Artistët shqiptarë janë nisur në Venecia. Bienalja e Venecias, aktiviteti më i madh i artit bashkëkohor, çelet më 1 qershor. Në këtë edicion të 54-t, pavijoni shqiptar bën prezantimin zyrtar mbrëmjen e dy qershorit. Pesë artistë shqiptarë, të përzgjedhur nga kuratori italian, Riccardo Caldura, do të përfaqësojnë vendin në këtë aktivitet. Në fakt realisht drejt Venecias kanë udhëtuar Orion Shima, Gentian Shkurti bashkë me komisionerin e pavijonit Parid Teferiçi, ndërsa tri artistët e tjerë, Anila Rubiku, Driant Zeneli dhe Eltjon Valle jetojnë në Milano. Edicioni i 54-t i Bienales, drejtuar nga Bice Curiger e që ka si temë të përgjithshme “Ilumination”, ka të ftuar 83 artistë nga e gjithë bota.
Komisioneri i pavijonit shqiptar, Teferiçi, në një bisedë para nisjes, tregon se në ç’fazë janë me përgatitjet, prezantimin e artistëve në një pavijon që do të rrijë hapur thuajse për gjashtë muaj, deri më 27 nëntor të këtij viti. “Jemi në finish të një pune që ka vazhduar për muaj të tërë. Ndihma e stafit të Galerisë së Arteve ka qenë e vyer dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe pavijoni shqiptar t’i arrijë synimet e veta”, thotë Teferiçi. Në këtë linjë, parësore për të është një paraqitje sa më dinjitoze e artit viziv shqiptar. I referohet këtu mundësisë së prezantimit në një pavijon në një nga aktivitetet më të mëdha të artit pamor bashkëkohor. “Është sfida e artistit shqiptar me bashkëkohësinë.
Ndërsa më parë ka qenë i dhënë me një lloj rishikimi të historisë së modernitetit, ku gjatë tranzicionit janë eksperimentuar pothuajse të gjitha rrymat që arti perëndimor i kishte kaluar ndërkohë, tashmë jemi në fazën ku artistët shqiptarë, kryesisht ata të rinj, janë në kërkim të bashkëkohësisë. Aktivitete si Bienalja e Venecias janë shumë të rëndësishme për ballafaqimet me artistë e huaj dhe me rrjedhat kryesore të modernitetit”, thekson Teferiçi. Si çdo vit, dy zonat kryesore të Bienales do të jenë në Giardini dhe Arsenale, ndërsa pavijoni shqiptar është i vendosur jashtë kësaj zone, por që komisioneri e quan shumë të favorshme nga fluksi i turistëve.
“Pavijoni shqiptar është një hapësirë interesante që ndodhet dy hapa larg kishës së Redentorit, projektuar nga Andrea Palladio. Është një vend që edhe pa Bienalen ka shumë vizitorë për arsye arkitekturore, historike, të trashëgimisë kulturore. Hapësira e pavijonit tonë është e bollshme, pothuajse 170 metra katrorë. Gjendet përballë Akademisë së Arteve të Bukura dhe shumë pranë fondacionit të Françoise Pinault. Po aty gjenden dy stacione vaporetoje, gjë që do të thotë se të gjithë ata që do të shkojnë në Giardini apo Arsenale ku është edhe zemra e Bienales, do të shikojnë banerin e pavijonit shqiptar dhe do të jenë të informuar. Gjatë gjithë kohës së saj, Bienalja vizitohet nga 600 mijë njerëz të vendeve të ndryshme dhe shpresoj që pavijoni shqiptar të ketë më shumë se kurrë kureshtarë”, tregon Teferiçi.
Pesë artistët shqiptarë prezantohen në gjini të ndryshme: pikturë, videoinstalacion, videokërkim, instilacion i mirëfilltë. Këto shumëllojshmëri qasjesh artistike shkojnë drejt konceptit të kuratorit Caldura, i cili ka synuar t’i mëshojë raportit që ka artisti me veprën dhe kontekstin në të cilin krijon. Në këtë rast, vetë artistët shqiptarë mund t’i ndash në dy grupe: ata që kanë mbaruar shkollën këtu e vazhdojnë të krijojnë po në hapësirën shqiptare (Orion Shima dhe Gentian Shkurti) dhe të tjerët që kanë mbaruar shkollat italiane e vazhdojnë të zhvillohen po atje (Anila Rubiku, Eltjon Valle, Driant Zeneli). Për Teferiçin, pavarësisht se këta tre artistë jetojnë jashtë Shqipërisë, kanë një lidhje kërthizore me truallin, nga i cili kanë dalë, sepse janë të interesuar për atë çfarë ndodh dhe paradoksalisht janë më të ndjeshëm. “Kuratori është përpjekur që pavarësisht se ekzistojnë hapësirat e posaçme për artistët, punët dialogojnë shumë mirë me njëra-tjetrën dhe rezonanca e krijuar prej tyre do të jetë domethënëse”, thotë Teferiçi për mënyrën e ekspozimit.
Problematika e zgjedhur, duke mbetur sërish brenda temës së kuratorit, bën sërish dallimin e artistëve. Gentian Shkurti paraqitet me dy punë, një pikturë dhe një video. E titulluar “Pikturë demokratike”, ai nuk e quan atë tërësisht të vetën, por të realizuar në bashkëpunim me 100 persona të moshave të ndryshme, me të cilët ka realizuar një sondazh për ngjyrat e preferuara. Piktori Orion Shima, nga i cili janë zgjedhur tre tablo, preferon të mbetet tek arti pa ngarkesa sociale, ndërsa ka bërë të kundërtën Eltjon Valle, i cili projektin e tij ia ka kushtuar Marinzës, një zonë naftënxjerrëse shumë e ndotur. Të pazbardhura kanë mbetur punët e Driant Zenelit dhe Anila Rubikut, të cilët do të prezantojnë qasjen e tyre artistike në këtë aktivitet.
Bienalja e Venecias është e njohur për provokimet artistike, veprat me përmasa gjigante dhe të çuditshme. Pavijoni shqiptar nuk do të jetë i tillë. Për Teferiçin do të jetë një prezantim dinjitoz pa britma, ulërima e ekzagjerime. Ndërkohë që në një moment të dytë, në pavijonin shqiptar do të prezantohet edhe katalogu zyrtar, i cili për mungesë të fondeve nuk arriti të realizohet në kohë. Ky katalog, i cili do të përmbajë notën kritike të kuratorit, veprat e riprodhuara dhe materiale promovuese për Shqipërinë, do të jetë një nga materialet promocionale që do të jenë pjesë e pavijonit shqiptar, i hapur deri më 27 nëntor.