Gjatë periudhës 2-mujore të rezidencës në Tiranë, artistët kanë realizuar projektet tyre duke reflektuar mbi realitetin lokal dhe duke përdorur si praktikën e tyre artistike edhe mundësitë që praktikat e artit pjesëmarrës ofrojnë. “Endrrat bëhen realitet”,video-instalacioni i Tekla Aslanishvili fokusohet në specifikën e zhvillimit të banesës në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist. Fenomeni i shtëpive të stërmëdha të papërfunduara të periferive të Tiranës kanë tërhequr vëmendjen e artistes e cila ka ftuar familjet të pozojnë për një foto familjare në ballkonet e një shtëpie të papërfunduar në zonën e kombinatit.
Gjorgje Jovanovik, artisti maqedonas që e ka praktik të tijën artin e pjesëmarrjes dhe përfshirjes ka realizuar “Të gjithë presin që unë t‘i paguaj”, titulli deklarativ i një projekti që synon të lidhë të shkuarën me të tashmen duke përdorur të kënduarin dhe të treguarin. Zëri i të shkuarës këndon në isopolifoni, - në formën më unike të të kënduarit- si pëlqen ta quajë autori, tekste që burojnë nga e sotmja, të shkruara me sarkazmë dhe ironi fine nga Rubin Beqo, por njëkohësisht artikulon edhe opinionet dhe pozicionimin e shoqërisë në lidhje me problematikën e jetës së përditshme. Partizanët “Pink” të Edit Pulaj janë objekte tendencioze, ato tregojnë se si mund të zbutësh një shqetësim social, si të pranosh atë që konsiderohet jashtë normës ose apriori inegzistente.
Projekti sugjeron qasje që marrin përgjegjësi te nisin një ndryshim të sjelljes, pa pretenduar dominim apo kërcënuar perceptimet tradicionale mbi atë ç’është e mirë apo e keqe ,e bardhë apo e zezë !? Artistja kërkon forma për të negociuar të nesërmen, duke filluar me - “këmbën e çështjes”- për të mbërritur më pas tek mendja dhe ndjeshmëria. Driant Zeneli prezanton në ekspozitë një performancë që ndërton marrëdhënie me publikun aty për aty dhe titullohet“ Davidi pa Golian“ Kush është Davidi dhe kush është Golia sot në bashkëkohësinë tonë? Duke marrë shtysë në një ndër veprat e artit më të cituara të gjitha kohërave artisti kërkon të riinterpretojë monumentalitetin dhe e historinë e Davidit kundër Golias në një gjest performativ. “Çdo veprim shkakton një reagim dhe çdo reagim ndërton një marrëdhënie“ pikërisht mbi këtë aksiomë e ngre artisti,veprën që është në thelb një veprim performues, i cili edhe përfshin edhe përjashton publikun prezent gjatë performancës.