At Zef Pllumi nga duart e Gregor Rames dhe Arben Bajos

At Zef Pllumi, nga duart e Gregor Rames dhe Arben Bajos

Profesori i Akademisë së Arteve, Arben Bajo zgjodhi studentin e tij Gregor Rama, për realizimin e shtatores së At Zef Pllumit, mikut të babait të tij Edi Rama, qysh në agun e viteve ’90, siç u shpreh kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj. Shtatorja u vendos këtë fundjavë në qendër të shëtitores të komunës së Shëngjinit me rastin e hapjes së Sezonit Turistik 2014.

“Nga sot, monumenti do të hijeshojë këtë qytet. At Zef Pllumi u kthye pikërisht aty nga u nis, në vendlindjen e tij. Shumë herë, secili prej nesh nuk e ka luksin të realizojë ëndrrat e veta për njëmijë arsye, por ma lejoni këtë çast dobësie: Më lejoni të them, se tani bashkë me ju, unë prek ëndrrën time! Sot jam këtu nën hijen e shtatores At Zef Pllumi!” – tha në fjalën e hapjes kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, i cili ka ftuar kësisoj të gjithë turistët që të vijnë në Shëngjin, duke u premtuar atyre se komuna do të ketë vëmendje maksimale për të ofruar kushte për të gjithë ata që do zgjedhin këtë zonë për të kaluar pushimet e tyre verore.

 

Vendosja e shtatores së At Zef Pllumit është konsideruar një ngjarje e rëndësishme. Sipas Kaçajt, dy skulptorët fort të talentuar, Arben Bajo dhe Gregor Rama, e kanë nxjerrë nga duart, për modelin sipëror që i kanë ofruar artit shqiptar. “Shumë herë kam biseduar me shkrimtarin Preç Zogaj, Profesor Agron Gjekmarkajn e me shumë intelektualë të tjerë, për rikthimin e At Zef Pllumit në shtëpi se si duhej realizuar përmendorja e tij, se si duhej vendosur përballë detit Adriatik, përballë Perëndimit, vlerat e të cilit françeskani i madh i mbrojti më shumë se askush mbi këtë  tokë. Kam jetuar disa vite me miklimin që më jepte kjo ide. E doja At Zef Pllumin qysh nga tregimet e tim eti, si nxënës i së njëjtës shkollë.

 

E adhuroja atë nga rrëfimet e Luk Kaçajt. E sot, bashkëndaj krenari si miliona shqiptarë për veprën e tij ‘Rrno vetëm për me tregue’, për etikën e shkrimit, për provën e moralit, për qëndresën dhe identitetin e patjetërsueshëm në kohë dhune, kur njeriu u përkul, u thye, u gjymtua mendërisht e shpirtërisht. Ne jemi një brez me fat që jemi bashkëkohës të At Zef Pllumit, sigurisht, në qoftë se dimë të nxëmë nga ai. Të gjitha këto tipare që thashë do t’i gjeni të shprehura në shtatoren e këtij malësori”, – tha Kaçaj. Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin ish-presidenti Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe homologu i tyre kroat, Stipe Mesiç, si dhe arqipeshkvi i dioqezës se Lezhës, Ottavio Vitale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama