Asnje gjurme e avionit qe do te monitoronte Shqiperine nga ajri

Asnje gjurme e avionit qe do te monitoronte Shqiperine nga ajri

Policia shqiptare është në pritje të një avioni monitorues të sipërfaqes së vendit, nga ku do të evidentohen edhe zonat që kultivojnë kanabis sativa. Megjithëse policia tha se ky avion do të monitoronte Shqipërinë, ndërsa aksioni do të fillonte në fillim të kësaj jave. Por, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme, ende nuk kanë dhënë informacione zyrtare për këtë avion që do të vinte nga Italia, ndërsa kanë deklaruar se në Shqipëri kanë ardhur një grup ekspertësh italianë dhe pajisjet që do të montohen në këtë avion.

 

Në pamundësi të monitorimit të territorit nga vendi, pala shqiptare ka filluar veprimet në terren, ndërsa Policia e Shtetit ka lënë një sërë detyrash për çdo drejtori në qark, të cilat kanë si detyrë monitorimin e vendit me zonat e mbjella me kanabis. Policia ende nuk ka ndonjë plan konkret për ndërhyrje në të gjithë Shqipërinë dhe do të duheshin fotografitë dhe filmimet e avionit italian për të pasur në fokus zona të veçanta.

 

Gjithsesi, plani aktual i policisë është që të evidentohen që në momentet e para parcelat me kanabis, duke mos u lënë kohë fermerëve që të mbjellin kanabisin. Duke u ndalur tek avioni italian, policia thotë se kanë hartuar zonat ku do të fluturojë, ndërsa mësohet se tre janë qarqet më të nxehta: Gjirokastra, Vlora dhe Shkodra. Në fokus të veçantë do të jetë edhe fshati i Lazaratit, ku italianët thanë se hashashi i mbjellë në këtë zonë kap shifrën e 4.5 miliardë eurove. Vitin e kaluar, policia italiane monitoroi nga ajri të gjithë Shqipërinë, por në terren u zhvilluan fare pak operacione, duke qenë edhe një vit zgjedhor dhe me rotacion pushteti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama