Artistet e Migjenit Kjo leter bakalli na ka rene si bombe

Artistet e 'Migjenit': Kjo 'leter bakalli' na ka rene si bombe

Letra e drejtuesit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Edmond Angoni ka bërë që artistët shkodranë, ata që shumë vite të jetës së tyre i kanë kaluar duke realizuar shfaqje në skenën e këtij teatri, të reagojnë. Ata tregojnë për “Shekulli”-n se, ky teatër ka 15 vjet në këtë gjendje, dhe askush nuk është kujtuar për rindërtimin e tij. Kurse artistët pranë kësaj skene i ka mbajtur, dashuria për punën. Ata kanë punuar edhe në kushte të vështira, ashtu sikurse janë gati të punojnë edhe në vazhdim, vetëm dhe vetëm që ky teatër të mos mbyllet. Disa prej artistëve pagën nga puna si aktor në Teatrin “Migjeni” e kanë si të vetmin burim të ardhurash për të jetuar. Sipas tyre, zgjedhja më e mirë do të ishte që rikonstruksioni i teatrit të realizohet ose për një periudhë 15-ditore, ose gjatë periudhës së verës, kur artistët janë pushim.

Bruno Shllaku: Teatrin “Migjeni” nuk mund ta mbyllë askush

Aktori Bruno Shllaku e mendon si të pakonceptueshëm faktin se Teatri “Migjeni” duhet që të mbyllet. Ai shpreson se pas zgjedhjeve kjo situatë do të zgjidhet. “Nuk ka shqiptar që mund ta mbyllë Teatrin “Migjeni”. Teatri do të mbyllet vetëm kur të ngihen nga varret ata që e kanë themeluar, duke filluar që nga Lec Shllaku (im atë) e të gjithë artistët e popullit”. Shllaku tregon se pas bisedave që ka bërë me ish-punonjës ekonomikë të Teatrit “Migjeni”, të cilët kanë pas punuar për vite në teatër, ata kanë zbuluar disa dokumente shumë të çuditshme, ku midis të tjerave kishte edhe shitje të mëdha. “Pra nëse sot kërkohet që të merret dhe të bëhet një rikonstruksion, për rrjetin elektrik janë hedhur qindra dhe mijëra lekë, janë prerë fatura etj”.

A vazhdon aktualisht puna në teatër, apo janë mbyllur dyert?

Teatri “Migjeni” nuk është me dyer të mbyllura. Nëse ndodh kjo unë do të jem gërshëra e parë që do të pres dyert me forcë. Atë vend e kam vaditur me djersë, me gjak, me shpirt edhe me dhembje. Aktualisht kemi në dorë një komedi, po krijojmë gjërat tona, për të mbërritur më pas deri në Festivalin Ndërkombëtar të Selanikut. Në Teatrin “Migjeni” nuk flihet, punohet. Ata që nuk mendojnë për të ardhmen e tij, duhet që ta dinë se aty aktualisht punohet. Unë konkretisht jam duke punuar dhe pas 2-3 ditëve do të filloj punën në studio. Kam edhe shumë angazhime të tjera për këtë vit. Të jeni të bindur se askush nuk na ka thënë se teatri duhet të pushojë. E përsëris sërish se do të jem gërshëra e parë metalike, por kjo nuk do të bëj vaki. Unë nuk e di se teatri do të mbyllet, por nuk e shikoj këtë gjë si të keqe, nëse mbyllet vetëm për një 15 ditësh, derisa të bëhet një rikonstruksion. Nuk duam që të ndodhë sikurse ndodhi në Teatrin “Skampa” në Elbasan. Kjo është e hidhur, por edhe një shenjë e turpshme, sepse kjo godinë është ruajtur në një gjendje, që vështirë të mbash një tjetër teatër. Thuhet se shpeshherë janë marrë fonde, duke filluar nga grimcat, e deri te më të mëdhenjtë, por me to nuk është bërë asgjë deri tani. Kjo është për turpin e Bashkisë, e cila nuk ka kontrolluar se çfarë duhet të bëhet në atë teatër. Nëse pikon tavani, si është kabina etj., aty nuk është bërë asgjë. Punëtorët vetëm sa e kanë rregulluar, por situata është tepër alarmante. Titullarët e Bashkisë, të cilët interesohen për dy pllaka trotuaresh, duhet të dinë se aty ku lind kultura, lind dhe edukata, dhe ajo që përçohet në botën e sotme. Kurse për teatrin e Shkodrës ekziston dëshira që nga dita në ditë të mos vazhdojë më. Por se kush janë këta që e dëshirojnë, unë nuk e di. Unë kam shumë besim te qeveria se do të vërë dorë në teatrin tonë. Jemi teatër që përfaqësohemi në të gjithë Shqipërinë e Veriut edhe nëpër botë me këtë godinë. Prandaj këtë godinë nuk mund ta mbyll askush, ta heqin nga mendja. Teatri “Migjeni” nuk mbyllet.

