Maks Velo është njeriu që shpesh thirret nga media për të rrëfyer të vërtetat e Lidhjes së Shkrimtarëve. Jo thjesht se ka qenë anëtar i saj, por edhe pse e ka pësuar prej këtij institucioni dhe që edhe sot e kësaj dite, megjithëse ka qenë shumë aktiv, nuk mund të zbulojë se çfarë kanë thënë për të. Pa idenë e një konspiracioni, siç ndodh rëndom me shumë prej artistëve sot, në këtë intervistë mundohet të jetë sa më i thukët dhe nga ana tjetër të rrëfejë një Lidhje tjetër, ku servilët dhe këta që rrahin gjoksin sot, nuk kanë qenë asfare të persekutuar... “Është e gabuar të mendohet se shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët ishin njerëz me integritet të lartë. Kish dhe të tillë por ishin fare pak. Natyra delikate, egoiste, e vete artistit kthehej në një ambicie pa cak, spiunime, llafe dhe akuza të fshehta. Kurse thashethemet dhe intrigat në Lidhje gëlonin si në një koshere bletësh”. Nga ana tjetër, ai gjen kohë dhe flet edhe për Kadarenë dhe rolin e tij, si një nga hapat më emancipues të letërsisë shqiptare. “Pa të, Komunizmi në letrat dhe artet shqiptare do kish qenë më i egër akoma. Vepra e tij do të mbetet si dëshmi e një rezistence të guximshme”, shprehet Velo.
Një debat i nisur pas botimit të kujtimeve të një anëtari të Lidhjes së Shkrimtarëve ka sjellë shumë turbulencë në gjirin e anëtarëve të këtij organizimi. Juve jeni nga njerëzit që e keni pësuar pikërisht prej këtij organizmi. Si e kujtoni Lidhjen e viteve ’70 dhe më vonë?
“Herë mbas here publikohen kujtime, apo artikuj për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këto kujtime apo dokumente së bashku me materiale për Udhëheqjen e lartë komuniste apo Organet e Sigurimit janë më të kërkuarat dhe më të lexuarat nga publiku i gjerë. Kjo ka një domethënie. Ka shume pak materiale të botuara për shembull për Akademinë e Shkencave.
Me sa duket, ato të tria bashkë: Udhëheqja Komuniste, Sigurimi dhe Lidhja kanë unitet të padukshëm.
Për mua është koha që të ketë një HISTORI të Lidhjes, por asnjeri nuk guxon. Lidhja ka kaluar disa etapa, të cilat dallohen qartë: do të thosha periudhat midis viteve 1945-1953, ku futet krijimi i saj, gjyqet dhe pushkatimet e intelektualëve të shquar të para luftës, prishja me Jugosllavinë deri te vdekja e Stalinit.
Vitet 1953 deri në 1960, dërgimi i talenteve të reja në Bashkimin Sovjetik, kthimi i tyre, krijimi i Teatrit Popullor, Filarmonisë dhe Operas, si dhe i Ndërmarrjes Botuese “Naim Frashëri” deri në prishjen me Bashkimin Sovjetik.
Vitet 1960 deri më 1972, ku fillojnë shtrëngesat e para, lidhja me Kinën; Revolucioni Kinez; sulmi kundër Kishave; një fare lirimi i përkohshëm, që rezultoi një grackë; ku më kulmoret janë Festivali i Dramës, Ekspozita e Pranverës dhe Festivali i Këngës në R.T.Sh.
Vitet 1973 deri më 1985, koha kur zhvillohet Pleniumi i Katërt, arrestimet e para, pushkatimet e poetëve të Librazhdit, prishja me Kinën, pushkatimet e anëtarëve të Byrosë dhe Ministrave për grupet e Ushtrisë, Ekonomisë dhe Ministrisë së Brendshme, vetëvrasja e Mehmet Shehut, botimi dhe dënimi i PALLATIT TË ËNDRAVE, dhe mbyllet me vdekjen e Diktatorit.
Vitet 1985 deri më 1992, kur më së fundi largohet Dritëroi nga kryetar.
Vitet 1992 deri më 1997 kur shemben piramidat financiare dhe shembet edhe piramida LIDHJE.
Më e tmerrshmja ish padyshim periudha 1973 deri më 1985. Kjo periudhë është e pashembullt në historinë e gjithë shoqatave dhe Organizatave të Shkrimtarëve dhe Artistëve në botë.
Lidhja jonë kthehet në një Organizatë me karakteristika kriminale”.
Ka një paradoks të madh tek shumë nga njerëzit e artit që pretendojnë se janë dënuar pa faj, por nga ana tjetër e kanë si një model krenimi se thonë që kanë bërë desidencë. Na i shpjegoni dot ju lutem?
“Dënimet kanë qenë të përshkallëzuara nga vërejtje, heqjen e lejes krijuese dhe moslejimin e ekspozimit, qarkullim në bazë, përjashtim nga Lidhja, arrestimi dhe gjykimi. Po ashtu dhe disidenca e pretenduar, dhe ajo është e përshkallëzuar.
Ankimet, qarjet vetëlavdërimet janë personale. Hyjnë në fondin e integritetit personal të secilit.
