Realizuar në kuadër të “Javëve të arkitekturës së Tiranës”, si një bashkëpunim mes artistëve shqiptarë të Qendrës së Multimedias Art & Design “MAD“ të Departamentit të Artit dhe Dizajnit të Universitetit “POLIS” dhe Galerisë së Artit të Berlinit “Manière Noire”, drejtuar nga artistja shqiptare Majla Zeneli, kjo ekspozitë ngërthen shumë reflektime artistike mbi tema të nxehta të ditëve të sotme. “Në kontekstin e kësaj ekspozite, ndonëse lihet në mënyrë evazive, ne kemi parasysh shoqëritë e ish-Bllokut Lindor, të cilat, pas rënies së regjimeve komuniste, shoqërohen nga një situatë kaosi. Alternativa e vetme që ato kanë përpara është një lloj rregulli që i strukturon brenda botës globaliste, brenda këtij koncepti të vende pa kufi siç është në Europën e bashkuar.
Përveç këndvështrimeve që kemi nga shoqëria civile apo analistët politikë, në këtë rast menduam të sillnim disa vëzhgime nga vetë artistët dhe nuk është rastësi që të gjithë janë përzgjedhur nga vende të ish-Bllokut Lindor”, thekson Alket Frashëri, kurator e njëkohësisht pjesë e ekspozitës së bashku me artistët shqiptarë Majla Zeneli dhe Agron Mesi. Erik Seidel dhe Franca Bartholomäi nga Gjermania, Peeter Allik nga Estonia, Malgorzata Et – Ber Warlikowska dhe Małgorzata Malwina Niespodziewana nga Polonia, Mikael Kihlman nga Suedia, i cili eksploron vendet postkomuniste, janë artistët e tjerë pjesëmarrës. Globalizmi, elementet arkitekturore, industrializimi, pushteti, qytetet si dëshmi e “plagëve” të zhvillimit, vijnë në këto grafika të ngritura në nivele të kritikës apo alegorikes.
“Kjo ekspozitë grafike synon që të nxisë refleksionin në lidhje me një sërë aspektesh që qëndrojnë ndërmjet shoqërive bashkëkohore të së djeshmes dhe të së tashmes, në takimin historik që qëndron ndërmjet dy botëve, asaj lindore dhe perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit. Nga njëra anë koncepti i saj kuratorial mbështetet në refleksione literale që lidhen me trashëgiminë e mendimit filozofik gjerman dhe gjithashtu, nga ana tjetër, nëpërmjet veprave të përzgjedhura grafike të artistëve të galerisë berlineze Manière Noire. Kjo ekspozitë do të shërbejë gjithashtu edhe si një dritare e hapur e skenës së artit bashkëkohor në Berlin, kryeqyteti gjerman dhe ura mes Europës Lindore dhe Perëndimore”, shprehet Frashëri. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 nëntor. O. Lila