Krimi nuk ndalet në kryeqytet. Një tjetër atentat ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës së baletit, ku i plagosur ka mbetur Fatjon Dauti, 28 vjeç. Gjendja shëndetësore e tij paraqitet mjaft e rëndë, pasi ai ka marrë një plumb në trup. Polici dyshon se tentativa e vrasjes ka si motiv, pazaret e drogës në Angli, hakmarrjen dhe probleme të tjera që ai ka pasur në Shqipëri. Grupi hetimor pretendon se ka identifikuar dy autorët e ngjarjes së rëndë dhe i ka shpallur në kërkim.
Ngjarja
Krimi i rëndë ka ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit që i plagosuri ka në pronësi të tij, pranë Rrugës së Elbasanit. Fatjon Dautaj është gjendur i papërgatitur nga atentati që i është bërë mëngjesin e së dielës. Thuhet se dy persona, rreth 50 vjeç, kanë shkuar në lokalin e tij për t’u takuar me personin në fjalë. Mes Dautajt dhe dy të tjerëve ka plasur një debat i ashpër, ku palët janë përleshur edhe fizikisht. Dy kundërshtarët e 28-vjeçarit kanë qëlluar edhe me armë zjarri, duke tentuar ekzekutimin e tij. Sipas policisë, autorët e krimit kanë qëlluar disa në drejtim të të riut, ku një prej plumbave e ka plagosur në këmbë. E gjithë ngjarja ka ndodhur në një orar ku në zonë ka pasur shumë lëvizje. Kalimtarët e rastit, por edhe shitësit që ndodhen pranë lokalit të të plagosurit, janë tmerruar. “Ata u zunë para se të përdoreshin armët. Pashë që palët u përleshën me njëri-tjetrin dhe dhuna ishte e tejskajshme. Disa minuta më vonë dëgjova krisma armësh. Më kapi paniku, nuk dija se çfarë të bëja. Më pas ata personat që plagosën Fatjonin u larguan me shpejtësi. Pashë që ai ishte plagosur dhe m’u duk në gjendje të rëndë. Unë e di që ai ka probleme shumë të mbartura në Angli. Kam dëgjuar që ai është përfshirë në rrjetin e drogës, por nuk e di se sa e vërtetë është. Pasi atentatorët u larguan, vura re se disa persona e futën Fatjonin në makinë, për ta çuar në Spitalin Ushtarak. Ai ishte plagosur rëndë, se pashë që i dilte shumë gjak”, është shprehur një nga shitësit aty pranë, i cili pretendon që ka parë ngjarjen. Pas plagosjes së rëndë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e krimit. Burime nga grupi hetimor thonë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 5-6 gëzhoja. Në lokalin e të plagosurit kanë shkuar dy femra, të cilat kanë dhënë dëshmitë e para në lidhje me konfliktet e mundshme që ai ka pasur kohët e fundit. Gjithashtu në cilësinë e dëshmitarit okular janë shoqëruar disa persona, të cilët kanë treguar për policinë atë që ka ndodhur në lokal. Mësohet se atentatorët kanë qenë në moshë jo të re.
Pistat hetimore
Në lidhje me motivin e vrasjes, policia po heton në disa pista, për vetë problemet e shumta që i plagosuri ka pasur gjatë viteve. Një nga pistat kryesore është ajo e pazareve të drogës, në Angli, ku Fatjon Dautaj ka jetuar për shumë vite. Thuhet se ai ka përplasje me disa tropojanë, më të cilët ka jetuar në emigrim. Mosmarrëveshjet për drogën, kanë bërë që ai të shkëputet prej tyre dhe tropojanët dje kanë tentuar ekzekutimin e 28-vjeçarit. Një tjetër pistë mjaft e dyshuar, është edhe ajo e hakmarrjes, ku familja Dautaj është përfshirë në zonën e Hasit. Sipas Policisë së Tiranës, njëri prej vëllezërve, rreth viteve ‘90 është ekzekutuar nga forcat speciale të RENEA-s, ku kjo e fundit ka tentuar që ta arrestojë për një vrasje që ky kishte kryer vite me parë. Vëllai i të plagosurit ka qëlluar në drejtim të forcave speciale dhe këta të fundit e ekzekutuan. Ndërkaq, vëllai tjetër dyshohet se është vrarë nga bandat rivale të drogës dhe ngjarja ka ndodhur disa vite më parë në Tiranë. Burime nga Spitali Ushtarak thonë se gjendja shëndetësore e tij, paraqitet e rëndë, pasi plumbi i ka dëmtuar arterien kryesore në pjesën e kofshës. Mësohet se ai rrezikon që të humbasë edhe këmbën. Dautaj i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe mjekët po bëjnë të pamundurën që t’i shpëtojnë këmbën e dëmtuar.