Ata qe nuk shkojne me pushime

Ata qe nuk shkojne me pushime
Pjesa tjetër e Shqipërisë, ajo më e madhja. Shqiptarë të thjeshtë, të cilat kriza i ka detyruar, veç të tjerave, që të anullojnë edhe pushimet e prenotuara, apo thjesht të mos e çojnë fare në mendje që të shkojnë diku këtë verë. Ja disa histori të vërteta, për të kuptuar se jeta larg ekranit të televizionit është shumë e ndryshme.

Avionët charter janë rrafsh me prenotime për pushime, të thonë në agjencitë turistike, edhe pse çmimet janë rritur 3 për qind vetëm sivjet. Këtë vit pushimet e luksit nuk kanë munguar, përkundrazi janë rritur kërkesat. Palma de Majorka, Maldive, Dubai... Në mos e thonë për të mos prishur imazhin, përsëri e vërteta nuk mungon. Sigurisht, shqiptarët e kamur, shumë pak, aq sa janë, kriza nuk i prek as me pupël. Ata s’i pushon njeri nga puna, s’ndjejnë peshën e taksave të fryra, nuk duhet të zgjedhin midis pushimeve dhe dasmës, pushimeve dhe shkollimit të fëmijëve, pushimeve dhe dentistit, qerasë së shtëpisë, një hoteli me tre-katër-pesë yje dhe një çadre kampingu. Për ta nuk “bie Kartagjena” kurrë.

Por, përtej brezit të klasës së tyre, një tjetër brez i gjerë shqiptarësh të mesëm e të varfër, që punojnë e kursejnë gjithë vitin për të bërë një palë pushime në verë, kanë filluar të heqin dorë nga këto të fundit. Papunësia, rënia e tregut, kriza ekonomike, rritja e çmimeve, shtrëngimi i të ardhurave deri në pamundësinë e përmbushjes së nevojave minimale të jetesës, i detyron një pjesë të mirë të shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të reja kur vjen fjala tek pushimet. Çdo ditë e më shumë janë të paktë ata që ia kanë luksin një udhëtimi në plazhet jashtë vendit. Sikurse nuk janë të pakët edhe ata që nuk do shkojnë asgjëkund, por do qëndrojnë në shtëpi. Të shpenzojnë sot para që mund t’i qajnë nesër, mund të ishte edhe e papërgjegjshme. Dhe së nesërmes, me të vërtet s’i dihet...

Kemi trokitur në pushimet e dëbuara të një çifti të ri që duhet të zgjidhnin midis tyre dhe dasmës, në pritje të fëmijës së parë; në pushimet e harruara të një 50 vjeçari që i duhet të emigrojë edhe në 2012-ën, që në shtator të bijat të shkojnë në shkollë; dhe në pushimet e transformuara të një të reje beqare, që në vend të valixhes së fluturimit, ka bërë gati një bag-packers për tu zhvendosur në një kamping çadrash në jug të vendit. Ka nga ata që psherëtijnë, ka të dhe nga ata që e marrin me sportivitet. E vërteta është që kriza, nuk kish si t’i kursente edhe pushimet.
 
Pushimet, kriza, dasma dhe surpriza

Ata kanë bërë pushime për tu mbajtur mend edhe atëherë kur ishin të saponjohur. E vetmja vështirësi që i mbajnë mend asaj periudhe, nuk ishte se si do sajonin paratë, po si do sajonin ndonjë ‘gënjeshtër’ të bindshme për prindërit që ishin “akoma në autobus”. Pastaj gjithçka vinte mbarë e natyrshëm. Një verë e gjatë plazhesh e udhëtimesh. Në ato tre vite lidhje, Altini dhe Ronela nga nuk shëtitën. Ia nisnin me bregdetin e Shqipërisë së Jugut, që në maj, pastaj Mali i Zi i fundjavave të gjata, Kroacia, Egjipti, Turqia..., vit pas viti, pushime në një paketë nga to që i përfshijnë të tëra, të menduara që në fillim të pranverës. Në fund, mund ta mbyllnin prapë me Jugun, meqë kaq rehati ua krijonte qyteti i tyre, Vlora. Sigurisht që asgjë nuk ishte e shtruar me lule, për këtë kishin punuar e kursyer gjatë gjithë vitit, por megjithatë, kishte plot nga ato momente kur, ndërsa bënin planet për më tej, qëllonte që i thoshin vetes “lermë o Zot të rroj!”.

Altin H. është 36 vjeç dhe prej gjashtë vitesh punon në tregun imobiliar. Kishte një pagë bazë dhe në kohë shitjesh fitonte jo pak nga përqindjet që i takonin me shitjet. Fillimi dukej premtues. Vlora ishte përfshirë në një valë ndërtimesh dhe shitjet ecnin mirë. Në fakt, vala e ndërtimeve është akoma aty, vetëm se shitjet kanë rënë drejt zeros. Të gjithë e ëndërrojnë një shtëpi buzë detit, por askush nuk ka paratë për ta blerë, e aq më pak paratë në dorë. Periudha e artë, ishte fundpranvera e fillimvera, momenti kur vinin emigrantët, që përbënin edhe fuqinë më të mirë blerëse në këtë sektor, por këtë vit edhe ata kanë munguar. Jo vetëm si blerës, por edhe si vizitorë. “Ka qenë mirë, shumë mirë sesa tani.

