Sot, 22 dhjetor bëhen plot 105 vite nga lindja e Plakut Buza dhe këtë rast i biri e kujtoi me këtë ekspozitë, ku për herë të parë i prezantohen shikuesit 105 bocete të pikturave, vizatimeve, akuareleve, temperave, të realizuara ndërmjet viteve 1929 deri më 1986, një vit para vdekjes. Buza biri bëri këtë zgjedhje sepse mendon që këto punë i vlejnë publikut për një komunikim të parë me artin që Abdurrahim Buza krijoi në studio, i lirë, i pavarur nga skema e realizmit socialist.
Si njihej artisti deri në këtë kohë?
"Nëpër ekspozita prezantohej me tablo që kishin një ide që i shërbente çështjes kombëtare. Në fund të fundit, realizmi socialist nuk e përjashtonte temën patriotike", thotë Kujtim Buza dhe thekson që këto piktura "nuk janë fshehur skutave, sënduqeve, apo nëpër tavane".
I ka pasur në studio dhe ua ka treguar miqve shkrimtarë, piktorë, poetë.
Ndihet kjo lloj lirie për të cilën Kujtim Buza flet duke iu referuar disa punëve në ekspozitë. Prezantohen aty, portrete të vrara të burrave malësorë, me nofulla të dala e sy të shqyer, që shprehin hapur urrejtjen, mllefin, por thellë edhe pikëllimin e vuajtjen.
"Një kolegu i tij një ditë i tha, ta bëjë malësorin pak më të bukur.
Abdurrahimi iu përgjigj: Ti ke të drejtë, edhe ashtu mund të bëhet, por ky malësor nuk të sheh ty, ai sheh shkjaun, që nuk mundet ta shohë me sy të qetë e të përlotur", sjell ndër mend një kujtim para vizatimit me laps të malësorëve, i biri i artistit. Ka shumë piktura dhe akuarele që i kushtohen jetës në malësi: dasma malësore, bariu që i bie fyellit për vashën e bukur, nusja dhe dhëndri në ditën e dasmës, vjehrra me nusen në çast grindjeje. Nudot. Ato meritojnë vëmendje më vete. Nudoja femërore në pikturën e Buzës është e lirshme. Ajo nuk është një model statik që pozon para piktorit. Është e gjallë, joshëse, provokuese. Në jo pak tablo, shihet që piktori e ka zbehur portretin e saj. Më tepër i intereson lëvizja dhe marrëdhënia që krijon me figurat e tjera. Në njërën, femra i jepet bashkëshortit, diku tjetër rrezikohet nga dikush që kërkon ta dhunojë dhe në disa të tjera, ajo luan me mjellmën.
Është një ndikim nga miti grek "Leda dhe Mjellma".
Buza i ri shpjegon se i ati u njoh me figurën e njeriut, qysh në bankat e Shkollës Normale të Elbasanit, më tej u perfeksionua në Akademinë e Firences nën ndikimin e artit të mjeshtërve italianë Correggio, Raffaelli, Tiziani.
"Ai mësoi atje të vizatojë figurën e njeriut, të njihet me njeriun dhe botën e tij, për të sjellë në Shqipëri një pikturë realiste, me elemente impresioniste dhe postimpresioniste. Madje, cikli i portreteve të tij të vitit 1934, janë të parat portrete kur njeriu dhe fytyra e njeriut, pikturohet me ngjyrat e luleve, në to ka jeshile, të kuqërremtë, portokalli. Ishin reflekset dhe ngjyrat që fitonte portreti në natyrë".
Por më tej artisti zhvilloi një individualitet. Zgjodhi të shprehet me një gjuhë të veçantë përmes metaforës, alegorisë, ironisë, sarkazmës. Kjo gjuhë është evidente në disa prej cikleve që ruhen në koleksionin e plotë të paekspozuar të Abdurrahim Buzës, një cikël kushtuar dashurisë, femrës, figurave mitologjike dhe sidomos mitit grek "Leda dhe Mjellma".
Me ekspozitën "Buza 105-vjeçar" zbulohet vetëm maja e ajsbergut të asaj pjese të krijimtarisë që Abdurrahim Buza krijoi për më shumë se gjysmë shekulli në studion e tij. Studioja ruhet sot e paprekur në apartamentin 13 në rrugën "Bajram Curri".
Në kohën kur Buza jetoi atje, nga 1973 deri në 1986, mbante emrin Rruga "Perlat Rexhepi".
Koleksioni i tij i plotë përmban me qindra vizatime, akuarele, tempera dhe piktura në vaj, që janë pjesë e cikleve që u prezantuan nga data 15 dhjetori deri më 22 dhjetor. Aty ruhet nudoja e parë, që artisti realizoi më 1935, pak kohë pasi ishte martuar. Zonja që i qëndroi model piktorit ishte e shoqja.
Në këtë koleksion janë ruajtur edhe vizatimet me bojë kine, e stilolaps brenda fletoreve 5-lekëshe të vizatimit. "Jam i bindur që ruaj një pjesë të shpirtit të tij", thotë Buza dhe premton që çdo vit, do të zbulojë gjithë koleksionin. Punë të tjera të Buzës ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në koleksionistë të artit në Shqipëri dhe Kosovë.
Dritëro Agolli për poezinë në krijimtarinë e Buzës
"Në qendër ai vë diçka që ta mbajë, diçka që ta bëjë të mendojë spektatorin. Dhe njeriun ndjen një humor të lehtë, fare të lehtë, ashtu siç e ndjen edhe një çast tragjik të thellë dhe një çast gëzimi të thellë. A nuk ndjejmë një humor të lehtë, kur burra të moçëm e djem të rinj luajnë "kala dibrançe".
A nuk ndjejmë një çast tragjik të thellë kur refugjatë të moçëm e të mitur braktisin vendlindjen me buzë të plasur, siç e braktisin sot shumë njerëz në vende të ndryshme të botës? A nuk ndiejmë një krenari kur malësori bëhet vetë zot i maleve? A nuk ndiejmë një gëzim kur gruaja mban në gji fëmijën dhe e ushqen me qumësht të bardh?
Kur në vepër është edhe humori edhe tragjikja, edhe krenaria edhe gëzimi, edhe qumështi, edhe toka, atëherë themi se artistit i vjen pjekuria. Ai ka një taban, ka një adresë, ka një emër që nuk mund ta ngatërrosh me të tjerët...
1980
Biografia
Abdurrahim Buza sot do të ishte 105 vjeç. Ai u lind më 22 dhjetor 1905 Shkup, në një familje gjakovare. Formimi i tij nisi në Shkollën Normale të Elbasanit dhe më tej në Akademinë e Firences, ku iu dha e drejta përmes një burse që të ndiqte studimet për pikturë monumentale dhe dekorative, nga viti1928 deri më 1933. Studioi në klasat e Cesare Ferros dhe Galileo Chinit. Kthehet në vendin e tij pas përfundimit të studimeve, ku fillon punën si mësues vizatimi në Shkollën Teknike dhe Gjimnazin e Tiranës, të parën shkollë vizatim, ku jepte mësim Odise Paskali dhe Andrea Kushi.
Më 1946, me themelimin e Liceut Artistik të Tiranës, u emërua mësues deri në vitin 1966. Për 20 vjet punoi, krijoi dhe ekspozoi në Tiranë, kryesisht mbi temën patriotike. Është autor i tablove: "Refugjatët", "Lojërat popullore", "Azem Galica me trimat", "Nusja Gjakovare", "Dasëm Kosovare", "Vikama". U largua nga jeta më 7 nëntor 1986, duke punuar me tablonë "Besa e maleve shqiptare".