Tradicionalja”, “Rozeta”, “Skulptura”, “Art bashkëkohor”, “Piktura”, “Abstrakte”, “Maska” dhe “Grafika” janë kategoritë në të cilat ndahet arti i Simon Shirokës, filigranistit prizrenas. Rreth 135 vepra të artistit janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Artëve. Bakrin, arin dhe argjendin Simon Shiroka(1927-1994) i ka përdorur për të bërë sende të ndryshme, por edhe stoli, me të cilat mund të zbukurohen veshjet. Valltari, gruaja e vetmuar, fyelli i okarinës, maskat, figura abstrakte e skica me ngjyra dhe bardhezi janë disa nga temat që janë prekur nga dora e artistit në veprat që ka realizuar. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, vajza e Simon Shirokës, Justina Shiroka Pula rrëfen kujtimet që ruan nga i ati, gjatë punës së tij, por edhe përkujdesjen që tregon për ruajtjen e veprave të tij. Dëshira e pasardhësve të Shirokës është që, në të ardhmen të ndërtohet një muze ku publiku të këtë mundësi të njihet me veprat e tij.
Zonja Shiroka vini në Tiranë për të ekspozuar veprat e Simon Shirokës, babait tuaj. në GKA...
Kjo është një ekspozitë retrospektivë ndryshe nga ato që janë realizuar më parë për tim atë, sepse deri më tani, më tw shumtat kanë qenë kolektive. Njerëzit duhet që të njihen jo vetëm me emrin e Simon Shirokës, por edhe me këto vepra madhështore.
Si ka mësuar babai juaj të ishte filigranist?
Ne të gjithë rrjedhim nga një familje zanatçinjsh, mirëpo ai nuk ka dëshiruar që zanatin e filigranit dhe të metaleve t’i lërë vetëm si elemente zbukuruese, por kishte dëshirë që t’u jepte jetë edhe shpirt. Nëpërmjet këtyre punimeve ai donte që t’i bënte me të vërtetë vepra artistike dhe kulturore.
A ju fliste për punët që realizonte? Çfarë donte që të përcillte nëpërmjet tyre?
Është munduar që të na ushqejë ndjenjën e artit dhe të kulturës, nëpërmjet elementeve të folklorit dhe miteve të ndryshme. Por nuk dëshironte që ne të merreshim me të, për shkak se, në periudhën kur ka jetuar ai, nuk ka qenë e thjeshtë që të mbijetoje me artin apo me këtë zanat.
Në GKA janë ekspozuar 135 vepra, por ju keni edhe të tjera. Si jeni kujdesur për to?
Secila vepër tregon një mesazh, tregon një ndjenjë dhe një emocion të veçantë për mua edhe për motrat e mia. Ne i kemi ruajtur me fanatizëm, dëshirojmë që t’i menaxhojmë dhe të bëjmë ekspozita të ndryshme, nëpërmjet të cilave populli shqiptar të krenohet dhe të shikojë se çfarë ka punuar Simon Shiroka, i cili ka qenë shumë bujar, me shumë intelekt dhe me një vizion të gjerë.
Si e kujtoni gjatë punës?
Kur kam qenë fëmijë, babai nuk dëshironte që ne të merreshim me këtë zanat, por gjithsesi na ka mbajtur afër, duke na shtyrë që ta bënim këtë gjë. Vazhdimisht ne jemi marrë me të, por jo në formën që merrej ai. Im atë na ka mësuar dhe treguar shumë, ka bërë skica të ndryshme dhe ndonjëherë edhe ne bënim elemente, të cilat e kanë e ndihmuar atë që të bënte vepra kaq të madha, sepse një vepër e tillë nuk bëhet për një ditë, për dy ditë, apo për një muaj, por do shumë kohë. Përpos vizatimeve dhe skicave im atë realizonte elemente të ndryshme të filigranit: zogj, flutura apo lule të vogla, kujtoj se ne e kemi ndihmuar edhe gjatë kombinimit të metaleve të ndryshëm. Na ka afruar dhe na ka edukuar me idenë se ne duhet që të duam artin edhe kombin, të duam elementet folklorikë, etnologjikë dhe të respektojmë njerëzit me psikologji të ndryshme. Ne jemi tri motra, dhe kemi tetë nipër dhe mbesa, por për fatkeqësisht asnjëri prej nesh nuk është marrë me këtë veprimtari. Tani ne si trashëgimtarë të familjes Shiroka jemi duke u përpjekur që t’i ruajmë këto vepra me fanatizëm, dhe nëpërmjet tyre të shpërndajmë nëpër botë traditën. Këtu janë ekspozuar 135 vepra, por ka më shumë, që të gjitha janë pronë e familjes. Ne i ruajmë në një galeri private që mund t’i vizitojë kushdo që ka mundësi për t’i parë. Kemi dëshirë që të formojmë apo të ndërtojmë Muzeun e Simon Shirokës, mirëpo kjo kërkon kohë dhe investime, por mendoj se do t’ia arrijmë.
