Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar sot se vizita e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi ishte historike dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për të dy vendet, por edhe për Evropën.
Arvizu vlerësoi se nga perspektiva e SHBA-së, kjo vizitë ka qenë shumë e rëndësishme, ndërsa bëri thirrje që vendet të punojnë mes tyre që edhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiç të vizitojë Tiranën vitin e ardhshëm në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre.
“Do t’ia le qeverisë shqiptare dhe asaj serbe, që të adresojnë pikat e tyre specifike. Por, për SHBA-në, kjo vizitë ka qenë shumë e rëndësishme, historike sikurse e përshkruat dhe unë bie dakord me këtë karakterizim të saj, pasi një periudhë 68-vjeçare është tejet e gjatë që drejtuesit e dy shteteve fqinje të mund të takohen me njeri – tjetrin, duke shpresuar që të dyja vendet të mund të ndërtojnë mbi këtë vizitë marrëdhënie më të mira”, tha diplomati amerikan.
“Ka qenë inkurajuese që pas incidentit që ndodhi në ndeshjen e futbollit, të dyja vendet mundën të caktonin një datë tjetër për t’u takuar dhe kjo ishte shumë pozitive dhe është shumë e rëndësishme për marrëveshjet që nënshkruan, siç janë marrëveshjet për të rinjtë, me qëllim që edhe z.Vuçiç të mund të vijë këtu për vizitë në 2015-ën; kjo do të ishte shumë pozitive për rajonin”, shtoi më tej Arvizu.
Këto komente ambasadori amerikan i bëri pas një vizite që zhvilloi paraditen e sotme me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Ambasadori në largim ndër të tjera foli edhe për situatën politike brenda vendit dhe bëri thirrje që të rritet bashkëpunimi qeveri – opozitë.