Partizanit i është kthyer buzëqeshja pas fitores që mori në Korçë, ku goli i Vilës në minutën e fundit ka rritur optimizmin për fitimin e titullit kampion. Por suksesi i fundit ka lënë pasoja te kryeqytetasit, pasi tre lojtarët që u ndëshkuan me karton të verdhë humbasin ndeshjen e fundit me Teutën.
Renaldo Kalari, Sodiq Atanda dhe Lorenc Trashi kanë plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë dhe në këtë mënyrë janë të pezulluar për të mërkurën. Këto mungesa bëjnë që trajneri Agostineli të ketë probleme me repartin mbrojtës, kryesisht në krahun e majtë. Përpos këtyre mungesave të sigurta në pjesën defensive, pas derbit Partizani ka pezulluar pa afat edhe mbrojtësin Ditmar Bicaj, për shkak të një postimi në profilin e tij në "Facebook".
Burime të ndryshme pranë klubit bëjnë me dije se pritet që mbrojtësit t'i hiqet pezullimi dhe të përfshihet për ndeshjen e fundit me Teutën. Falja e Bicajt nuk ka lidhje me mungesat, por, pas suksesit në Korçë, të kuqtë kërkojnë që të kenë një grup të plotë dhe harmonik për 90- minutëshin e fundit të sezonit. Përpos të pezulluarve nga kartonët, ndaj Teutës pritet të mungojë edhe Filipe Gomes, që është i dëmtuar, si dhe Stevan Raçiç.
Nëse Bicaj falet, me shumë mundë- si ai do të përfshihet në formacion ndaj durrsakëve dhe së bashku me Krasniqin mund të formojnë dyshen e qendrës së mbrojtjes, ndërsa Ibrahimi mund të luajë i majtë. Ndërsa në vend të Trashit pritet të aktivizohet Asion Daja, i cili edhe në të shkuarën ka formuar dyshen e qendrës së mesfushës së bashku me Bathën. Ndërsa pjesa tjetër e formacionit pritet të jetë ajo që luajti ndaj Skënderbeut.
Tre lojtarët e pezulluar për Teutën me shumë mundësi do të përfshihen me Partizanin B në "play off"-in me Sopotin, ku të kryeqytetasit kërkojnë ngjitjen në Kategorinë e Parë.