Simon Shiroka ka filluar që të punojë qysh në vitet ’60, por fillimisht është marrë më tepër me punimet në skulpturë, ku ka inkuadruar më shumë elementet e stolive prej argjendi... Si do t’i kategorizonit ju punët e tij?
Një periudhë është e lidhur me emocionet, ndoshta nga aspekti fetar, argëtues apo diçka tjetër, këtu janë në qendër folklori, mitet e shqiptarëve dhe elemente të ndryshme të etnografisë. Kombinimi i stolive që nisnin nga vizatimet bardhezi apo me ngjyrë kategorizoheshin në një periudhë tjetër. Më pas ai realizon punime prej argjendi, bakri dhe me gurë të çmuar, të cilat prezantojnë abstrakten dhe modernen. Në kohën kur ka qenë gjallë ka realizuar ekspozita, por kuratorët kanë përzgjedhur veprat që kishin më tepër elemente nga folklori. Prandaj sot, shumica e njerëzve e njohin Simon Shirokën sikur realizonte vetëm punime me elemente folklorike, sepse nuk kanë pasur mundësi që t’ia njohin edhe veprat me elemente bashkëkohorë.
Vitet e fundit të jetës ka qenë i paralizuar, por dëshirën për të punuar nuk e ka ndalur asnjëherë...
Nga momenti kur im atë ka qenë i paralizuar, ka ndenjur në shtrat pesë vjet. Pavarësisht sëmundjes, ndjenjat e tij për artin nuk i ndali asnjëherë, qoftë duke bërë vizatime me laps të thjeshtë, qoftë me ngjyra. Veprimtaria e tij artistike ka përfunduar kur ai është ndarë nga jeta në vitin 1994.
Ku motivohej kur punonte?
Në shumicën e punimeve të tij dominon femra, ndoshta sepse ka qenë i rrethuar vetëm me femra, nga ne tri motrat dhe nga nëna, që ende e kemi ende gjallë.
Çfarë natyre kishte babai juaj?
Nga natyra ka qenë një njeri shumë bujar, i qetë dhe i durueshëm. Në familje nuk e kemi trashëguar traditën e tij, përsa i përket punimit të marrjes me këtë gjë, mirëpo ai është gjenerata e tretë që është marrë me filigran, duke e transformuar në art të vërtetë.
Çfarë tiparesh të karakterit tuaj keni trashëguar prej tij?
Ndoshta mund të kem trashëguar më tepër afërsinë me njerëzit, ndoshta procesin menaxhues, ndoshta sepse jam ekonomiste, apo se kam pasur më tepër kohë që të qëndrojë me të, por mendoj se kjo është në gjen.
Me veprat e tij ka lënë gjurmë në artin kosovar dhe më gjerë
“Ekspozita është një sjellje multidisiplinore, e cila përveç shtrirjes në etapa të ndryshme të krijimtarisë së artistit, sjellë edhe punë të reja për publikun. Veprat e Shirokës, të cilat janë të përfshira në këtë retrospektivë reflektojnë punë nga krijimtaria e tij në vitet ‘60 dhe’90”, shkruan kuratori i ekspozitës, Erzen Shkololli. Shkëlzen Maliqi, drejtor i Galerisë së Arteve në Kosovë shkruan se: “Shiroka me një admirim mallëngjyes në intervistat që ka dhënë theksonte veçoritë e mjeshtërisë së përpunimit të argjendit dhe arit në shkollën e Prizrenit. Por shprehej edhe i dëshpëruar për faktin se kjo traditë po zhdukej dita-ditës, e mundur nga konkurrenca e përpunimit industrial të argjendit dhe arit. Shiroka zbuloi se mjeshtëria e kujunxhillëkut mund të inkuadrohet fuqishëm në rrjedhat e artit bashkëkohor”
Biografia
Simon Shiroka u lind në vitin 1927 në Prizren, Kosovë. Ai mori dorë nga mjeshtrit, filigranistët më të shquar prizrenas. Duke pasur ambicie për t’u bërë një zanatçi i dalluar, vazhdoi ushtrimin dhe shkollimin e mëtejmë fillimisht në Beograd e pastaj në Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë dhe për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Me veprat e tij artistike ka lënë gjurmë të thella në artin kosovar dhe më gjerë. Gjatë karrierës së tij, Shiroka ka pasur një numër të madh të ekspozitave personale dhe kolektive në Kosovë dhe në shumë vende të tjera. Simon Shiroka vdiq në vitin 1994, në Prishtinë, Kosovë.