Lexova lemeritë e një poeti këto ditë. Por, ai nuk thotë se mbasi e çuan në Rrogozhinë (me qarkullim) e emëruan Drejtor të Muzeut në Durrës, pastaj Sekretar të K. Q. të Rinisë dhe së fundi Ministër të Kulturës.
Megjithatë mendoj se kemi pasur disidencë, ka qenë e vërtetë, ajo atëherë ka bërë efektin e saj dhe ka vepruar në atë kohë. Edhe sot vlen të përmendet”.
Cilat janë mëkatet e vërteta të njerëzve të artit ndaj njëri-tjetrit në servilizmin e tyre ndaj regjimit?
“Nuk është rasti që të numëroj mëkatet e njëri-tjetrit, pasi ato janë pambarim. Kjo hyn në kulturën Orientale të Servilizmit dhe Spiunimit.
Është e gabuar të mendohet se shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët ishin njerëz me integritet të lartë. Kish dhe të tillë por ishin fare pak. Natyra delikate, egoiste e vete artistit kthehej në një ambicie pa cak: spiunime, llafe dhe akuza të fshehta. Kurse thashethemet dhe intrigat në Lidhje gëlonin si në një koshere bletësh.
Kush e kush të bëhej më servil që të vilte tituj, medalje, çmime dhe poste!
Kjo arriti kulmin me EKSPERTIZAT, që iu bëheshin anëtarëve të arrestuar nëpër gjyqe.
Do ish unikal një Libër me Ekspertizat. Po të botosh sot vetëm listën e veprave që kanë fituar çmime nëpër konkurset dhe cilat janë këto vepra dhe sa vlerë kanë autorët e tyre, e kupton të vërtetën e hidhur”.
Pse e lakojnë shpesh Kadarenë, sipas mendimit tuaj?
“Mendoj se Kadareja lakohet me të drejtë. Ai u duk si meteor në vitet gjashtëdhjetë kur erdhi nga Moska. Që në fillim u kuptua që ish një gjeni. Ai ka influencuar shumë gjatë gjithë 30 vjeçarit 1960 deri më 1990. Influenca e tij sa vinte dhe rritej. Ai dha kontribut në gjithë gjinitë e artit.
Ishte një faktor emancipimi Kombëtar. Ish një moderator dhe zbutës i asaj egërsire Komuniste.
Pa të, Komunizmi në letrat dhe artet shqiptare do kish qenë më i egër akoma. Bashkohej gjithmonë me krahun më liberal, sikurse qe rasti i miqësisë me Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën. Vepra e tij do të mbetet si dëshmi e një rezistence të guximshme. Personalisht tek unë ai ka pasur një impakt të madh. Miqësia që më lidh me të më ka dhënë guxim dhe motiv për qëndresë”.
Mendon se ka ardhur koha që të gjendet mundësia të hapen dosjet e artistëve, nën vëzhgimin e paanshëm të një institucioni ad hoc pranuar me konsensus të gjerë?
“Koha ka kaluar duhet të ish bërë shumë vite më parë.
Shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët përderisa janë njerëz publikë dhe marrin gjithat admirim dhe merita po ashtu shpërblime materiale dhe morale, e kanë për detyrë të jenë transparentë. Por në këtë rast janë ata vetë që nuk e lejojnë këtë. Sepse kështu vazhdojnë të paraqiten ata që nuk kanë qenë. Lidhja duhet të ish institucioni me dokumentet më të rregullta.
Është e kundërta. Sikur të kish qenë një Koloni Riedukimi dhe grisnin kartelat. Nga 60 blloqe me proces verbalet kanë mbetur vetëm 10 të tilla. Unë për shembull dua të di se çfarë kanë thënë në Kryesinë e Lidhjes, kur më kanë përjashtuar. Por nuk mundem. E gjithë kjo vazhdon akoma.
Zhduken dokumentet që më vonë të bëjnë atë që po bëjnë sot, të shkruajnë Kujtime.
Kështu KUJTIMET publiku t’i besojë si DOKUMENTA”.
A ka pasur mendim të mirëfilli kundër regjimit nga individë të caktuar apo desidencë letrare sipas jush?
“Mendime të mirëfillta KUNDËR, ka pasur padyshim, përderisa ka pasur aq të pushkatuar dhe të burgosur. Por, më vonë, për t’u shprehur në vepra ish kundër, sepse nuk e lejonte CENSURA.
Frika qëndronte vazhdimisht në ajër e varur pezull. Disidenca Letrare dhe Artistike ka ekzistuar, fragmentare dhe shpesh si kërkesë e brendshme, por jo e programuar dhe e koordinuar. Arkitektura Moderne që bëra, relievet e rrahura në bakër në Hotel DRINI (që u asgjësuan) dhe 250 vizatimet abstrakte dhe pastelet dhe pikturat ( si SELVITË), që u konfiskuan dhe u dogjën nuk janë pak.
Besoj PALLATI I ENDRRAVE ish një disidencë e hapur, përderisa u dënua aq ashpër. Kadareja bëri desidencë me modernitetin e tij. Ka edhe të tjerë, por janë studiuesit që duhet t’i përcaktojnë.