Vjet u ndje disi rënia, por përsëri puna eci. Me këtë shpresë ecëm edhe për këtë verë. Po nuk rrodhi, do pikojë, thoshim, por hiç. Është krizë, njerëzit kanë halle të tjera, më jetësore sesa një shtëpi në bregdet. Ata që kanë e s’u mbarojnë kurrë, i kanë blerë tashmë, nga dy e nga tri shtëpi. Të tjerë, që ndoshta ndonjëherë e kishin menduar se mund të merrnin një kredi e të kishin një shtëpi pushimi, tani as që e shkojnë nëpërmend të rrezikojnë, sepse e gjithë kjo nuk dihet sa do të zgjasë.

Emigrantët, që ishin edhe pesha kryesore blerëse, vijnë gjithmonë e më rrallë, më pesimistë, më të papunë. Kursimet i ruajnë, këtej e andej kanë familje që duhet t’i mbajnë me bukë...”. Kjo verë ishte një krizë e paralajmëruar për të në fakt. Bathët u panë që vitin që shkoi, e po kështu ishte edhe gjatë dimrit e fillimpranverës. Tani, vetëm me rrogën, arrin me vështirësi të mbylli shpenzimet e muajit.

Ronela A. është 28 vjeçe. Për të ishte më e thjeshtë të merrte një bar me qera sëbashku me dy kushërinj të vetët sesa të gjente një punë si mësuese historie, dega për të cilën ishte diplomuar gjashtë vjet më parë. Gjatë kësaj kohe arriti të mbyllte edhe një master, me shpresën se do të ishte më e thjeshtë, por asgjë nuk ndryshoi. “Jo vetëm që nuk e gjeta një punë në zanat, por edhe barin u detyruam ta mbyllnim. Xhiroja ra aq keq pas Vitit të Ri, sa nuk nxirrte as veten, filluam të dilnim me humbje dhe, sikur të mos mjaftonte, pronari i lokalit kërkoi të rriste qeranë.

Në këtë pikë, e lamë fare. Vjet puna ra disi, por përsëri arrita të mblidhja gati 700 Euro për Turqinë. Vitet më parë kishim qenë në Kroaci dhe Egjipt.”. Një vit më parë, Ajo dhe Altini kishin bërë plane që sivjet do provonin Spanjën, por kështu siç rrodhën gjërat, asgjë nuk shkoi sipas parashikimeve. Tani janë pa plane për pushime, sepse të tjera plane surprizë ia kishin behur në derë e trokisnin. Prej tre muajsh presin të bëhen me fëmijë. U fejuan e do martohen shumë shpejt, pas një muaji. Mund të shkonin me pushime, ose mund të bënin dasmën.

Zgjodhën dasmën. Zakonisht ndodh që me paratë që hidhen çifti shkon me pushime, ose muaj mjalti, por ata të dy duhet t’i ruajnë ato para, sepse i vogëli do ketë shpenzimet e veta, e nuk janë të pakta. Pushime? Për fatin e tyre të mirë jetojnë në një qytet bregdetar. Do mjaftohen me të. Altinit dhe Ronelës iu desh të zgjidhnin mes pushimeve dhe dasmës. Zgjedhja nuk i vuri përpara ndonjë kompromisi ndaj të cilit ndihen të keqardhur. Për të tjerë, nuk ka fare vend për zgjedhje, iu mbetet të gjejnë zgjidhje, shpesh aspak të lehta...
 
Verë 2012, në vend të pushimeve kryefamiljarët emigrojnë

Një zgjidhje të tillë gjeti edhe Luan G, 50 vjeç, babai i tre vajzave, dy prej të cilave binjake nga 18 vjeç. Si pakkush në ditët e sotme, atij iu desh të emigronte edhe njëherë drejt Italisë fqinje.
 
Ai kishte gati dhjetë vjet që kishte hapur një ofiçinë të vogël në Tiranë, të cilën u detyrua të mbyllte fare diku nga nëntori i shkuar. Puna ra dhe taksat u shumëfishuan. Fillimisht kishte shkurtuar vendin e ndihmësit që kishte, kishte ndenjur dhe pak muaj vetëm e pastaj e kishte mbyllur fare. “Ishim për bukuri. Luanit i ecte puna mirë, vajzat venin në shkollë, unë isha në punë dhe sigurisht që bënim pushime çdo vit. Turqia na pëlqente. Zgjidhnim një ofertë mesatare, të pestë 2000-2300 euro nga shkoi, dhe të paktën për dhjetë ditë harronim çdo gjë.

Ka një vit që gjërat ndryshuan si nata me ditën. Tani themi ‘Shëndetin!’ e të kemi fëmijët mirë.”, tregon Tefta, e shoqja. Gati një vit më parë ajo mbeti pa punë, pas shkurtimeve masive që u bënë në administratën e pushtetit lokal pas zgjedhjeve të fundit. “Aty nisi, e s’e ngritëm më kokën. E para unë që mbeta pa punë e pastaj edhe ai. Se kishte menduar më emigrimin, po ja që s’kishim zgjidhje tjetër. Iu kishte premtuar vajzave që do t’i çonte në universitetin që donin këtu. Por më parë do shkonin me pushime. Në Shqipëri do qëndronim sivjet, në Qeparo na kanë thënë që ishte bukur e pastër e do venim bashkë me një familje tjetër miqsh. Po Luani nuk vjen dot tani në verë, punon andej e s’ka leje.

U ka premtuar vajzave shkollën. Presin. Do venë njëra për dentiste e tjetra për fizioterapi. Ka dërguar paratë për këstin e parë të studimeve, nga 1200 euro secila. E vetmja që do shkojë me pushime është Viola, e madhja. Punon në një agjenci turistike, ka nja gjashtë muaj dhe ikën me ata të punës në Mal të Zi, si për punë e si për pushime bashkë”. Janë një prej familjeve shqiptare që i përkisnin deri dje klasës së mesme, të cilave papunësia dhe kriza ekonomike iu ka tronditur ndjeshëm qetësinë dhe mirëqenien e djeshme.
 
Pushime në krizë – lajme në pushime

Si për punë e si për pushime do të kalojë edhe vera e Manjola B., 30 vjeçares beqare që të vetmen gjë që i gëzonte kësaj të fundit, ishte gjithë koha e lirë që kishte për të menduar vetëm për veten. Tamam-tamam, ajo është një gazetare, kolegia e ditëve tona të përditshme. Kur vjen vera, për gazetarët lulëzon sakaq edhe një krizë e re, klasike si çdo vit. Është ‘kriza për lajme’. Sidomos muaji gusht, ku të gjithë zhduken plazheve e bota e lajmit bie në letargji. Nëse duhet të shkojnë me pushime, atëherë duhet të lënë materiale gati, ose kolegut që mbetet i duhet të punojë dyfish.

Me këtë Manjola është mësuar tashmë. Ka qenë kështu për çdo vit. Vetëm se kësaj radhe “ka rënë keq Kartagjena”. Deri vjet, përveç punës në një gazetë të përditshme, ajo ishte e angazhuar edhe në një projekt të huaj nga i cili merrte një dorë të mirë parash, me të cilat i lejonte vetes të gjitha lukset e të përditshmes në jetën e një vajze të re, si edhe një palë pushime për qejf. Si ato të vjetshmet për shembull, në Korfuz. Një aventurë shëtitjesh, plazhesh e gastronomish. Por projekti mbaroi, e të tjerë s’ka. Me rrogën e muajit, duhet të paguajë qeranë e shtëpisë, faturën e celularit, ushqimin e kafet lart e poshtë gjatë ditëve. Kaq. S’mbetet më për gjë tjetër. Qameti fundjavat në pishina këtu në Tiranë.

Po edhe këto nuk është se të kushtojnë pak. “Projekti zgjati dy vjet, e në ato dy vjet isha kaq rehat e mund të bëja plane për të lëvizur. Edhe shpenzimet nuk ishin një kokëçarje. Kam bërë pushime në verë, e në Dimër. Isha vjet në Greqi, vajta dhe në Austri 5 ditë. Sivjet nuk e kam luksin, dhe këtë e dija që në pranverë, që kur u mbyll projekti. Pas kaq vitesh do bëj pushime në familje.

Domethënë do shkoj një javë tek prindërit e një javë ku të dali, brenda vendit gjithmonë. Kursimet e mia mund të përballojnë vetëm biletën e avionit për një udhëtim jashtë vendit. Ndaj do mjaftohem duke ndenjur këtu. Të shohim, kam ca miq që do shkojnë në një kamping me çadra në Jug. Ka shumë mundësi që të bashkohem me ta...”. Qesh. “Të paktën kështu nuk duhet të bëj një mijë e një pazare përgatitore.

Do jenë një palë pushime të thjeshta... modeste, me çadër, pa dushe, pa hotel, pa veshje mbrëmje, pa restorante... Në fund, kur të kthehem, do bëj e një reportazh për kampingun, pastaj edhe një guidë se si mund të kalohen pushimet gëzueshëm edhe me pak para, në çadër”. Manjola është gazmore. Jo se e merr me shumë sportivitet krizën, po s’i mbetet veçse ta marrë me sportivitet krizën e parave, njësoj siç krizën e lajmeve në gusht.

“Shyqyr që e kemi dhe këtë punë thuaj, se dynjaja s’kanë asnjë e unë dua dy. Aman mos të më zërë ndonjë siklet me shëndetin, se aty po që më pushkaton kriza. Një dhëmballë kushton sa qeraja e ime e një muaji...”. Përsëri qesh me të madhe. – Po mirë i paske dhëmbët, mos u qaj. Qeshim të gjithë. Jemi në pikun e verës, është piku i vapës, krizë pushimesh, por akoma jo krizë lajmesh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama