Por, në vendin e tij nuk ka fare rëndësi nëse je apo jo një kampion bote. Kushtet e stërvitjes janë skandaloze, ndërsa privilegjet e atletëve në Perëndim, si psikologu apo dietologu, as që mund të mendohen. Megjithatë, Paull është optimist. "Nuk stresohem për të tilla gjëra. Pranoj atë që kam. Bëj ç‘të mundem me ato që kam në dispozicion", tregon ai. Paull nuk ka dashur kurrë të largohet. "Ndihem si në shtëpinë time këtu, me miqtë e mi. Nuk kam asgjë për të ardhur keq. Pastaj, njerëzit janë të lumtur që një nga yjet e tyre nuk është larguar nga Xhamajka". Me vendlindjen e lidhin edhe shumë kujtime, edhe pse të hidhura. Në vitin 2002, vëllai i tij Majkëll u qëllua për vdekje në një taksi në Nju Jork, nga një grabitës, ndërsa një vit më vonë vëllai tjetër, Donovan, gjithashtu një atlet i talentuar, humbi jetën në një fushë futbolli amerikan. "Ishte një atak në zemër. Askush nuk e dinte se ai ishte sëmurë. Dukej shumë i shëndetshëm", thotë Paull. "Pas vdekjes së Majkëllit desha të hiqja dorë nga gjithçka, por vëllai i madh më dha kurajë të vazhdoja, sepse kjo do të kishte qenë edhe dëshira e Majkëllit. Vazhdova për familjen time. Por në 2003-shin, kur Donovan vdiq, nisa të pyesja sërish veten se kush nga vëllezërit mi e ka radhën". Pavarësisht se është djali i vogël i familjes, sukseset e kanë bërë të ndihet më i moshuar. "Po, jam më i vogli, por po mbaj mbi shpinë gjithë peshën e familjes sime". E në fakt, rezultatet që ka arritur i kanë sjellë gëzim dhe vuajtje njëkohësisht. Disa vjet më parë, i ati i tij, Uilliam, u vra në rrugë nga disa hajdutë, një ngjarje e lidhur me faktin se djali i tij i vogël, Asafa, si një nga atletët më të njohur, ishte shumë i pasur. Pasi të heqë dorë nga vrapi, Asafa ka të tjera plane për jetën. "Gjithmonë kam dashur të bëhem futbollist. Në Xhamajkë këto janë dy sportet me të cilat merren zakonisht njerëzit. Luaj shpesh futboll, por thjesht për t‘u argëtuar. Megjithatë, gjithmonë e më shumë e mendoj veten time si mekanik në të ardhme, pasion që e kam trashëguar nga im atë". Por, deri sa të bëhet mekanik, xhamajkani ka vërtet shumë sfida përpara, ku më kryesorja është ajo e Pekinit. "Ai është njëlloj si Ronaldinjo këtu dhe nëse fiton, të gjithë do ta bëjnë hero kombëtar", tregon trajneri i tij, një njeri që kërkon nga Asafa të bëjë maksimumin. "Ndonjëherë e ndiej veten si Kryeministër këtu. Çdo ditë njerëzit në rrugë më thonë: ‘Të lutem përpiqu të fitosh në olimpiadë‘. Dhe jam i sigurt se do ta bëj". Ja se ç‘tregon ai vetëm disa ditë pasi kaloi me sukses provën përfundimtare të bërë në Stokholm para nisjes për në Pekin.
U trembeni kundërshtarëve tuaj, duke parë që të gjithë do synojnë "Medaljen e Artë" në Pekin?
E di, por nuk mund të kontrolloj garën e atletëve të tjerë. Nuk mund t‘i pengoj të jenë kundërshtarët e mi. Ajo që më duhet të bëj është që të shkoj në Kinë i stërvitur mirë fizikisht dhe i përqendruar, pa menduar shumë për të tjerët. E vetmja siguri që kam është se nëse në start unë nuk jam gati, do të më mundin të tjerët. Kjo, në fund të fundit, është edhe siguria që kanë edhe ata.
Me pak fjalë, nga këto lojëra olimpike prisni vërtet shumë?
Pres të fitoj "Medaljen e Artë", asgjë më shumë.
Ndiheni në formë?
Jam mirë, jam gati. Po stërvitem shumë dhe e kam marrë veten plotësisht nga dëmtimet. Kur stërvitem ndonjëherë, vrapoj aq shpejt sa them me vete se nëse do të bëj kështu edhe në garë, do t‘ia dal mbanë që 100 metra t‘i përshkruaj për nëntë sekonda.
Çfarë mendoni për Gein dhe Boltin, kundërshtarët më të fortë?
Për Gein, në Osaka 2007 më kujtohet që sapo kaloi vijën e finishit m‘u afrua dhe më pyeti: "Për çfarë po mendoje ndërsa vrapoje? M‘u duke sikur ishte tjetër njeri, jo ti". Pastaj u rikthye pak më vonë dhe më tha: "Sot fitova unë, herë të tjera ti. Duhet të jesh krenar për këtë". Nuk kam për ta harruar kurrë. Bolt është një njeri i mrekullueshëm. Prej kohësh ka respekt për mua, që kur i thashë që i duhej të mendonte më pak për argëtimet dhe më shumë për stërvitjen. E ka ndjekur këshillën time. Tani jam i lumtur dhe krenar që rekordin e mban një xhamajkan.
Thuhet se pësoni krizë kur jeni para takimeve të rëndësishme dhe ju tremb prania e atletëve me personalitet të madh...
Në të vërtetë njerëzit mund të thonë ç‘të duan. Nuk më intereson. Ata nuk e dinë cilat janë ndjenjat personale kur je në pistë. Unë duhet të mendoj vetëm për veten dhe për atë që më thotë trajneri im.
Pra, nuk qenka e vërtetë se ju vraponi më mirë kundër kronometrit se sa kundër kundërshtarëve?
Janë budallallëqe. Koncepti i të vrapuarit kundër kronometrit nuk ekziston. Mund të vraposh vetëm kundër kundërshtarëve, jo kundër asaj që njerëzit thonë, ose kundër tribunës, kohës. Në pistë ka kampionë, të gjithë të shpejtë dhe të fortë, dhe ti duhet të jesh më i shpejtë dhe më i fortë se ata.
Çfarë lloj stërvitjeje keni bërë gjatë këtyre kohëve?
Këtë vit doja të tregoja se sa shpejt mund të vrapoj. Kështu, në fillim u sforcova më shumë se ç‘duhej, ndaj edhe u dëmtova. Tani e kam marrë plotësisht veten dhe kam nisur të punoj sërish. Mbi të gjitha për fuqinë, pastaj u përpoqa të perfeksionoja nisjen dhe mbërritjen. Jam përpjekur të bëj më shumë se ç‘mundesha, aq sa kur e ndieja se nuk kisha më fuqi dhe isha shumë i lodhur, i thosha vetes se jam në gjendje të bëj edhe një xhiro tjetër.
Duket vërtet se është një sezon i artë për sprinterat xhamajkanë
Kemi arritur rezultate të mrekullueshme kohët e fundit dhe sinqerisht nuk arrij t‘i gjej shkaqet e këtij boom-i. Ndoshta ka rëndësi fakti që Xhamajka është një ishull i vogël, ndaj është më lehtë të zbulosh dhe të rrisësh talentet e vërteta. Ose ndoshta ideja se është një vend i varfër, ku nuk mund të jetosh duke u marrë me sporte të tjera. Unë vetë, të jem i sinqertë, nëse do të kisha lindur në ndonjë vend evropian, nuk do isha bërë kurrë sprinter. Kam qenë një futbollist i mirë, por u detyrova nga kushtet që të bëhesha atlet.
Thonë se ju jeni mik i ngushtë me Françesko Toti
Është një legjendë. E vlerësoj shumë, por e kam parë vetëm një herë në jetën time, në aeroport në Itali. Ishte bashkë me të fejuarën. Kishte shumë njerëz përreth, ndërsa unë akoma isha një i panjohur. Kështu iu afrova dhe bëra një foto me të. Nuk jemi miq, por e vlerësoj shumë, vërtet.
Le të rikthemi tek olimpiada. Shumë e kanë kundërshtuar faktin që do të zhvillohet në Kinë. Çfarë mendoni për këtë?
Nuk e di, por mendoj se për ne atletët kjo nuk ndryshon asgjë. Ne do të jemi të mbrojtur dhe të veçuar nga ajo që do të ndodhë jashtë mureve të stadiumeve.
Pra, ju mendoni vetëm të vraponi, të tjerat nuk kanë rëndësi?
Mendoj se sporti mund të ndihmojë që të ndryshojnë gjërat. Por që kjo të ndodhë, secili duhet të japë ndihmesën e vet. Në Kinë, si kudo, njerëzit i duan kampionët të garojnë dhe kjo shkon përtej kompeticionit. Le të shpjegohem më mirë. Në Xhamajkë kemi pasur gjithmonë një përqindje shumë të lartë kriminaliteti. Në vitin 2004 mora pjesë në një kompeticion sportiv, që u ndoq dhe angazhoi gjithë vendin. Më kujtohet se si ngela i habitur kur lexova gazetat që kishin nxjerrë statistikat. Në ditët e garave ishte edhe shkalla më e ulët e kriminalitetit në historinë e Xhamajkës.
Sa i madh është rreziku i dopingut për Olimpiadën e Pekinit?
Për fat të keq, shumë. Është bërë shumë punë në këtë drejtim, por ngelet akoma shumë për t‘u bërë. Sepse e vërteta është që njerëzit nuk mësojnë kurrë nga pësimet.
Rekordet
Për herë të parë, Paull theu rekordin botëror të 100 metrave në 14 qershor të 2005-ës, në Athinë. Ai arriti kohën 9"77, duke kaluar me një të qindtën e sekondës kohën e kundërshtarit të tij, Montomeri. "Nuk mund ta shpjegoj atë ditë. Ndihesha normal. Thjesht vrapova dhe kur pashë kohën që shënonte 9"77, u tmerrova. M‘u duk çmenduri ajo që kisha arritur". E për të vërtetuar që kjo nuk kishte të bënte aspak me fatin, në 2006-ën arriti të shënonte sërish të njëjtën kohë 2 herë, në Gateshead dhe Zyrih, në maj të atij viti. Në shtator të vitit 2007, në Rieti të Italisë, Paull kaloi çdo parashikim të mundshëm. Ai shënoi një kohë të paprecedentë, 9"74 të qindtat, duke vendosur kështu rekordin botëror.
Nga : Gazeta Shqip