Arvizu rrefen jeten Kam dashur te behem mesues

Arvizu rrefen jeten: Kam dashur te behem mesues
Ambasadori i SHBA, Arvizu, rrëfen jetën dhe karrierën e tij nga shkollimi e deri tek emërimi i tij në Tiranë. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin “Opinion” në TV Klan, Arvizu ka komentuar edhe WikiLeaks-in, paktin e Ramës dhe debatet për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Blendi Fevziu: Jeni ndjerë komod këtu?

Ambasadori Arvizu: Po, shumë. Siç mund ta shihni, kemi disa gjëra nëpër mure, por shumica e gjërave tona nuk janë ende këtu. Kështu që këto janë vetëm disa. Keni dëshirë t’jua tregoj? Kjo është Juki. Ajo dhe gruaja ime, mbërritën para një muaji. Këtu ka qenë pak më e vogël. Por, siç mund ta shohësh, ajo është shumë aktive, edhe kur ishte më e vogël.

Blendi Fevziu: Në cilin vit jeni martuar?

Ambasadori Arvizu: U martuam në vitin 2000, janar 2000.

Blendi Fevziu: Në Shtetet e Bashkuara?

Ambasadori Arvizu: Në Uashington

Blendi Fevziu: Keni një shef kuzhine?

Ambasadori Arvizu: Po, kam një shefe në fakt, e cila ka punuar këtu prej 12 vitesh. Kemi dhe një kujdestar shtëpie. Ata shkojnë shumë mirë dhe kanë punuar bashkë për shumë ambasadorë, bashkë me menaxherin e rezidencës. Pra, stafi i Ambasadës është shqiptar.

Blendi Fevziu: Dhe çfarë ushqimi hani zakonisht, amerikan apo ndërkombëtar?

Ambasadori Arvizu: Na pëlqen që t’i përziejmë pak. I përziejmë. Gjysmë kështu, gjysmë ashtu. Ajo është një kuzhiniere shumë e mirë.

Blendi Fevziu: Po ju vetë, çfarë preferoni?

Ambasadori Arvizu: Mua më pëlqen të ha çdo lloj gjëje, por doktori më ka thënë së fundi që duhet të kujdesem pak më shumë për shëndetin tim. Kështu që hamë pak më tepër peshk, fruta dhe perime, gjë që më pëlqen. Po mish…, do të doja të mundja të haja pak më shumë mish të kuq.

Blendi Fevziu: Kam dëgjuar se keni ngrënë drekë a darkë me Ismail Kadarenë dhe familjen e tij. Këtu, apo jashtë?

Ambasadori Arvizu: Jo, kemi qenë në restorant. Ishte një restorant që e zgjodhi Remzi Lani, nuk e mbaj mend, por ishte një restorant tradicional shqiptar shumë i këndshëm.
Blendi Fevziu: I njihni librat e Kadaresë?

Ambasadori Arvizu: Kam lexuar shumë rreth tij, dhe kam disa libra në zyrën time. Romanin “Kështjella”, i cili m’u dha nga stafi shqiptar, dhe kam filluar ta lexoj. Më duhet t’i lexoj të gjithë. E kam fjalën…

Blendi Fevziu: Ishte interesant takimi me të?

Ambasadori Arvizu: Shumë. Po e prisja me shumë interes. E dini? Kisha dëgjuar kaq shumë për të para se ta takoja. Mendoj se ai u tregua shumë i sinqertë me mua dhe do të doja të darkoja përsëri me të…

Blendi Fevziu: Po, absolutisht! Të flasim për hollin kryesor.

Ambasadori Arvizu: Po. Ky është holli kryesor. Gruaja ime En, është nga Seint Luis. Ajo kalon shumë kohë në shtëpi…. Dhe këtu do të shihni shumë gjëra që të kujtojnë Seint Lusin ose Çikagon. Ky quhet Profeti i Mbuluar nga Panairi i Botës në Seint Luis, mbi 100 vjet më parë. I pëlqen që të koleksionojë këto lloj gjërash.

Blendi Fevziu: Çfarë keni studiuar ju, z.ambasador?

Ambasadori Arvizu: Kam ndjekur Shkollën e Studimeve të Huaja, kështu që është një diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Xhorxhtaun ka një universitet jezuit, me fushë të gjerë studimi dhe me një theks të madh në artet liberale: qeverisje, histori, ekonomi, gjuhë të huaja, letërsi. Është një universitet shumë i mirë. Ruaj ende shumë lidhje me shkollën time.

Blendi Fevziu: Jeni i kënaqur me karrierën tuaj?

Ambasadori Arvizu: Absolutisht. Nuk do ta ndërroja me asgjë. Kisha menduar të bëhesha mësues për shkolla të mesme, sepse më pëlqen të merrem me adoleshentë, të flas me ta dhe t’i përgatis për jetën para. Por kjo ka qenë një karrierë e mirë.

Blendi Fevziu: A nervozoheni ndonjëherë kur dëgjoni që njerëzit që janë duke folur për ju si ambasador i SHBA, apo duke ju kritikuar?

Ambasadori Arvizu: Kur mbërrita në fillim, në javët e para, e kuptoja që njerëzit bënin shumë komente… Isha pak nervoz, por tani jam mësuar paksa me këtë. Nuk mendoj se mund të mësohesh totalisht, por tani them ok. kur kam folur në aksh konferencë apo intervistë.

Blendi Fevziu: Ju diskutuat para disa ditësh në programin e Ilva Tares për një celulë antiamerikane. Ishte serioze?

Ambasadori Arvizu: Epo…

Blendi Fevziu: Mediat kanë shpenzuar orë të tëra mbi këtë temë…

Ambasadori Arvizu: Ok., kanë qenë plot, siç themi ne. Artikulli i z. Zheji u riprintua dhe u daunlodua në masë, por përsëri ajo që vura unë në dukje ishte se nuk ka një celulë që mendon për mënyrat se si të kritikojë Shtetet e Bashkuara… Jo, kjo nuk është ajo që doja të thosha fare. Por u mundova të përshkruaj atë që e shoh si antiamerikanizëm, në varësi të rrethanave politike mund të ketë një përpjekje për të dhënë detyra të caktuara, për të dalë në publik. Dhe ka interesa biznesi, liderë politikë, të cilët janë përgjegjës për këtë. Dhe kjo është e ndryshme nga një opinionist që sheh një koment që kam bërë unë dhe thotë do ta kritikoj këtë, ose nuk jam dakord me këtë. E përsëris, kjo është e natyrshme. Po flas për diçka të natyrshme krahasuar me diçka të panatyrshme. E natyrshme është: nuk jam dakord me atë që ka thënë Arvizu dhe do ta kritikoj. Ose, përsëri, mendoj se qëndrimi i tij është i gabuar, jam dakord. Por, unë po flas për diçka që është më e organizuar dhe e drejtuar.

Blendi Fevziu: Keni informacion për këtë?

Ambasadori Arvizu: Kam informacion për këtë. Dhe kur dikush thotë ja ku i ke 100 euro, dhe kjo është ajo që duhet të thuash. Për mua, ky është aktivitet i drejtuar po ta krahasosh me dikë që thotë: unë nuk jam dakord me atë që ai tha.

Blendi Fevziu: Dhe kur e drejton këtë?

Ambasadori Arvizu: Mund të vijë nga drejtime të ndryshme, në varësi të rrethanave.

Blendi Fevziu: Politike apo biznesi, apo të dyja bashkë?

Ambasador Arvizu: Mendoj se ka një sinergji të natyrshme midis të dyjave…

Blendi Fevziu: Për interesa vetjake? Sepse, personalisht nuk mendoj se kjo është në interesin e Shqipërisë…

Ambasadori Arvizu: Përsëri, mendoj… Nëse do të më duhej të bëja hamendësime, mund të ketë grupe të ndryshme që e bëjnë këtë në momente të caktuara. Ndoshta ata mendojnë se në mënyrën e tyre, janë duke promovuar një interes të caktuar, apo një mënyrë të caktuar, por kjo më duket pak e pahijshme. Është e pandershme. Nëse ke një problem, më telefono, telefono Ambasadën. Mund të ulemi dhe të flasim për këtë. Nuk kemi nevojë për një fushatë shpifjesh në media. Kjo nuk është mënyra me të cilën unë operoj. Nëse unë kam problem me dikë, unë shkoj dhe e kontaktoj atë drejtpërdrejt.

Blendi Fevziu: A e mendoni këtë sepse Shqipëria shihet si vendi më pro-amerikan në rajon, ky lloj kriticizmi mund të shihet si problematik?

Ambasadori Arvizu: Epo, e dini…

Blendi Fevziu: A jeni të sigurt se është e organizuar ose e drejtuar?

Ambasadori Arvizu: Nuk ka absolutisht asnjë dyshim në mendjen time. Por, paralelisht, nuk dëshiroj ta nxjerr jashtë përpjesëtimit. Sërish dua të ritheksoj se i ashtuquajturi kriticizëm, organik ose natyral, jo vetëm që është në rregull, por është faktikisht i mirë. E kam thënë këtë përpara dhe e kam sinqerisht: ndihem jo mirë kur dëgjoj shumë gjëra të tilla, si “Amerika, shkëlqyeshëm kjo, Amerika, shkëlqyeshëm ajo”. Jo. Edhe në Ambasadë njerëzit do të thonë: “Ajo që ju keni bërë ishte e shkëlqyer”. Kjo është e këndshme. E dini, egoja ime e vlerëson këtë, por unë kam nevojë për dikë që të jetë i sinqertë me mua. Pasi e vetmja mënyrë për t’u përmirësuar është kur dëgjon kriticizëm. Ndaj, kriticizmi jo vetëm që është në rregull, por preferohet. Pjesa e drejtuar është ajo që nuk më pëlqen.

Blendi Fevziu: A keni luajtur ndonjëherë bejsboll?

Ambasadori Arvizu: Oh, kam qenë një lojtar i bazës i tmerrshëm. I kuptoj të gjitha rregullat dhe është lehtësisht një nga sportet e mia të preferuara. Është kaq argëtues.

Blendi Fevziu: Por është ende kënaqësi të ndjekësh ndeshjet?

Ambasadori Arvizu: Oh, është shumë çlodhëse.

Blendi Fevziu: Dhe futbolli?

Ambasadori Arvizu: Futbolli është në rregull.

Blendi Fevziu: Ju nuk jeni tifoz i tij?

Ambasadori Arvizu: Nuk jam tifoz i madh i natyrshëm, por kur je në Europë dhe të gjithë e ndjekin atë, dhe mua në përgjithësi më pëlqejnë sportet, është e natyrshme ta ndjek. Por, në Shtetet e Bashkuara është pak e vështirë ta ndjekësh.

Blendi Fevziu: Do t’ju pyes shkurtimisht në fund mbi disa çështje politike. Dëshiroj të kthehemi te biografia juaj. Kur ju u emëruat në fillim në Shqipëri, cilat ishin idetë tuaja mbi vendin? Kur e dëgjuat për herë të parë emrin Shqipëri?

Ambasadori Arvizu: Unë nuk dija thuajse asgjë për Shqipërinë përpara se të më përmendej nga disa zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit…

Blendi Fevziu: “Thuajse asgjë”? Çfarë do të thotë kjo?

Ambasadori Arvizu: Dija mbi sistemin e mbyllur shoqëror. Dija mbi Enver Hoxhën. Dija mbi hapjen e madhe, rizgjimin. Më kujtohej historia e Kris Hillit, anekdotikisht, por thuajse kaq.

Blendi Fevziu: A ishte vendimi juaj, apo ishte vendim i Departamentit të Shtetit?

Ambasadori Arvizu: Kryesisht ishte vendim i Departamentit të Shtetit.

Blendi Fevziu: Në përgjithësi, mesazhet që ju komunikoni janë mesazhe nga Uashingtoni, apo gjithashtu edhe mesazhet tuaja personale?

Ambasadori Arvizu: Kjo është diçka që tërheq shumë njerëz dhe më janë bërë shumë pyetje për këtë. Mua më duket shumë e qartë, por më lejoni ta shpjegoj edhe një herë. Kur dikush është këtu si ambasador, ai përfaqëson Shtetet e Bashkuara. Unë mund të kem pikëpamjet e mia vetjake. Pararendësit e mi, pa dyshim, kanë pasur pikëpamjet e tyre gjithashtu, por kur ato shprehen në publik, mendoj thuajse gjithmonë privatisht, gjithashtu, ato janë pikëpamjet e ambasadorit amerikan.

Blendi Fevziu: Ky është mesazhi që vjen nga Departamenti i Shtetit?

Ambasadori Arvizu: Jo vetëm nga Departamenti, në të vërtetë nga Shtëpia e Bardhë.

Blendi Fevziu: Shtëpia e Bardhë!

Ambasadori Arvizu: I gjithë aparati i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, por pasi që unë jam zyrtar karriere i shërbimit diplomatik, ndodhem këtu pasi Presidenti më ka zgjedhur.
Blendi Fevziu: Por, ka ndryshime në këndvështrimin e Shqipërisë apo të vendeve të tjera mes Departamentit të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë, Kongresit, Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë.

Ambasadori Arvizu: Për shkak se ambasadori është përfaqësuesi personal i Presidentit, gjatë gjithë kohës ne raportojmë në Departamentin e Shtetit, por këtu në Ambasadë kemi përfaqësues nga Pentagoni, nga Departamenti i Drejtësisë, nga Agjencia e Zhvillimit Ndërkombëtar, nga Korpusi i Paqes, ndaj këtu në Shqipëri unë nuk jam zyrtar i Departamentit të Shtetit. Jam përfaqësues personal i Presidentit. Sigurisht që jam i ndërgjegjshëm se si ndihet Departamenti i Shtetit, por unë duhet të bëj një punë të mirë në përfaqësimin e interesave të të gjithëve. Dhe, nëse ndodh ndonjë rast kur më duhet të marr një pikëpamje që është e ndryshme nga Departamenti i Shtetit – nuk ka ndodhur ende dhe shpresoj që të mos ngjasë – më duhet të jem në gjendje ta bëj këtë.  Sërish nuk mund ta përfytyroj që kjo mund të ndodhë, dhe kjo do të ishte diçka shumë e vështirë për t’u bërë. Por, nëse dikush është një zyrtar karriere ose një diplomat i caktuar politikisht, ne përfaqësojmë Presidentin këtu.

Blendi Fevziu: Z. ambasador, si ishte familja juaj? Biografia juaj thotë se babai juaj ishte nga Meksika dhe nëna nga Japonia. Ata ishin së bashku në bazën amerikanë në Japoni. Cila është historia e prindërve tuaj dhe dashuria e tyre?

Ambasadori Arvizu: Në fillim mbi babanë tim. Ai ka lindur në Meksikë. Familja e tij ishte e varfër, pabesueshmërisht e varfër. Babai im nuk e vazhdoi shkollën pas klasës së tretë ose të katërt. Ai ishte një person shumë i zgjuar.

Blendi Fevziu: A ishte një familje e madhe?

Ambasadori Arvizu: Ishte një familje shumë e madhe. Ata kapërcyen kufirin dhe erdhën në Amerikë, nuk mendoj se kanë pritur në radhë për vizë në Ambasadën e SHBA-ve.
Blendi Fevziu: Pra, ishte e paligjshme?

Ambasadori Arvizu: Nuk e përdor kurrë termin i paligjshëm, por nuk jam i sigurt nëse ata kanë qëndruar në radhë për vizë. Ata migruan në Veri, kaluan pak kohë në Teksas dhe përfunduan në Miçigan, në fabrikat e automobilave. Babai im shkoi në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.

Blendi Fevziu: Ai ishte i ri kur kapërceu kufirin?

Ambasadori Arvizu: Ishte rreth 10 vjeç, nga ajo që më kujtohet të më ketë thënë. Ai hyri në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. Ata ishin shumë të varfër. Ai u thirr në shërbimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara kur ishte shumë i ri. Ai luftoi në Europë.

Blendi Fevziu: Në Europë?

Ambasadori Arvizu: Në Europë. Divizioni i tij mori pjesë në çlirimin e Francës Jugore. Ata ishin pjesë e fushatës italiane, nga Sicilia. Mendoj ka qenë 1943-1944. Kjo ishte koha e tij kryesore në këmbësori në Europë. E dini “Shpëtoni Ushtarin Rajan”? Të gjithë atë. Ai e ka përjetuar atë. Ndaj, babai im do të jetë gjithmonë heroi im më i madh.
Blendi Fevziu: Ai luftoi për dy vite në Europë?

Ambasadori Arvizu: Po. Pas luftës ai u caktua me forcat okupatore amerikane në Japoni. Atij i pëlqeu Japonia. Aty takoi nënën time. Ajo ishte në Kioto.  Ajo kishte lindur dhe ishte rritur në Japoni. Ajo, vajzë e re, iu desh të fshihej në vendstrehim prej sirenave të bombarduesve. Këta ishin bombardues amerikanë. Ishte kohë lufte, e kuptoj plotësisht këtë. Por ajo ishte nëna ime, që fshihej në vendstrehime me thuajse asgjë për të ngrenë. Dhe kjo ka bërë… lufta ka pasur një ndikim të fortë mbi mua, kur shoh të dyja anët e tablosë. Kështu që u takuan në Japoni. Kryesisht nëna ime u kujdes për mua.  Nënat japoneze të atij brezi janë të mirënjohura për theksin mbi arsimin. Ndaj ajo ishte personi që më shtyu që të dilja mirë në shkollë. Babai im, sigurisht, ishte shumë mbështetës. Ai shërbeu më vonë në Kore. Ai shërbeu në Vietnam. Ai nuk ishte gjithmonë aty.

Blendi Fevziu: Ai shpenzoi kohë në Kore gjatë luftës dhe në Vietnam gjatë luftës?

Ambasadori Arvizu: Gjatë luftës koreane, njësia e tij ishte vendosur në Japoni. Aty i ndodhi një aksident i tmerrshëm në një xhip. Desh e vrau. Krahu iu thye dhe ai qëndroi i shtruar në spital përgjatë pjesës më të madhe të konfliktit korean. Por ai shërbeu në Kore në një tur të pashoqëruar nga familja, në vitet 1960.  Ai ishte në Vietnam…

Blendi Fevziu: Gjatë luftës?

Ambasadori Arvizu: Ai ishte atje gjatë 1969-s deri në 1970-n.

Blendi Fevziu: Cilat ishin kujtimet e tij mbi luftën.

Ambasadori Arvizu: Është për të qeshur Blendi, pasi kur unë isha i ri, atij nuk i pëlqente të fliste shumë për këtë.

Blendi Fevziu: A ishte e vështirë në këtë familje mes një ushtari amerikan dhe një vajze japoneze?

Ambasadori Arvizu: Ata më kushtuan shumë vëmendje, isha pakëz i përkëdhelur. Rritja ishte interesante pasi asnjëri prej tyre nuk e kishte anglishten gjuhën amtare. Anglishtja e tim ati është e shkëlqyer, me të vërtetë, por niveli i tij arsimor ishte shumë elementar. Ai ka pak theks kur flet. Nëna ime ndërroi jetë rreth tri vite më parë. Kuptimi i saj i anglishtes ishte shumë i mirë, por kishte një theks shumë të fortë. Mendoj se do ta kishit pasur shumë të vështirë për ta kuptuar atë që nëna ime do të thoshte. Kështu që ky ishte mjedisi në të cilin u rrita.

Blendi Fevziu: Por ju u rritën të Kolorado?

Ambasadori Arvizu: Po.

Blendi Fevziu: Pse në Kolorado?

Ambasadori Arvizu: Aty ka një bazë të madhe ushtarake amerikane dhe këtu u caktua babai im kur u largua nga Japonia.

Blendi Fevziu: Ju u rritët në një bazë ushtarake?

Ambasadori Arvizu: Ishte shumë pranë bazës, ne jetonim në shtëpi për civilë.

Blendi Fevziu: Por, rreth këtij ajri ushtarak a nuk ishte e vështirë që të ishe fëmijë?

Ambasadori Arvizu: Nuk do të thosha që ishte e vështirë.

Blendi Fevziu: Ose a ishte e këndshme? Pasi fëmijët në përgjithësi magjepsen nga uniformat.

Ambasadori Arvizu: Ishte shumë e këndshme. Më kujtohet se ajo që ishte e vështirë ishte fakti që babai im qëndroi një vit në Kore dhe unë isha në kopsht, por unë e kujtoj këtë shumë mirë. Kur unë hyra në klasën e gjashtë, ai ishte në Vietnam. Ai na shkruante çdo ditë, pa ndërprerje. Ne merrnim letrat.  Më pas ndodhi që për një periudhë nuk dëgjuam prej tij për afro dy javë – kjo ndodhi përpara se të ekzistonte posta elektronike, nuk e kishte të mundur të telefononte.

Blendi Fevziu: Vetëm letrat.

Ambasadori Arvizu: Më kujtohet nëna ime, ajo u përpoq të ishte trime, më pas nisi të qajë; ajo mendoi se diçka mund t’i ketë ndodhur atij, Edhe unë isha trim, por nga fundi – mendova – nuk kemi për ta parë kurrë më atë. Dhe më pas letrat rinisën të vijnë. Kishte pasur një vonesë në postë. Por më kujtohet qartësisht kur ne menduam se ai mund të mos kthehej më në shtëpi.

Blendi Fevziu: Cili ishte misioni juaj i parë?

Ambasadori Arvizu: Në shërbimin e jashtëm. Ishte zyrtar konsullor në Seul, Kore në vitin 1982.

Blendi Fevziu: Më pas ju shpenzuat kohë në Japoni, Tailandë dhe Kamboxhia.

Ambasadori Arvizu: Kam qenë në Japoni dhe më pas u ktheva në Kore në vitet 1980, si zyrtar politik. Më pas, sikurse e përmendët, isha në Tailandë në vitet 1990. Kam kaluar shumë kohë në Uashington në ’90-n gjithashtu. Kam qenë në Shtëpinë e Bardhë, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, për një vit. Më pas kam shkuar në Kamboxhia si numri dy. Më pas u ktheva në Bangkok, Tailandë si numri dy gjithashtu.

Blendi Fevziu: Cili është niveli i shqipes suaj?

Ambasadori Arvizu: Kuptoj disa fjalë, ndjek gjërat në TV. Unë mund ta kuptoj tematikën, por fatkeqësisht nuk kam ndjekur mësime formale. Mendoj që mund të ndjek disa mësime, mendoj që do të ishte interesante, por puna qëndron se nëse e bëj këtë, dua ta bëj si duhet.

Blendi Fevziu: Ju flisni disa gjuhë të huaja.

Ambasadori Arvizu: Kam studiuar disa gjuhë të huaja.  Japonishtja ime është në rregull. Koreançja ime nuk është e keqe. Tajlandishtja ime dhe gjuha kmere ime janë shumë elementare. Kam harruar kaq shumë.

Blendi Fevziu: A jeni të pakënaqur me botimin e WikiLeaks-it në mbarë botën, por veçanërisht në Shqipëri?
Ambasadori Arvizu: Jam tmerrësisht i pakënaqur, jashtë mase i mërzitur. Mendoj se për cilindo në profesionin tonë, kur sheh atë që ka bërë WikiLeaks-i, vetëm dëmi i shkaktuar nga ai…, është një ndjesi neveritëse. Mendoj për kohën kur kam qenë në Kore dhe kur flisja me njerëzit, sërish, në një orvatje për t’u përpjekur dhe për të kuptuar zhvillimet në shoqërinë në Korenë e Jugut dhe njerëzit në Uashington donin të dinin. Ata thanë – çfarë mendojnë njerëzit? Kështu, këta ishin njerëz të cilëve u besoja dhe që më besuan. Ata e dinin se do të raportoja disa prej këtyre gjërave, por sërish kishte disa rregulla loje që funksionin dhe WikiLeaks-i i fshiu të gjitha këto. Është thjesht një gjë e tmerrshme, e tmerrshme.

Blendi Fevziu: A ishit ju pjesë e WikiLeaks? A ishte emri juaj në kabllograme?

Ambasadori Arvizu: Kam parë që emri im është përmendur në nja dy kontekste. Për të qenë i sinqertë, ç’është e vërteta, nuk i kam kushtuar vëmendje.

Blendi Fevziu: Z. ambasador, prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë ka nisur një hetim mbi dosjet e WikiLeaks-it, që do të thotë të komenteve të ambasadorit Withers. Çfarë mendoni për këtë hetim?

Ambasadori Arvizu: A e ka bërë ajo? Pasi është raportuar se është ngritur një grup i posaçëm, por kur kemi pyetur na është thënë se nuk është ngritur asnjë grup i posaçëm hetimor dhe mendoj se zyra e Prokurorisë ka lëshuar një deklaratë ku është thënë se nuk është ngritur asnjë grup i posaçëm hetimor me qëllim hetimin e WikiLeaks-it. Gjithsesi, kjo është ajo që unë kam kuptuar.

Blendi Fevziu: Më lejoni t’ju pyes mbi ofertën e re të opozitës për shumicën për një kompromis të madh mes dy partive. A i keni lexuar kushtet e tyre?

Ambasador Arvizu: Kjo është lista prej dhjetë…

Blendi Fevziu: Po, prej dhjetë pikash…

Ambasadori Arvizu: Që z. Rama ka bërë publike. I kam parë. Ajo që mirëprita është fakti që kishte shumë propozime specifike apo pika. Disa ishin shumë të thjeshta dhe elementare, disa të mëdha. Por, ato ishin propozime specifike dhe krahasuar me gjëra të tjera që kam parë nga PS, këto ishin më specifike, më konkrete sesa gjërat e tjera në të shkuarën. Ndaj, mendoj se është një zhvillim pozitiv. Nëse ndonjëra ose të gjitha ato do të adoptohen, kjo do të mbetet subjekt debate, por mendova se ishte mirë që PS i paraqiti ato.

Blendi Fevziu: A keni ndonjë koment konkret për këto pika?

Ambasadori Arvizu: Nuk më kujtohen të gjitha ato, të jem fare i sinqertë, por mendoj se shumë prej tyre u përkasin hapave lidhur me funksionimin e Parlamentit.

Blendi Fevziu: Zgjedhja e guvernatorit të Bankës, kryetarit të ri të Kontrollit të Shtetit…

Ambasadori Arvizu: Avokatit të Popullit, mendoj, por edhe organizimin drejt rrugës së integrimit, hapave drejt integrimit. Këto janë të gjitha tema shumë të përshtatshme, disa prej tyre janë shumë të diskutueshme, por është mirë që PS-ja prezantoi një propozim formal dhe tani i përket PD-së që të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur ose që të vijë më një kundër-ofertë.

Blendi Fevziu: Ambasador, njëri prej diskutimeve më të mëdha në muajt e ardhshëm do të jetë zgjedhja e Presidentit në vitin 2012. Këto janë disa prej komenteve, edhe në Parlament disa ditë më parë, opozita kërkoi një president që del nga kompromisi mes shumicës dhe opozitës. Çfarë mendoni për zgjedhjen e Presidentit?

Ambasadori Arvizu: E kuptoj interesin, jo vetëm i PS-së, por edhe të njerëzve në përgjithësi, për një president që mund të përfaqësojë disa pikëpamje më të gjëra. Kur sheh Kushtetutën, është interesante, si çdo kushtetutë. Nuk është tërësisht e qartë, pasi Presidenti ka pasur disa funksione të veçanta qeverisëse, si caktimi i gjykatësve dhe të ngjashme me to, shpallja e zgjedhjeve ose njoftimi i datës për zgjedhjet. Por, Presidenti supozohet që të jetë gjithashtu simbol uniteti për njerëzit, dikush që qëndron mbi punët e përditshme të qeverisë. Dhe, unë e kam përmendur këtë më parë. Për mua, ajo që është ideale, është ekuilibri. Nuk dëshiron të kesh një konflikt të hapur mes zyrës së Presidentit dhe zyrës së Kryeministrit, por gjithashtu nuk dëshiron që të kesh një president që është një miratues i çdo gjëje që propozon Kryeministri. Kjo nuk është e shëndetshme. Ky nuk është një sistem i mirë kontrolli dhe baraspeshimi. Dikush që përfaqëson një pikëpamje tjetër, por dikush që është i angazhuar që ta bëjë qeverinë të jetë më efikase në atë që po përpiqet të bëjë. Vjen te zgjedhja e atij individi. Një president konsensual – nëse mund të bëhet, pa dyshim, por mendoj – sa realiste është kjo në këtë mjedis? Nuk jam i sigurt se kjo është një gjë shumë realiste. Ata pa dyshim mund të flasin për këtë, në të vërtetë mendoj se ata duhet të flasin rreth kësaj, por mund të vijë te kampi qeverisës që të jetë shumë i mençur në propozimet e tij drejtuar opozitës. Ndaj, mendoj se personi që përzgjidhet është i rëndësishëm, por shumë më tepër se vetë individi është procesi. A do të ketë konsultime me z. Rama dhe të tjerë në PS? A do të ketë ndoshta disa diskutime publike mbi këtë? Ndaj, mund të ketë një lloj konsensusi – në të vërtetë nuk më pëlqen fjala konsensus. Ndoshta mund të ketë një të kuptuar të gjerë mbi tipin e personi që duhet të jetë presidenti i ardhshëm. Mendoj se ky do të ishte një rezultat i arsyeshëm.

Blendi Fevziu: A mendoni se është më mirë të kesh një president që është një personalitet i fortë politik, apo dikush që vjen nga shoqëria civile në përgjithësi? Pra, dikush aktiv në politikë, apo dikush nga shoqëria civile, me pjesëmarrje aktive, por jo drejtpërdrejtë në politikë?

Ambasadori Arvizu: Mendoj se mund të funksionojë nga të dyja kahet. E mendoj me të vërtetë. Kam dëgjuar njerëz të thonë, nëse merr një figurë shoqërore, problemi qëndron se personi ka të ngjarë të mos jetë i familjarizuar me politikën. Politika mund të jetë një lojë e ashpër dhe rrokullisëse dhe sa efektiv mund të jetë ai person? Nga ana tjetër, njerëzit janë pak të lodhur nga politika dhe duan për president dikë që mund të ngrihet mbi grindjet. Mendoj që mbetet tek cilësia e individit. Zyra e Presidentit është një post politik, të paktën pjesërisht.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama