë e vjetra apo luftërat absurde. Kështu do të mbyllet përgjithmonë sipari i Teatrit të dikurshëm të luftës, do të harrohen mëritë e vjetra dhe koha do të hapë siparin e NJË TEATRI EUROPIAN.

Tragjikomedia ballkanase do të interpretohet krejt ndryshe, sikundër do të shkruajnë artistët e, jo politikanet tanë dritëshkurtër.Festivali i Teatrove profesionistë të Ballkanik është treguesi më i mirë i këtij aspekti të së ardhmes, që është fare pranë. Nismëtari i manifestimi të parë teatror është regjisori i talentuar Gëzim Kame, autor i një sërë veprash skenike bashkëkohore në Teatrin Kombëtar (e më gjerë) që aspiron ta kthejë në traditë këtë ngjarje të pazakontë që e kapërcen politikën dritëshkurtër dhe frymën nacionaliste...Është fjala për një takim të skenës ballkanase në stadin e sotëm bashkëkohor ku producentë të teatrit, regjisorë, aktorë, skenografë, etj shpalosin vlerat e tyre humane përmes pèrfomancave spektakolare të artit skenik. Niveli artistik i ngritur në një lartësi të admirueshme, repertori i zgjedhur, si edhe larmia e zhanreve, stileve dhe konceptimeve të ndryshme, që të gjitha në një sfond bashkëkohor, sjellin këtu një risi të gjithanshme.

Kësisoj kemi se me çfarë të performojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Tetë spektakle si: “Gjashtë-personazhe kërkojnë autor” të Pirandellos, i Teatrit Kombëtar, “Thornapple” nga Guergue Karaslavov i Teatrit Dramatik të GABROVËS, (Bullgari), “Më shumë se terapi” Nga Cristopher Durang i Teatrit të qytetit të Podgoricës, (Mali i Zi); “Sokoli thërret shqiponjën” nga Miroljub Nedoviq i Teatrit Popullor të Timokut, “Zoran Radmilloviq” – Zajeqar(Serbi), “Karriget” nga Eugen Jonesko i Teatrit të vogël të Dramës në Manastir (Maqedoni), “Një përkujtim në kafe–teatër” nga Haqif Mulliqi i Teatrit Dodona (Kosovë-Prishtinë), “Hamsteret e vegjël e të mjerë” nga Gordan Mihiq i Draft Teatër Tuzell (Bosnje–Hercegovinë), si dhe “Ditari i një të çmenduri” nga Nikollay Gogol i trupës Blue-Plaque të Athinës, përbëjnë një mozaik të shfaqjeve të spikatura që tërheqin vëmendjen e publikut kryeqytetas për gjashtë ditë me radhë.

Qysh në fillimin e këtij Festivali spektatorin e befasoi zhbirimi në botën e personazheve të përditshme të nobelistit Pirandello prej regjisorit Mehmet Xhelili, ku fantazia ngërthehet dhimbshëm me realitetin ekzistues tragjikomik, ku njerëzit e pashpresë përpiqen të kapen diku, si ai i mbyturi në detin e thellë dhe ku mesazhi human gati “ulërin” përbrenda një jete të zbrazët të atyre të mjerëve që vërtiten midis ekzistencës dhe mosekzistencës. Regjisorët bullgarë Nevene Miteva dhe Nadia Asenova në shfaqjen e tyre joverbale, nëpërmjet gjesteve, mimikës, e lëvizjeve, me një plastike të admirueshme e “lexojnë“ skenikisht romanin e Guergue Karaslavov, brenda një ore, pa fjalë, duke na e dhënë si në pëllëmbë të dorës, imazhin e fshatit bullgar të viteve ‘30 të këtij shekulli, me të gjithë vorbullën e vet të varfërisë, ku veset, thashethemet e kotësia ua marrin frymën fshatarëve të thjeshtë deri sa të “trokasë” në dyert e tyre zija e vdekjes. Dritëhijet e forta të këtyre dy shfaqjeve krijojnë atë drithërimë qe ngacmon shpirtra e i ngre peshë.

Krejt ndryshe, si koncept e stil, janë tre spektaklet që pasuan Festivalin. Nëse regjisorja e Podgoricës, Alisa Stojanoviç e trajton veprën e amerikanit Duram në terrenin ballkanas me një satirë të lehtë, elegancë dhe lëvizje vodevileske, ku marrëdhëniet njerëzore, “operohen“ në anën e tyre “tabu” si përkrahje e lirisë seksuale, të gjithë tipat e kategorisë, regjisori serb, Miroljub Nedoviç e trajton tehun e satirës në trajtën më konkrete realiste, në ato persona që trazojnë jetën e tjetrit me survejime dhe lodra të rrezikshme; ndërsa regjizorja maqedonase Luba Milosheviç nëpërmjet mjeshtërisë së lartë të aktrimit të Joana Popovska e zbërthen denjësisht Joneskon në të gjithë gamën e absurdit të vet, si imazh i fortë i një femre që kujton, herë me nostalgji dhe herë me dhimbje, të kaluarën e papërsëritshme në një kohë kur janë prishur proporcionet e jetës. Tre spektaklet e fundit të Festivalit, i pati Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Greqia.

Regjisori Dragan Stajiqi me një vështrim farsesk vuri shumë bukur në loje etjen e nëpunësve të paaftë për tu ngjitur në shkallën e karrierës zyrtare ku janë radhitur pushtetarë të të njëjtit kallëp, që kanë të përbashkët “trurin”, “oreksin” dhe “brekët”. Regjisori dhe dramaturgu i mirënjohur kosovar Haqif Mulliqi e trajtoj dramën e tij në thelbin e një tragjikomedie që ka në thelbin e vet zhgënjimin e një luftëtari të lirisë kur befas e mbulon harresa e shoqërisë civile dhe e pushtetarëve të rinj. Toni zbavitës është një perde që mbulon honin e thellë të dhimbjes që pikon gjak dhe që do të mbyllet me atë vetëvrasje e cila kthehet në protestë afirmuese për veprën e heroit.

Dhe sipari i festivalit do të bjerë me shfaqjen e regjisorit Andrea Visnjevski mbi tregimin e famshëm të Gogolit ku satira do të veprojë edhe më me ngulm, duke e sjellë të çmendurin e Gogolit më afër ditëve tona. E qeshura të bën të qash kur “madhështia “e njeriut të vogël kërkon të ngjitë “Gurin e Sizifit “për tu rrokullisur bashkë me të dhe çmenduria e nëpunësit të Gubernës ruse, që do të behet edhe “mbret “do të rrëfejë njëherësh edhe marrëzinë e kohës tonë.Festivali i Teatrit Profesionist Ballkani e përligji platformën e vet si një veprimtari dinjitoze për artistet e rajonit, duke ia lënë vendin Festivalit të ardhshëm në 2011-ën me një organizim dhe sponsorizim edhe më të fuqishëm për ta kthyer edhe në një ndërthurje vlerash arritjesh dhe eksperimentesh bashkëkohore.

Ndërkohë, hapje-mbyllja e siparit teatror rrëfeu se shkolla shqiptare e aktrimit ka arritur në nivele të tilla europiane saqë nuk mund të rrish pa bërë krahasime me kolegët ballkanas. Kështu, aktorët tanë Fatos Sela, Eftiola Laçka, Olta Dako e me radhë me një diapazon të gjerë të figurave të tyre të skalitura, mbartin një jetë të thelle dhe të papërsëritshme të roleve; aktorja maqedonase Joana Popovska e përjeton rolin brenda vetvetes me një konkretësi të shkëlqyer duke, krijuar imazhe të forta edhe pa pasur partner. Aktorët bullgar, Slavyana Lynbomirova, Silviya Boeva dhe Kamen Ivanov, janë më të kuptueshëm në lojën e tyre ekspresive dhe pafjalë se sa aktorë të tjerë, që derdhin lumenj fjalësh në shfaqjet e tyre. Aktorët malazez Pavlle Ilic, Maja Sajanac e Ivona Covic, krijojnë me finesë tipa të veçantë Vodvilesk, që ngjitin në kujtesën e gjithsecilit.

Aktorët boshnjak Dragan Teshiq, Emir Sejraniq dhe Marjo Vranjesh, kanë jo vetëm zëra të fuqishëm por, në ato kallëpe burokratike ku i ka futur autori dinë tu japin figurave të tyre nuanca të veçanta, satirizonjëse. Aktorët serb Milutin Veshkovic, Milosh Gjuric e Natasha Petrovic, janë shëmbëlltyra e një jete skenike konkrete mbi bazën e një interpretimi të natyrshëm dhe me humor. Edhe aktoret kosovarë Ismet Azemi dhe Mentor Zymbyraj, pa e luajtur teatralisht dhimbjen që buron nga drama e tyre kanë në vetvete atë thjeshtësi që i nevojitet figurës për të qenë sa me konkrete dhe jetësore. I tillë po në planin ëndërronjës do të jetë edhe aktori Laert Vasili në rrëfimin Gogolian. Etjen për tu bërë njeri i madh ndoshta edhe mbret Vasili ia ushqen vetes me tërë marrëzinë e këtij tipi që do të përfundojë në çmenduri të plotë, duke pasur një interpretim elegant dhe të përafërt me kohën që jetojmë.

Përfundimi i suksesshëm i këtij Festivali në edicionin e tij të parë, si një afirmim i vlerave teatrore, edhe pse me mangësira e probleme shënoi njëkohësisht startin e fillimit të Festivalit të ardhshëm, i cili duhet të organizohet me kritere më të shëndosha duke evituar edhe probleme të tilla si spontaniteti, mungesa e subtitrimeve dhe rrëshqitja në program e ndonjë shfaqjeje jo në nivelin e duhur. Në skenën ballkanase duhet të ketë vetëm vlera cilësore. Gjatë sezonit teatror në këto vende ka edhe kulme të artit, të regjisurës, dhe të aktrimit, novacione dhe krijime të avangardës, të cilat duhen gjurmuar seleksionuar dhe sjellë në Festival kundrejt një sponsorizimi dhe më të lartë duke përfshire këtu dhe kontributin financiar të pjesëmarrësve. Vetë vendi pjesëmarrës duhet të përzgjedhë dhe sjell shfaqjen e vet më të mirë dhe ta vërë përballë një konkurrimi në arenën ballkanike nga ku do të shpallet shfaqja më e mirë në Ballkan, si dhe regjisori, aktori dhe skenografi më i mirë.

Festivali i dytë i cili do të jetë një manifestim i vërtetë i artit të vërtetë ka dhe një shans tjetër: Do ta gjejë Ballkanin e dikurshëm të ngarkuar “me lëndë eksplozive” në një vend të qetë, unik dhe paqësor. Askush nuk u çudit kur pas shfaqjeve të fundit artistët serbë u ulën në të njëjtën tavolinë me artistët shqiptarë të Kosovës me boshnjakët dhe maqedonasit, si dhe me mikpritësit vendas. Hëngrën, pinë dhe kërcyen së bashku duke pasur në krye të trapezit dhe të valles dhe ambasadorin serb. O Zot! Flladi që po fryn në Ballkan është i mbarë. Por Festivali i ardhshëm teatror do të jetë edhe më i mbarë akoma.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama