Assange Nese do te sulmosh nje organizate goditi liderin

Assange: Nese do te sulmosh nje organizate, goditi liderin
Ndërsa Julian Assange, themeluesi i “Wikileaks”, është duke u marrë me çështjen e tij në gjykatë, i duhet të përballet edhe me një valë armiqësie. Në një intervistë të fundit, ai deklaron se gjatë katër viteve të ekzistencës së sajtit, nuk ka pasur asnjë rast të vetëm ku të jetë publikuar diçka e paqenë apo jo korrekte.

Një pjesë të kohës e kalon në një kolltuk, në shtëpinë e miqve të tij në Norfolk. Kjo, sepse ose është i zënë me kompjuterin e tij, ose mbyll sytë për ndonjë orë a dy për t’u çlodhur dhe rimarrë veten. Së fundi i është dashur që të merret me dosjet e sapopublikuara në lidhje me Egjiptin dhe rolin amerikan në këtë vend. Dokumentet e publikuara flasin për shkaqet kryesore që qëndrojnë në qendër të kryengritjes egjiptiane: tortura e disidentëve politikë, madje edhe ajo ndaj të burgosurve të zakonshëm, përhapjes në një shkallë të madhe të represionit e frikës dhe mbi të gjitha rritjes së jashtëzakonshme të aktivizimit dhe protestave përmes dhe falë internetit, krijimit të blogjeve me qëndrime opozitare dhe lëvizjeve demokratike gjithmonë brenda rrjetit. Ndërsa zakonisht Assange konsiderohet si një armik i politikës amerikane, të paktën për sa u përket materialeve që ai ka publikuar deri më tani, si për ironi, materialet e Egjiptit e nxjerrin Departamentin e Shtetit në një dritë pozitive për sa i takon çështjes dhe rolit në rastin e Egjiptit dhe zhvillimeve të fundit në këtë vend.

Ndërkaq, për 8 ditë Assange duhet që të përballet me një seancë në gjykatë, në të cilën do të vendoset edhe fati i ekstradimit të tij të diskutueshëm në Suedi për akuzat e përdhunimit nga dy vajza. Njerëzit nuk e dinë në përgjithësi që Assange është i pasionuar pas fizikës kuantike sa edhe pas ideologjisë dhe se pjesa më e madhe e punës së tij është motivuar nga dëshira dhe pasioni i tij për të parë të aplikuara në praktikë ligjet e mekanikës në informim. Kohët e fundit ai është ndier jo vetëm nën presionin e autoriteteve të ndryshme amerikane dhe shtetërore në përgjithësi, përfshi Suedinë, por edhe të disa gazetave dhe organeve mediatike, me të cilat ka bashkëpunuar për shumë kohë. “Si mund ta sulmosh një organizatë? E para gjë që bëhet është të diskreditosh kreun e saj dhe me mua kjo nisi menjëherë pas publikimit të dosjeve të rëndësishme, që nxirrnin në dritë të vërtetat e pathëna të luftës në Afganistan dhe Irak. Për mua thanë fillimisht se jetoja në luks dhe pasuri në Afrikën e Jugut, por unë nuk kam qenë kurrë në Afrikën e Jugut. Së dyti, sulmi u përqendrua te prerja e burimeve dhe mjeteve të financimit, që është një goditje tjetër shumë e madhe për ‘Wikileaks’”, thotë Assange. Sipas tij, sanksionet ligjore të ndërmarra nga Pay Pal dhe Master Card i kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha “Wikileaks” dhe 90% e të ardhurave të saj kanë shkuar për të mbuluar këtë dëm të shkaktuar. “Ka pasur madje edhe akuza se ne kemi vrarë njerëz, edhe pse askush nuk mund të bëjë akuza konkrete, por vetëm fjalë të lëshuara në erë dhe të pabaza. Deri më sot, që nga dita e parë që ne jemi shfaqur online, jemi treguar perfektë në dy drejtime: nuk kemi bërë asnjë publikim, por asnjë të vetëm dhe këtë e theksoj, që të jetë përgënjeshtruar, apo të jetë cilësuar si ‘i pavërtetë’. Nuk kemi publikuar asnjëherë asgjë të falsifikuar apo të pavërtetë. Së dyti, pavarësisht publikimit të materialeve për rreth 100 vende të ndryshme të botës, askush nuk ka pasuar as dëmin më të vogël personal dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë ankesë në këtë drejtim.”

Megjithatë, dy nga burimet e “Wikileaks” janë në burg: i pari është ish-ushtaraku Bradley Manning, i cili dyshohet se është “burimi” i disa informacioneve në lidhje me dosjet e Irakut dhe të Afganistanit dhe i dyti është Rudi Elmer, ish-bankieri zviceran, i cili i dorëzoi Assange një disk, në të cilin ndodheshin informata shumë të rëndësishme dhe fakte konkrete për shumë persona dhe llogari të tyre bankare të parregullta. Ish-bankieri zviceran e bëri publike dorëzimin e dokumenteve së bashku me Assange dhe më pas iu nënshtrua një procesi gjyqësor për nxjerrje sekreti, pas të cilit është dërguar menjëherë në qelitë e paraburgimit. “Unë nuk mund të flas për burimet tona, por mund të flas për ato që po u ndodhin atyre. Manning ka kaluar në izolim 240 ditë dhe bëhet fjalë për kushte të rënda izolimi që mund të të lënë me pasoja të rënda psikologjike. Për më tepër, pavarësisht kësaj, ai nuk është çuar ende në gjykatë, pra nuk ka dalë para gjyqit, çka është shumë e paligjshme dhe përbën një shkelje të rëndë të së drejtës së të pandehurit. Ka një nxitje të madhe për të gjetur dikë që të fajësohet për atë që ka ndodhur. Është një çështje për të shpëtuar “fytyrën”.

Një tjetër kritikë që shpesh i bëhet “Wikileaks” është se ekspozimi i sekreteve bankare do të nxisë më tepër krijimin e një strukture më hermetike nga ana e bankave dhe instituteve financiare që do të mbyllin edhe më shumë informacionet dhe të dhënat. Me fjalë të tjera, do të ketë më shumë sekrete dhe ato do të jenë të ruajtura shumë më mirë.

“Reagimi nga korporatat e mëdha dhe pushtetet qeveritare ndaj rritjes së transparencës për publikun ishte një fakt, të cilin ne e menduam shumë para se të lançonim sajtin në vitin 2006. Për shembull, kur unë pata në duar një manual standard të procedurave operative në Guantanamo u befasova kur mësova se në të përfshiheshin jo vetëm praktika çnjerëzore, por edhe rojat instruktoheshin për t’u dhënë informacione të falsifikuara të dërguarve të Kryqit të Kuq. Ky ishte vetëm një material dhe ne menduam se çdo lloj abuzimi i kësaj natyre duhej që të ekspozohej.” Sipas Assange, në kushte të tilla një organizatë ka dy mundësi: të përfshihet në një plan, sipas të cilit të fitojë mbështetjen e publikut nëse sekretet do të dalin në dritë dhe, mundësia e dytë, është që të shpenzojë shumë për të mbajtur këto plane të fshehta.

Ndërsa Assange është duke shkruar librin e tij për “Wikileaks”, i cili pritet që ta publikojë në muajin prill, një numër gazetarësh dhe personash janë duke shkruar dhe botuar libra dhe informacione të ndryshme në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e Assange. Madje, aq të shumta janë këto publikime sa vetë Assange ndihet si i “sulmuar”.

Ndërkaq, sipas Assange, mediat e vendeve jo amerikane kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mbështetës më të shumtë, si për shembull e përditshmja spanjolle “El Pais”. Edhe e përditshmja më e famshme e Francës “Le Monde” e shpalli atë njeriun e vitit, ndryshe nga amerikania “Time”, që e kishte në listë, por nuk e shpalli.

E në këtë fluks të madh e morie informacionesh, Assange preferon që, ndërsa pret datën e gjykimit të një çështjeje shumë të rëndësishme për të, të vazhdojë punën me orë të gjata me laptopin e tij në kolltukun e vjetër në shtëpinë periferike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama