Atmosfera e Vitit te Ri ne rrethe

Atmosfera e Vitit të Ri në rrethe
Dekoret zbukuruese, të njëjtat e një viti më parë

Viti i ri, me dekor të vjetër. Kjo është situata festive që paraqitet në pjesën më të madhe të qyteteve të Shqipërisë. Mungesa e fondeve për ndriçimin dhe zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit, e ka detyruar pushtetin vendor të përdorë të njëjtin dekor festiv të një viti më parë. Në rastet kur ato kanë qenë të amortizuara, janë detyruar që zbukurimet të kufizohen në maksimum.

Fier
Në Fier dekori i festave të fundvitit ka qenë tepër i varfër. Mësohet se jo vetëm që nuk ka pasur fonde për të blerë pajisje të reja, por dhe ato që janë përdorur vjet janë reduktuar, pasi një pjesë janë amortizuar. Varfëria në dekor pranohet edhe nga drejtuesit e bashkisë, të cilët thonë se nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Pushteti vendor pohon se është kërkuar ndihma e bizneseve, por askush nuk ka marrë përsipër të sponsorizojë për shpenzimet e zbukurimeve. Ashtu si dhe 10 vitet e fundit, në qendër të Fierit është ndërtuar një profil hekuri i mbushur me drita, i cili personifikon pemën e Vitit të Ri.

Vlorë
Dritat shumëngjyrëshe, banderolat, Babagjyshi i Vitit të Ri, janë "harruar" në Vlorë. Bashkia e qytetit duket se këtë vit është disi e vonuar në finalizimin e dekorit të qytetit, i cili mbetet ai i një viti më parë. Madje dhe pema që përdoret prej disa vitesh, ende nuk është vendosur, ndërkohë që bashkia ka harruar edhe babagjyshin e Vitit të Ri, i cili dikur vendosej në sheshin e skelës.

Berat
Festat e kanë gjetur qytetin e një mbi një dritareve të zbehur nga shkëlqimi i dikurshëm. Këtë vit nuk ka asnjë lloj investimi në drejtim të dekorit të qytetit. Kreu i bashkisë, Fadil Nasufi, thotë: "Megjithëse jemi përpjekur nga fondet modeste të bashkisë, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për të sistemuar në mënyrën më të mirë qytetin".

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama