Assange e McAfee dy te arratisurit e internetit

Assange e McAfee: dy te arratisurit e internetit
Të dy kërkohen nga policia. Si themeluesi i “Wikileaks” ashtu edhe “zotëria” antivirus famën e tyre ia atribuojnë uebit

Julian Assange është i mbyllur brenda ambasadës ekuadoriane në Londër për t’i shpëtuar një mandat arresti të lëshuar nga Suedia. John McAfee ka kërkuar azil politik në Guatemalë, sepse policia e Belizesë e kërkon për ta pyetur për vrasjen e një bashkëkombësi, fqinjit të tij. Të dy janë bërë të famshëm për: Assange si themelues i “Wikileaks”, organizata ndërkombëtare që nxjerr në dritë dokumente sekrete të mbajtura larg syrit të publikut; McAfee si një programues e matematikan që në vitin 1987 ka themeluar një nga kompanitë më të rëndësishme të sigurisë online.

Historitë e tyre megjithatë janë shumë të ndryshme: Assange nuk është i pasur (ose të paktën kështu duket) dhe se shtyhet nga ideali më shumë se nga paratë, edhe pse rrezikon shumë me jetën e tij. Tjetri është një multimilioner që u transferua në Amerikën latine për t’i dhënë një “kthesë” ekzistencës së tij. Po sot (dje) në dy gazeta të ndryshme angleze shfaqen dy artikuj që u kushtohen atyre. Për “Guardian”, Assange ka radhën e një interviste, ku tregon jetën e tij të mbyllur brenda në ambasadë, ndërsa në “Financial Times” rindërtohet jeta e McAfee me deklarata të dhëna para largimit nga Belize. Titujt janë të njëjtë për të dyja shkrimet: “Të arratisurit”.

Assange, i sëmurë

Për “Guardian” Assange tregon detaje për jetën e tij gjashtë muaj nga hyrja në ambasadën ekuadoriane në Londër, nga e cila nuk mund të dalë. Brenda, autoritetet britanike nuk mund të ndërhyjnë. Nëse Assange do të kërkojë të dalë, policia britanike mund ta arrestojë dhe ta ekstradojë në Suedi, ku themeluesi i “Wikileaks” kërkohet për përdhunim. “Do të ishte bukur të dilje për një shëtitje”, shpjegon me zë të ulët. Sipas “Guardian”, Assange duket i dobësuar, madje i sëmurë. Është i shqetësuar për atë që mund t’i ndodhë në të ardhmen. “Po marr në konsideratë mundësinë për të qëndruar i mbyllur këtu brenda për gjithë jetën time”, thotë.

Me pak fjalë një jetë prej të burgosuri, me një llambë me rreze UVA për të kompensuar mungesën e dritës. Pastaj mendimi për ata që i kanë qëndruar afër e kush ka punuar me të: “Shumë njerëzve u është dashur të ndryshojnë emrin dhe të fshihen, shumë të tjerë kanë marrë kërcënime me vdekje”. Me pak fjalë i frikësuar dhe i dobët. Por pavarësisht të gjitha këtyre një fjali ka më shumë peshë se gjithë të tjerat: “Në vitin 2013 do të publikojmë më shumë materiale se në 2012-n”. Me pak fjalë Assange do ta çojë deri në fund betejën e tij, sepse nuk dorëzohet lehtë.

Drogat e McAfee

Tjetër ton dhe të tjera fjalë për historinë e John McAfee. Intervista e multimiliarderit amerikan të arratisur nga Belizeja, pas vdekjes së fqinjit dhe bashkëkombësit të tij, i është dhënë “Financial Times” para arratisjes në Guatemalë. 67-vjeçari erdhi në takim me bluzë pambuku, kapele bejsbolli dhe shapka me gisht. McAfee shpjegon se përse u transferua në Belize, pasi shiti në vitin 1994 kompaninë e tij antivirus.

“Përse të mos vija? Këtu qenka parajsë”. E fejuara e tij Samantha, është vetëm 20 vjeçe dhe e ka takuar aty. Kur shpërtheu kriza ekonomike pas vitit 2007, McAfee u nis me një ide: “Të investoja në disa projekte si prodhimi i antibiotikëve nga bimët e xhunglës”. “Nuk ka drogë që unë nuk e kam provuar”, tregon McAfee. Që në prill agjentët e policisë kishin sekuestruar në banesën e McAfee armë ilegale dhe aparatura për të prodhuar substanca të ndaluara. Dhe jo vetëm. Sipas dëshmive, sjellja e tij ishte paranojake dhe përdorte shumë droga. Pastaj zënka me fqinjin e shtëpisë, që u gjend i vdekur dhe i zhytur në një mal gjaku.

Por McAfee ka një teori të tijën që e ka publikuar edhe në blogun e tij: “Policia e Belizesë kërkon të më vrasë. Kam para, shtëpi, makina, gjëra që këtu nuk i ka askush. Ja pse u jam bërë pengesë”. Pastaj tregon muajt e fundit, gjatë të cilëve autoritetet lokale kanë zbuluar një strehëz në xhungël, plot me drogë, sipas tyre. Por për McAfee bëhej fjalë për një laborator për të bërë kërkime mbi antibiotikët. “Policia donte vetëm para nga unë. Janë të gjithë të korruptuar”. Këto janë momentet e fundit të një interviste vetëm pak orë para arratisjes në Guatemala, ku i është mohuar azili politik. McAfee u arrestua për dhunim të ligjeve mbi emigracionin, duke u bërë edhe ai një i arratisur tjetër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama