Policia ka arrestuar paraditen e sotme Emiliano Shullazin dhe Gilmando Danin, dy personat e përfshirë në përplasjen e armatosur të një nate më parë në Tiranë. Ata akuzohen për armëmbajtje pa leje të municioneve luftarake. Në automjetin e Shullazit, i cili kishte përfunduar në kanal në rrugën që të çon drejt Rinasit, janë gjetur municione të dy llojeve.
Policia do të marrë në pyetje Shullazin (36 vjeç) dhe Danin (36 vjeç) se ku fshehën armët.
Në automjetin e tij u gjetën edhe 7 mijë euro. Policia dyshon se Shullazi dhe Dani përdorën një pistoletë dhe një kallashnikov.
Shullazi është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi edhe më parë ka qenë i dënuar për vepra të tjerë penale.
(10:48) - Policia jep detaje për atentatin e mbrëmshëm, efektivi autor i vrasjes
Policia ka zbuluar detaje të reja nga përplasja me armë një natë në parë në Tiranë, nga ku mbeti vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë.
Në mbrëmjen e ditës së hënë, rreth orës 19:40, në rrugën e Kavajës në kryeqytet, është vrarë si pasojë e një shkëmbimi zjarri, shtetasi Arjanit Sterio, 42 vjeç, banues në Tiranë.
Paraprakisht, dyshohet se viktima ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasit: Pajtim Serjani, 32 vjeç, Denis Ramani, 28 vjeç, Ditmir Reçi, 33 vjeç dhe Roland Meta, 37 vjeç, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale.
Sipas policisë mësohet se fillimisht është plagosur në pjesën e këmbës shtetasi Pajtim Serjani, i cili menjëherë pas ngjarjes është transportuar për në Spitalin Universitar të Tiranës.
Ndërkohë, gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë Roland Meta.
Nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë është bërë dhe arrestimi në flagrancë i tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 - copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 9mm, 3 -copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pistoletë m-54, një armë zjarri Bereta si dhe automjeti me targë AA417 KU.
Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vrasjes me dashje”.
Ndërkohë që po vijojnë hetimet dhe për çdo ecuri do t’ju informojmë.
Atentati në Kashar:
Rreth 40 minuta pas ngjarjes në rrugën e Kavajës, mësohet se në Qafë-Kashar, i është ngritur pritë Emiljano Shullazit. Në fakt policia ende nuk e ka zbardhur itinerarin e rrugës së përshkruar nga Shullazi, por ky i fundit ka braktisur makinën në vendin e pritës dhe ka mbërritur në Spitalin Ushtarak i plagosur rëndë, por jashtë rreziku për jetën.
Sipas të dhënave, dyshohet se Shullazi duhet të jetë telefonuar për ngjarjen ku i është bërë pritë Serjanit dhe grupi i vënë në lëvizje për vrasjen e tyre duhet të ketë qenë i informuar për kthimin e tij në drejtim të Tiranës.
Ende nuk dihet se kush e ka sjellë në spital Shullazin, pasi policia mbrëmë nuk ishte në gjendje të saktësonte këtë detaj, por mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 gëzhoja kallashnikovi. Mjeti i Shullazit është sekuestruar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që atentatorët janë larguar në drejtim të paditur.
Po mbrëmë, Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Tiranës, filloi procedimin penal dhe po punohet për kapjen e autorëve, pasi mbrëmë rreth orës 19:30, në fshatin Bërxullë Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët përgjatë momenteve të ngjarjes po udhëtonin me automjetin e tyre, tip “Golf 4”, me targë AA629HR.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Hajdar Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Nesim Dani, 36 vjeç, të cilët janë ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor sekuestroi nga vendngjarja disa gëzhoja si prova.
Materialet hetimore ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 22 dhe 278/4 i Kodit Penal.