Kryetari i Bashkisë në Shkodër Lorenc Luka: Duhet bërë një ndërhyrje përfundimtare

Është një shqetësim që kemi patur prej kohësh me Teatrin “Migjeni”, sepse prej shumë vitesh nuk ka patur rikonstruksion. Shqetësimi konsiston në një ndërhyrje të rrjetit elektrik, por që ka nevojë për investime. Prej disa vitesh me radhë ne kemi bërë kërkesa që ia kemi drejtuar Ministrisë së Kulturës, për një mbështetje serioze. Për të bërë në këtë vepër serioze, që është e veçantë për vlerat që ka, një ndërhyrje përfundimtare, për të mos patur asnjë rrezikshmëri. Prandaj për këtë arsye do të bëhet një harmonizim i qëndrimeve tona, njëkohësisht edhe me ata të Ministrisë së Kulturës, sepse ndërhyrja ka efektet e veta, është në kompleksitet një problematik, që lidhet me të, bëhet fjalë që të zgjidhen njëherë e përgjithmonë gjërat. Institucionet në bashkëpunim duhet të bëjnë një zgjedhje cilësore të teatrit.

Deri tani çfarë është bërë? Nuk ka patur asnjë mbështetje?

Deri tani ka qenë një grup ekspertësh nga Austria, që kanë parë problemet. Por shifra që ata kanë dhënë për këtë zgjedhje ka qenë shumë e madhe, edhe ne po kërkojmë që ta përshtatim me realitetin tonë. Duhej që ky projekt t’u paraqitej institucioneve të kulturës për të patur fonde të veçanta të Komisionit Evropian, por deri tani nuk është realizuar asgjë. Kjo qendër është shumë e rëndësishme për ne, prandaj zgjidhje është vetëm rregullimi i sistemit elektrik, sepse objekti është shumë i mirë.

Kumbaro: Financimi i Teatrit Migjeni varet nga Bashkia Shkodër

Ndërkohë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro rreth rikonstruktimit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër u shpreh për mediet se:“Migjeni është një institucion që i përket Bashkisë. Nga ana tjetër i takon edhe gjithë Shqipërisë se është monument kulture. Ministria e Kulturës ka detyrën e saj funksionale që të kujdeset për të gjitha objektet e monumenteve të kulturës, përsa u përket restaurimit të tyre. Ndërsa organizimin e brendshëm të funksionit si teatër institucional është i Bashkisë së Shkodrës, por ne e ndjekim nga afër dhe do të jemi në mbështetje, nga pikëpamja e financimit ai është një institucion i Bashkisë. Por Ministria e Kulturës është padyshim e vëmendshme, si ndaj institucioneve që janë drejtpërdrejt në varësi të saj, ashtu dhe ndaj institucioneve të kulturës, të cilat ndonëse nuk varen prej saj, por kontribuojnë në kulturën kombëtare. Do të jemi të hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës”.

Merita Smaja: Ka artistë që jetojnë me rrogën që marrin

Artistja Merita Smaja shprehet se për këtë situatë në të cilën gjendet teatri duhet që të bëhet një shpjegim nga drejtuesi i saj, që artistët të jenë më të qartë për çka po ndodh. Sipas saj, ka shumë vjet që këta artistë punojnë me instalime dhe aparatura të vjetruara, por këto kushte nuk kanë qenë asnjë pengesë që artistët të japin maksimumin e tyre. “Ka kohë që kjo gjendje në teatër është kështu. Që ne kemi aparatura të vjetra dhe instalime të vjetruara është bërë e ditur nga punonjësit, sepse me këto aparatura është rrezik që të punohet, por fakti që del në pah tani, na bën të dyshojmë, ndoshta këtë mundet ta shpjegoi vetëm drejtuesi i teatrit. Aktorët, pra ne punojmë në kushte minimale, por këto kushte nuk na kanë penguar kurrë të punojmë e të japim maksimumin tonë, sepse pasioni ne na mban gjallë e na bënë të punojmë çdo ditë për të sjell për publikun shfaqje sa më të bukura. Kurrë nuk na ka shkuar në mendje se çfarë mundet t’i ndodhë. Rregullime bëhen edhe në shtëpi, por kurrë pjesëtarët e saj nuk qëndrojnë jashtë. Mund të bësh meremetime, rregullime, transformime, e puna bëhet në një nga sallat ku punohet, e shfaqja bëhet gati për spektatorët në kohën e duhur. Rregullimet në fakt mund të bëhen edhe në periudhën kur ne jemi pushim, pra korrik-gusht po fus këtu edhe qershorin, e asgjë nuk e pengon punën të vazhdoj normalisht. Dëmi që mund t'u shkaktohet artistëve është i madh. Askush prej tyre nuk është biznesmen. Ata jetojnë me punën e tyre si aktorë, e nëse nuk marrin një rrogë mujore, mbesin pa bukë. Kjo duket si e parëndësishme për dikë që e ka bukën e siguruar, por për artistët është çështja e parë jetike, të gjithë kanë familje e përgjegjësi. Ne në radhë të parë kërkojmë, që të flasin me ne për problemet e teatrit, sepse vetëm duke biseduar mund të japim mendime për zgjidhjen e tyre. Kur problemet mbahen të fshehta, për arsye të panjohura ne mendojmë se edhe qëllimet janë të tilla. Gjithçka lë vend për keqinformim e ne nuk e duam këtë, duam që gjërat të thuhen drejt e qartë, e nëse thuhen ne do bisedojmë e mund të gjejmë zgjidhjen më të mirë”.

Rita Gjeka: Nuk e kuptojmë pse kjo letër doli tani

Rita Gjeka, një nga artistet e tjera të Teatrit "Migjeni" shprehet se është dy herë krenare për këtë godinë, sepse në të ka derdhur djersë edhe babai i saj, i cili ka qenë një nga drejtuesit e punimeve. “Teatri ‘Migjeni’ si godinë është inauguruar në vitin 1958 dhe është krenaria e qytetit tonë, si arkitekturë unë jam dy herë krenare për këtë godinë se aty është derdhur edhe djersa e babait tim të ndjerë, i cili ishte drejtues i punimeve. Fati deshi që unë të punoj prej 30 vitesh në këtë teatër, i cili për mua është shtëpia e dytë. Të them të drejtën është mëse e natyrshme që është amortizuar tej mase. Ne deri dje kemi punuar për të nxjerrë premierën e fundit dhe me vështirësitë natyrale (ndoshta na është mësuar lëkura) ja kemi dalë për bukuri. Salla është e ftohtë, por unë të tillë e mbaj mend gjithmonë. Kurrë nuk kemi lënë pa bërë një shfaqje se është ftohtë, më duket absurde. Nuk e kuptoj fare sepse kjo letër (me kaq shumë gabime ortografike, gjë që tregon ngutje të madhe) po qarkullon tani. Zona ku është instaluar burimi i energjisë ashtu ka qenë gjithmonë, por unë nuk jam elektriciste, që të kuptoj se çfarë defektesh mund të ketë. Drejtuesi i institucionit bashkë me teknikët përkatës kanë kohë të mjaftueshme të merren me këtë, në kohën që ne bëjmë prova për shfaqjet e reja. Rrogën për këtë punë e marrin, se artin e bëjmë ne. Ne punojmë në kushtet e gjithmonshme me një furnelë, e cila kushton 20 mijë lekë rehatohemi. Nuk kemi patur kurrë pretendime për kushtet e punës, kjo është shtëpia jonë dhe ne jetojmë aty. Kjo "pusullë bakalli" na ka rënë bombë, nuk na ka pyetur njeri dhe nuk e ka diskutuar askush me ne. Po të na ishte marrë mendimi të paktën do ishte shkruar pa gabime (qesh). Mbyllja e teatrit në sezon të plotë është dashakeqësi e pastër. Ka muaj kur teatri mund të mbyllet dhe ne jemi pushim. Teatri i Elbasanit u bë komplet i ri për 3 muaj. Unë pretendoj, jo propozoj, që menaxhimin e Teatrit “Migjeni” ta marrë një njeri që së pari ta dojë, ta njohë dhe të dijë sa delikate është sjellja me aktorët. Shkurt muhabeti: Të jetë i fushës, kompetent. Të gjenden fondet pak nga pak dhe të punohet pak nga pak. Dhe më e rëndësishmja të ketë transparencë me fondet”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama