Kryeministri i vendit Edi Rama ishte sot i pranishëm në aktivitetin e organizuar me rastin e hapjes së zyrës së konsulencës për çështjet e zhvillimit urban, “Atelier Albania, nga ku theksoi se zhvillimi i integruar urban, ekonomik dhe social është një sfidë shumë e madhe e qeverisë.
Sipas Ramës, kjo zyrë është konceptuar si një hapësirë e pakufi dhe që bashkon rrugët e të gjitha palëve të interesuara në një proces.
“E rëndësishme është të ndërtohet një kulturë e re në sjelljen tonë me territorin, pasi është një pasuri e kufizuar nga ku ne mund të krijojmë pasuri të reja nëse dimë ta përdorim me instrumentet e duhura”.
Kryeministri tha se projekti i parë ku do të fokusohet kjo atelie do të jetë projekti Lungo Mare, ku kjo zyrë konsulence do të luajë rol parësor për zbatimin e projektit fitues në qytetin e Vlorës.
“Për të qenë konkret, ne nesër kemi eksperiencën e parë të rëndësishme të një konkursi ndërkombëtar për një pjesë jashtëzakonisht delikate, por dhe jashtëzakonisht strategjike, konkursin për vijën ujore të qytetit të Vlorës. Është një konkurs që do jetë shumë mbresëlënës për nga cilësia e propozimeve, por dhe risitë që do sjellë. Është një proces ku dhe ‘Atelier Albania’ do jetë shumë e rëndësishme për të bërë të mundur që kalimi nga ideja në realitetin e Vlorës dhe me instrumentet financiare dhe teknike që ne kemi në dispozicion, që nuk janë instrumente të pakufizuara, të mund të bëhet si një kalim që na jep në realitet të realizuar idenë dhe planin fitues”, tha Kryeministri