Gjatë aktivitetit “Për një drejtësi pa vonesa”, në gjykatën e Korçës, ku në një tryezë të përbashkët ndodhet ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe presidenti Bujar Nishani, të cilët kanë pasur përplasje për reformën në drejtësi, ambasadori amerikan Alexandër Arvizu u ka bërë thirrje për ndryshime pozitive në sistemin e drejtësisë, pasi sipas tij tashmë që Shqipëria ka statusin e vendit kandidat, ka shumë avantazhe dhe mundësi që duhen kapur jo vetëm nga drejtuesit por dhe nga qytetarët.
Arvizu: Vonesat në seancat gjyqësore, kjo gjë më shqetëson dhe më zemëron për shqiptarët
“Shqiptarët përballen me vonesa në seanca gjyqësore, kjo gjë më shqetëson dhe më zemëron për shqiptarët. Duhet të përpiqemi të bëjmë ndryshime pozitive, e kjo nuk është e pamundur. Gjykata e Krujës u kthye në shembull për faktin se gjyqtarët dhe avokatët e morën seriozisht këtë projekt. Mungesa e përgjegjësisë e ka penguar zhvillimin e sistemit gjyqësor. Shqipëria tani ka statusin e vendit kandidat. Ka shumë avantazhe dhe mundësi që duhen kapur jo vetëm nga drejtuesit por dhe qytetarët. Menaxhimi i çështjeve gjyqësore mund të sjellë përparësi”, deklaroi Arvizu.
Nishani: Ndërhyrjet dhe presionet ndaj gjyqtarëve ndodhin, duhet t’u bëni ballë
“Vendimi që na dha statusin e kandidatit duhet të jetë nxitje për ne. Në këtë frymë të ndërtohet reforma në drejtësi e cila është një domosdoshmëri e kohës në vijim të konsolidimit të shtetit ligjor. Reforma në drejtësi është një paketë që garanton efekte afatgjata. Çdo gjyqtar me çdo vendim ka instrumentin për të shpalosur dinjitetin për drejtësinë. Ndërhyrjet dhe presionet ndaj gjyqtarëve ndodhin por ju duhet të jeni në gjendje t’u bëni ballë”, deklaroi Nishani.
Në këtë takim, i cili bëhet në kuadër të një projekti që synon shmangien e vonesave në sistemin gjyqësor, është i pranishëm gjithashtu edhe ambasadori i OSBE-së Florian Raunig dhe kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.
Zaganjori: Gjyqësori, kambanë alarmi
Nga ana tjetër Xhezair Zaganjori, tha se gjyqësori ka probleme me luftën kundër korrupsionit por dhe me rritjen e performancës.
“Kjo është një kambanë alarmi. Në kemi nevojë të vazhdojmë me reformat dhe t’i thellojmë ato”, u shpreh Zaganjori.
Naço: Gjyqtarët të mos zvarrisin proceset gjyqësore
Ndërsa, ministri Nasip Naço u ka bërë apel gjyqtarëve që të mos zvarrisin proceset gjyqësore, pasi sistemi i drejtësisë prej vitesh vuan sëmundjen e zvarritjes së proceseve e gjyqësorëve.
Raunig: Proceset e stërzgjatura, pasoja për qytetarët
Gjithashtu dhe Ambasadori i OSBE-së Florian Raunig, u ka bërë apel gjyqtarëve që të shmangin vonesat e seancave gjyqësore.
“Proceset e stërzgjatura po dëmtojnë drejtësinë në Shqipëri. Seancat e monitoruara kanë qenë joproduktive. Kjo situatë ka pasoja për qytetarët. Ne duam të garantojmë pakësimin e vonesave. Gjyqtarët duhet t’i menaxhojnë çështjet në mënyre efektive”, theksoi Raunig.