“Perdja e hekurt”, është një ngjarje artistike e konceptuar të jetë si një proces individual i artistëve në raport me të kaluarën, me kujtesën dhe të tashmen në një hapësirë që i bashkon të gjitha perceptimet në një moment të vetëm, dhe këtë moment personal artistët do ta ndajnë me publikun sonte ora 20.00 në oborrin e vilës 31, ose ish-vila e Enver Hoxhës.
Projekti do të ketë një kahje multidisiplinore bashkëkohore si : performancë, instalacion, video-art. Perdja e hekurt do të kurohet nga Fondacioni për Artin M.A.M, me pjesëmarrjen e artistëve: Ema Andrea, Klod Dedja, Brigel Gjoka, Heldi Pema, Edit Pula, Armando Lulaj, Olson Lamaj, Helona Ruli, Rubin Beqo dhe student të Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë.
Në oborrin e vilës 31, do të jetë instaluar një video-wall, i cili do të transmetohet live për spektatorët jashtë vilës. Ky element merr rendësi artistike të veçantë në komunikimin e aktivitetit duke iu afruar më shume kahjes së artit bashkëkohor, është më social dhe larg protokolleve! Një projekt pilot sa i përket raportit të ardhshëm midis artit bashkëkohor dhe objekteve të rëndësisë së veçantë.
Propozimi i prezantuar nga Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë mbi mundësitë e ripërdorimit të këtij objekti në kuadrin artistik, si një rezidence artistike apo hapësirë ekspozimi për të kthyer vilën e diktatorit Enver Hoxha në hapësirë eksperimentale për kulturat e reja artistike në vend. Ky propozim është shtysa e parë e realizimit në kohë të shkurtër të projektit pilot me titull “Perdja e hekurt”.
M.A.M bashkon objektivat e tij në këtë propozim, me një projekt konkret. Deri më tash projekt- ideja “Perdja e hekurt” e shpërndarë në artistë të ndryshëm shqiptarë dhe kuratorë ndërkombëtarë ka marrë mbështetjen dhe vëmendjen e tyre,.
Ky projekt do të jetë një kthesë konkrete e rivlerësimit të objekteve “të izoluar” si edhe artistëve. Hapja e Vilës së shumëpërfolur nga artistët, mendohet të jetë një ngjarje e rëndësishme në vetvete për të filluar një raport të ri me të kaluarën.